E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lipi kundër tifozëve "axurrë"

Marçelo Lipi sulmon tifozët pas fitores së vështirë që Italia arriti në sfidën me Qipron. "Ajo që ndodhi është e turpshme. Njerëzit duhet të mësojnë që ta duan më shumë këtë Kombëtare. Më duket e pamundur që në një ndeshje ku nuk kishim asnjë objektiv e ku kisha ndryshuar të gjithë skuadrën, sapo kalojmë disa momente vështirësie tifozët në vend që t‘u japin zemër futbollistëve, brohorasin emra të tjerë", deklaroi trajneri "axurr". "Kjo skuadër, e cila nuk duhet të harroni që është kampione bote, e siguroi përpara kohe kualifikimin në Botërorin 2010. Këta lojtarë meritojnë respekt dhe askush nuk duhet t‘u thotë që të vrapojnë në fushë, në një ndeshje që nuk kishte aspak rëndësi". Falë tri golave të Alberto Xhilardinos, njëri prej të cilëve u shënua në sekondat shtesë, Italia evitoi figurën e keqe përballë Qipros, që deri në minutën e 77 të ndeshjes kryesonte 2-0. Skuadra e Lipit u rendit e para në Grupin 8, me 24 pikë të grumbulluara në dhjetë ndeshje dhe siguroi kualifikimin e drejtpërdrejtë në fazën finale të Kupës së Botës, që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›