E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maradona i shpall "luftë" shtypit

Tundohemi të themi se Diego Armando Maradona është i pamohueshëm. Ankthi ka përfunduar për Argjentinën e tij, e cila fitoi 1-0 në Uruguai, duke rrëmbyer biletën e katërt që të çon në Botërorin 2010 në Afrikën e Jugut dhe detyron kundërshtarin t‘i nënshtrohet "play-off"-it kundër Kosta Rikës. Goli i fitores në Montevideo mban firmën e mesfushorit difensiv të Hurakan, Mario Bolati 5 minuta para fundit. Megjithatë, kualifikimi i bardhekaltërve u dëmtua disi nga shfaqja që e kaloi kufirin e normales nga ish-"Pibe de Oro", i cili pas ndeshjes ka zbrazur zemërimin e tij të akumuluar përbrenda, duke ofenduar shumë rëndë, me fjalë vulgare me sfond seksual, gazetarët që e kanë kritikuar ashpër gjatë periudhës së fundit. "Është një privilegj të çosh Argjentinën në Botëror, ka thënë në fillim trajneri. Dëshiroj të falënderoj tifozët, vetëm ata që kaluan kufijtë për të na mbështetur. Dua të falënderoj familjen time, Dalman, Xhaninën. Vetëm ata. Ndërsa janë të shumtë që nuk e meritojnë falënderimin tim. Unë jam i bardhë ose i zi, nuk jam gri dhe e kam kujtesën të gjatë... Kjo është për ata që nuk kanë besuar tek unë dhe më kanë trajtuar si plehrë, pa asnjë respekt. Ia dolëm pa ndihmën e askujt dhe me të gjitha nderimet e duhura, përballë një skuadre të madhe si Uruguai". Pastaj gjithçka del jashtë kontrollit dhe nisin sharjet e rënda në drejtim të gazetarëve prezentë në konferencën për shtyp. "U kërkoj falje zonjave, merr leje Maradona. Pas fitores së sotme mundet edhe të vazhdonin të ma th... Keni shpikur gjithçka. Nuk kam aspak dëshirë ta ndaj këtë gëzim me ju". Pyetjes "A ke autokritika për të bërë?" i përgjigjet: "Nuk besoni se zëvendësimet ishin shumë decizive". Pas një buzëqeshje, trajneri argjentinas ka shpjeguar se autokritikat janë të shumta, por megjithatë zëvendësimet ishin "korrekte". Në fund nuk konfirmon nëse do të jetë apo jo në drejtimin e Argjentinës në Botëror: "Duhet të flas me presidentin Grondona". Ndërsa skuadra e tij ka zhgënjyer sërish në planin e lojës dhe kundër Uruguait ka shfrytëzuar rastin e vetëm të vërtetë për gol. Në harkun e 90 minutave nervoze dhe të vakëta nga emocionet. Sërish në hije Leo Mesi, ndërsa në mesfushë është rikonfirmuar një veteran si Huan Sebastian Veron, i cili ka qenë edhe futbollisti më i mirë i ndeshjes. Goli i Bolatit i ka shpëtuar të gjithë. "Është një ëndërr, nënvizon Bolati dhe e meriton i gjithë grupi. Nuk ishin në një formë të mirë: tani nuk mund ta përshkruaj as lumturinë që po provojmë". Ndërsa reagon veterani Veron: Nuk kemi asgjë për të festuar: ky duhet të jetë vetëm fillimi për ne. Nuk duhet t‘i fshehim problemet, kemi shumë të tilla, nga presidenti Gordona e poshtë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›