Lipjani deshi ta keqpërdorë buxhetin për 500 mijë euro

Komuna e Lipjanit, e cila udhëhiqet nga Shukri Buja, ka qenë e gatshme ta dëmtojë buxhetin e Lipjanit mbi gjysmë milioni euro vetëm të shpërblejë me tender një kompani e cila është financuese e partisë në pushtet, PDK-së.
Prokurimi i Lipjanit ia ka dhënë tenderin “Asfaltimi i rrugëve me 4 korsi ‘Shqipëria’ dhe ‘Haradin Bajrami’”, projekt dyvjeçar, kompanisë “Bageri”, por me këtë rast ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, duke dëmtuar buxhetin e komunës për qindra euro.
Kriter për dhënie të kontratës ka qenë çmimi më i ulët, mirëpo ky kriter nuk është marrë parasysh me rastin e vlerësimit të dosjeve të tenderëve, sepse mbi 500 mijë euro ka qenë më e lirë kompania “Eksavatori” nga Ferizaj, e cila ka garuar për këtë tender, e të cilën prokurimi i Lipjanit e ka eliminuar qëllimshëm, vetëm ta favorizojë “Bagerin”.
Megjithatë, Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka kthyer këtë lëndë në rivlerësim, pasi ka gjetur shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik nga ana e Komunës së Lipjanit. Vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit Gjykatës është marrë pas ankesës që ka bërë kompania “Eskavatori”, e cila është eliminuar nga prokurimi komunal për mungesë të disa dokumenteve, e cila kishte konkurruar si koncorcium. Por, OSHP ka gjetur se “Eskavatori” është i përgjegjshëm në këtë pikë dhe e plotëson kriterin kryesor, çmimin më të ulët.
“Kompania ankuese ‘Ekskavatori’ është eliminuar nga autoriteti kontraktues për mungesë të disa dokumenteve, për marrëveshjen e bashkëpunimit të anëtarëve të konzoricumit të cilat janë në dosje të nënshkruara nga të dy përfaqësuesit e kompanive, dhe deklarata e përgjegjësive individuale dhe grupore, të cilat po ashtu gjenden në dosje të tenderit. Pasi kompania ankuese është e përgjegjshme, sipas meje, e plotëson edhe kriterin kryesor, pasi ka çmim të ulët. OE ka rekomanduar për kontratë është i përgjegjshëm, por ka çmim më të lartë se OE ankues, që në rastin konkret AK-ja ka vepruar në kundërshtim me kriterin kryesor, çmimin më të ulët”, thuhet në verdiktin e Organit Shqyrtues për tenderin “Asfaltimi i rrugëve me 4 korsi ‘Shqipëria’ dhe ‘Haradin Bajrami”’, andaj është marrë vendim që tenderi rreth tre milionësh të rivlerësohet.
“Eksavatori” pret zbatimin e vendimit
Drejtori i kompanisë “Eskavatori”, Haziz Rysha, pret të formohet komisioni brenda prokurimit komunal dhe tenderi t’i jepet atij meqë, siç thotë ai, është më i lirë dhe OSHP e ka shpallur si ofertues të përgjegjshëm. “Ne kemi konkurruar me 2 milionë e 289 mijë euro. Pra, jemi mbi gjysmë milioni euro më të lirë. Po presim nga komisioni komunal ta bëjë rivlerësimin dhe, sipas verdiktit që ka dhënë gjykata dhe dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik, tenderi na takon neve, ngase kemi dalë si ofertues të përgjegjshëm dhe e kemi plotësuar kriterin për çmimin më të lirë. Të gjithë ofertuesit e tjerë kanë pasur çmim më të shtrenjtë”, tha Rysha për “Indeksonline”.
Kompania “Bageri”, financuese e PDK-së
Kompania “Bageri” ka marrë dhjetëra tenderë nga institucionet e vendit. Sipas të dhënave zyrtare, del se pronar i kompanisë “Bageri” është personi i cili ka dhënë para për PDK-në. Në raportin zyrtar të auditimit të KQZ-së rreth fushatës zgjedhore të PDK-së, emri i Bujar Shabanit, pronarit të kompanisë, figuron si një nga financuesit e fushatës së PDK-së në vitin 2009.
Lipjani edhe në vitin 2012 ka shkelur ligjin për “Bagerin”
“Indeksonline” kishte raportuar se Komuna e Lipjanit vitin e kaluar kishte shkelur ligjin e prokurimit kur i ka dhënë tender “Bagerit” në vlerë prej 343 mijë e 809 eurosh për asfaltimin e rrugës në fshatin Sllovi derisa në garë ishin 10 kompani, nga të cilat kishte edhe me çmim më të ulët. Në konstatimin e OSHP-së thuhej se Komuna e Lipjanit në këtë tender nuk i ka respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe ka shkelur ato në disa pika, andaj lëndën e kishte kthyer në rivlerësim. Pas asaj ankese e rivlerësimit të tenderit, atë e kishte fituar kompania “Bejta Com”, e cila kishte ofertuar me çmim prej 334 mijë e 959 eurosh. /Mentor Buzhala /Indeksonline/