Liqeni artificial i Tiranës, drejtë kënetëzimit
Derdhja e ujërave të zeza po çon drejt degradimit dhe kënetëzimit total të liqenit artificial të Tiranës. Temperaturat e larta, hedhja e mbeturinave të ndryshme, shkarkimi i ujërave të zeza si dhe shterimi i ujit nga subjekte të shumta private të cilat e përdorin për lavazhet e makinave, po shndërrohen në gangrenën e një parku natyror shlodhës për kujdesin e të cilit nuk po kujtohet askush.
Kamera e “Ora News” vijon të përcjellë pamje të reja nga ky degradim i cili vit pas viti po e çon liqenin artificial të Tiranës, drejt kënetëzimit të plotë.
Edhe pse ende qytetarët vijojnë të frekuentojnë kodrat e liqenit për ajrin e pastër si dhe ambjentet shlodhëse të parkut, shëtitjet në bregun e liqenit thuajse janë fshirë nga tradita e vjetër e shëtitjeve tek liqeni. Një liqen që duket më shumë si kënet nuk të ofron aspak kënaqësinë dhe shlodhjen që ai ka ofruar dikur. Ky liqen që dikur përdorej për shëtije me varka si dhe banjo dielli, tashmë të përngjan me një vendgrumbullim të ujrave të zeza. Nëse duam që të mos e humbasim këtë pasuri të qytetarëve të Tiranës, është koha që dikush të kujtohet për kujdesin ndaj kësaj pasurie.