E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liqeni i Fierzës mban ende nën ujë Breglumin

Përmbytja Fshatarët mund të lëvizin vetëm me varka drejt Kukësit. Asnjë ndihmë nga qeveria

Rritja e nivelit në liqenin e Fierzës ka shkaktuar përmbytjen e rreth 120 hektarëve tokë të mbjellë, si dhe dhjetëra banesa të kësaj kuote. Më i përmbytur është fshati Breglum, i cili jeton krejt i braktisur mes frikës dhe tmerrit. Breglumi është nga fshatrat e ulët të pellgut të Kukësit, ku shumica e banesave u shpërngulën në vitin 1978 kur u ndërtua hidrocentrali i Fierzës. Në kuotën ku sot ndodhen më shumë se 20 shtëpi, banorët tregojnë se ndodhet edhe shenja e kuqe e cila është arritur vetëm në vitin 1985 për disa javë dhe asnjëherë tjetër. Sidoqoftë, zhvendosja e tyre prej aty ka qenë një domosdoshmëri, por ata thonë se nuk kanë pasur mundësi ta bëjnë këtë. Sot uji i liqenit ka mbushur oborret shtëpive dhe diku edhe katet e para, ka mbuluar të gjithë arat e mbjella, si dhe rrugën automobilistike të fshatit.

Mehdiu 22 vjeç, banor i zonës që është përmbytur, i cili punon në qytetin e Kukësit si murator tregon se mbulimi i rrugës nga uji i ka detyruar banorët të lëvizin me varka nga Breglumi në Kukës, në distancën pak më shumë se 2 km, pasi çdo relacion ekonomik e shohin të lidhur me qytetin ku blejnë ushqimet dhe ku punojnë apo ku më parë bënin pazarin. “Paguajmë nga 500 lekë të vjetër për njeri dhe kalojmë liqenin me varkë, rruga është mbuluar nga uji dhe një zot e di se kur do të lëshohet. Nëse uji do të qëndrojë edhe disa ditë, atëherë toka rrezikon të mos punohet më, ndërsa të mbjellat e sivjetme na shkuan dëm”, tregon Mehdiu. Në Breglum ujërat kanë kaluar çdo parashikim të banorëve dhe specialistëve. “Dikur na kanë thënë se mund të përmbytet vendi ku kemi shtëpitë dhe tokat po kjo gjë mund të ndodhë shumë rrallë”, tha një banor shtëpia e të cilit ishte përgjysmë në ujë.

Një amvisë rreth 40 vjeçe tregon se më problem mbetet puna e shkollimit të fëmijëve, pasi nuk ka më rrugë nga të kalojnë. “Fëmijët nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollë, pasi rruga që lidh fshatin me shkollën dhe me komunën është mbuluar nga uji. Kemi edhe frikë të dalim nga shtëpitë dhe t’i lëmë fëmijët në shtëpi pasi mund të mbyten nga pakujdesia”, thotë gruaja e shqetësuar. Fshati tani ka vetëm një mënyrë komunikimi me fshatrat e tjerë, vetëm nëpërmjet malit, andej nga kullotin bagëtitë, ndërsa me Kukësin me anë të varkës. “Udhëtojmë nëpër shtigje malore me orë të tëra për shkuar në komunë për ndonjë punë, për shërbim shëndetësor apo për ndihmë tjetër, por ndihma nuk ka”, tha një pensionist i jetonte me fëmijët e djalit të tij që ndodhej në emigracion në Greqi.

Një nga punëtorët e varkës, Selimi 16 vjeç, tregon se gjatë 24 orëve i bie ta kalojë liqenin më shumë se 4 apo 5 herë dhe ndryshe nga pjesa më e madhe e lagjes, ai është i kënaqur me situatën, pasi i ka siguruar një punë fitimprurëse. “Punoj gjatë gjithë ditës deri në orët e vona të natës në breg të ujit për të transportuar ndonjë person që ka nevojë të kalojë liqenin. Meqë rruga e fshatit nuk funksionon, sepse është mbuluar nga uji, kjo varkë është mjeti i vetëm i transportit për në qytet”, thotë i riu, duke shtuar se fitimi këto ditë ka qenë mjaft i mirë.

Për rastin e fshatit Breglum dhe disa fshatrave të tjerë ku janë përmbytur gjithashtu një numër banesash është njoftuar edhe pushteti vendor dhe rajonal, madje edhe qeveria. Por për të ende nuk ka pasur asnjë ndihmë. Një funksionar i prefekturës tha se zona është e njohur si zonë që përmbytet dhe se banorët është dashur të zhvendosen prej aty. Në Breglum rezultojnë të jenë të rrezikuara më shumë se 20 banesa me oborret e mbuluara nga uji dhe disa prej tyre edhe me katin e parë nën ujë, si dhe 30 hektarë tokë bujqësore. Në të gjithë rrethin e Kukësit janë përmbytur rreth 120 hektarë tokë e mbjellë kryesisht në fshatrat Qinamak, Kodërlumë, Bozhe, Bushat, Kosturr të Hasit etj.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›