Rama, Berishës: Nuk kalon dot mbi trupat tanë. Hap kutitë ose largohu!

Askush nuk kalon dot mbi trupat tanë, Berisha duhet të hapë kutitë ose të largohet. Ky ishte mesazhi që lëshoi pasditen e djeshme kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përpara çadrave të grevistëve, me qindra protestues socialistë. Në fjalën e tij, në ditën e tretë të grevës së urisë së deputetëve dhe mbështetësve socialistë, Rama foli me tone të ashpra ndaj Kryeministrit Berisha dhe qeverisë që ai drejton. “Këtu është vija ku ndahet e shkuara me të ardhmen, në atë godinë rri e shkuara në ato çadra rri e ardhmja. I bëjmë thirrje që askush nuk kalon dot mbi trupat tanë, hap kutitë ose largohu”, theksoi lideri i PS-së. Po kështu, Rama akuzoi Kryeministrin Berisha dhe Partinë Demokratike për lidhje të ngushta me regjimin komunist. “Si ka mundësi që një parti si PD lindi nga një aspiratë e madhe që i dha fund një regjimi të mallkuar, të jetë mbartësja e të gjitha të zezave të atij regjimi”, deklaroi Rama, duke shtuar se me insistimin e saj për të fshehur krimin elektoral, kjo parti po tregon se ka rënë shumë poshtë. Nga ana tjetër, Edi Rama akuzoi në mënyrë të drejtpërdrejtë Kryeministrin Berisha, që në të shkuarën komuniste ka çuar për internim njerëz të pafajshëm për të ngjitur shkallët e tij të karrierës. Duke shprehur vendosmërinë për vijimin e grevës së urisë dhe duke folur për qëllimet e saj, Edi Rama edhe si kryebashkiak i Tiranës u ktheu përgjigje kërkesave të policisë për të zhvendosur vendin e grevës. “Nuk ka asnjë punë qeveria as me trafikun, as me këtë hapësirë për të cilën unë kam marrë votën e qytetarëve të Tiranës dhe jap llogari vetëm përpara tyre”, nënvijëzoi Rama përpara protestuesve. Po kështu, kreu i socialistëve gjeti rastin t’i bëjë thirrje policisë që të tregohej e paanshme në lidhje me këtë nismë që opozita ka ndërmarrë. “Ne nuk jemi në betejë me shtetin e të gjithëve, por me pushtetin e disave dhe policia është në shërbimin e shtetit të të gjithëve”, iu drejtua Rama drejtuesve të policisë. Sipas tij, ata nuk duhet të përlyenin uniformat e tyre me urdhra të verbër të ardhur nga pushteti. Por në mitingun e radhës për PS-në, Rama nuk harroi t’i bënte thirrje as protestueseve të tij dhe atyre që kishin hyrë në grevën e urisë. “Përgatituni për të rezistuar, sepse beteja jonë mund të jetë e shkurtër, nëse Berisha reagon shpejt, por edhe shumë e gjatë nëse reagimi vonon. Me ata që janë brenda mund të ndodhë gjithçka, por asnjë krevat nuk do të mbetet bosh, një do të dalë pesë do të hyjnë”, siguroi kryetari i PS-së.
Sipas Ramës, te kutitë e votimit janë mbyllur aspiratat e çdo qytetari. “Në këto kuti janë rrënjët e të keqes, dhe llumi që derdhet në jetën e vogël”, theksoi Rama. Sipas tij, opozita ka ngelur problemi i fundit i Berishës, për t’u shpallur mbret dhe për të mbretëruar në të gjithë Shqipërinë. Në fjalën e tij, Rama foli edhe për grevisten më të re që u ishte bashkuar socialistëve. Sipas Ramës, ajo quhet Mimoza Boçari dhe nuk është anëtare e PS-së, por është një grua e cila ka 20 vjet që nuk po arrin dot të marrë pronën e saj legjitime, të drejtën e të cilës ia ka njohur edhe Gjykata e Strasburgut.
#