Liqeni i Ohrit nën mbrojtjen e UNESCO-s
Që në fillim të muajit prill, në Pogradec do të qëndrojë një delegacion-komision i UNESCO-së, që do të trajnojë ekspertët ambientalist, në drejtim të përgatitjes së dokumentacionit me kriteret për aplikimin e pjesës së Liqenit të Ohrit, që i takon Shqipërisë, për tu bërë pjesë e projektit të UNESCO-së.
Është mjaft shpresëdhënëse që kjo ide e kamotshme të bëhet realitet dhe shpresë optimiste për palën shqiptare, që përafërsisht deri në fund të vitit kalendarik, kjo pasuri natyrore të bëhet pjesë e mbrojtjes së UNESCO-së, posikur që është pjesa e Liqenit të Ohrit, që i takon Maqedonisë.
Arijan Merolli, nga Sekretariati bilateral shqiptar për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit, lidhur me këtë ngjarje është shprehur:Është shumë e rëndësishme që ajo që propozohet nga UNESCO, që të bëhet zgjerimi dhe mbrojtja e tërësishme e Liqenit të Ohrit, jo vetëm në pjesën maqedonase por edhe në atë shqiptare, është mirëpritur nga pala shqiptare dhe na obligon që të ndërmarrim të gjitha aktivitetet e duhura për të garantuar mbrojtje maksimale të Liqenit të Ohrit si trashëgimi natyrore dhe kulturore me vlera të mëdha.
Pritet që UNESCO, pas përpjekjeve të përbashkëta shumëvjeçare, të fillojë këtë procedurë që edhe pjesa shqiptare e këtij liqeni të vihet nën mbrojtjen e UNESCO-së.
Me shpalljen e Liqenit të Ohrit si trashëgimi botërore natyrore, përfundimisht krijohen edhe parakushtet për harmonizimin e legjislacioneve të dy vendeve, Maqedoni e Shqipëri, për mbrojtjen e përbashkët të Liqenit të Ohrit. Kështu do të krijohen edhe mundësitë e veprimit të përbashkët për zgjidhjen e problemeve ekologjike që paraqiten dhe që në të ardhmen mund të paraqiten në Liqenin e Ohrit, që vlerësohet se vjetërsia e këtij Liqeni tektonik është mbi 4 milion vjet.
Nga ana tjetër, Dejan Panoski, anëtar i Sekretariatit bilateral nga pala maqedonase konsideron se incidentet ekologjike do të ndodhin edhe në të ardhmen, por ndaj tyre do të veprohet e reagohet në mënyrë institucionale, duke marrë masa të duhura ndaj atyre që nuk respektojnë këto norma dhe dispozita mbrojtëse, duke shqiptuar edhe dënimet meritore, në interes të mbrojtjes së plotë të Liqenit të Ohrit.
Pikërisht, për të mbrojtur maksimalisht Liqenin e Ohrit, Sekretariati bilateral, ekspertët e ndryshëm, përfaqësuesit e institucioneve kompetente, ndërmarrjeve publike dhe shoqatat ambientaliste, kanë ngritur iniciativën për mbrojtjen me ligj të bregut të Liqenit të Ohrit si dhe fondit të peshkut që peshkohet pa kurrfarë kriteri. Po ashtu ata angazhohen për revitalizimin e sistemit të kolektorit bashkë me shfrytëzimin turistik të Liqenit që sjell edhe levërdi materiale, por do të mbrohet nga dëmtimet dhe deformimet e devijimet nga vetë biodiversiteti natyror i Liqenit të Ohrit. /INA/