E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkluzionet e dialogut, jo detyrim për qeveritë

Stefanoviç e Tahiri

PRISHTINE- Çfarëdo ndryshimi në skenën politike të Kosovës apo të Serbisë mund të hedhë poshtë gjithë produktin e deritashëm të dialogut mes dy vendeve. Kjo, sepse konkluzionet e arritura nga palët nuk definohen si marrëveshje ndërkombëtare. Kështu shkruan sot Koha Ditore. Sipas saj, asnjë obligim kushtetues për të zbatuar konkluzionet nuk ka një pushtet i ri që mund të vijë në Kosovë, i ka thënë të shtunën gazetës një njohës i së drejtës kushtetuese.

Shumë qartë dihet se çfarë janë marrëveshjet ndërkombëtare. Konkluzionet nuk janë të tilla dhe për pasojë kurrfarë obligimi, as kushtetues dhe tjetër, nuk ka për ti implementuar. As në Kosovë dhe as në Serbi, ka thënë ky njohës kushtetues, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, që ka folur në kushte anonimiteti. Por, shtrohet një pyetje këtu cili pushtet, para së gjithash në Kosovë, do të shpërfillte konkluzionet pas të cilave qëndrojnë BE-ja dhe SHBA-ja? Unë them se asnjëri.

Prej kohës së dialogut Kosovë-Serbi rreth një vit më parë, janë arritur disa marrëveshje të emërtuara si konkluzione. Ato nuk i kanë firmat e përfaqësuesve të të dyja vendeve, por pas marrëveshjeve nga palët për përmbajtjen, ndërmjetësi i dialogut Robert Cooper, një zyrtar i autorizuar i BE-së në rolin e lehtësuesit të dialogut, i bën publike ato.  Ngaqë janë të tilla, nuk janë nxjerrë për aprovim në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›