“Liqeni” i Peqinit anulon ndeshjen
Shkumbini-Dinamo, ndeshja e vlefshme për takimin e parë çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, nuk u zhvillua për shkak të gjendjes shumë të keqe të fushës së Peqinit, thuajse të mbuluar nga uji. Gjyqtari i takimit në konsultim edhe me stafet e dy skuadrave, si dhe me delegatin e FSHF-së, vendosën moszhvillimin e ndeshjes. Edhe në takimin e tyre të fundit në kampionat, në javën e 16-të të Superligës, gjendja e terrenit gjatë zhvillimit të ndeshjes u bë e papërshtatshme, por takimi vazhdoi dhe përfundoi me fitoren 4-0 të Shkumbinit, duke hapur më pas shumë polemika midis dy kampeve. Takimi Shkumbini-Dinamo, ashtu si ai Gramozi-Teuta në Ersekë, i ndërprerë në minutën e 30-të, do të luhen në një datë tjetër.
DREJT ÇEREKFINALEVE
RRUGA E SHKUMBINIT
Në rrugën drejt çerekfinaleve, në turin e parë Shkumbini eliminoi Memaliaj e Kategorisë së Parë me dy fitore të ngushta: 1-2 në Memaliaj dhe 1-0 në Peqin. Në turin e dytë eliminoi Kastriotin: barazoi 1-1 në Krujë dhe fitoi 1-0 në Peqin.
RRUGA E DINAMOS
Në rrugën drejt çerekfinaleve, në turin e parë, Dinamo u Muçës u kualifikua pas dy fitoreve me Mamurrasin (3-2, 2-0) të Kategorinë e Dytë. Në turin e dytë eliminoi Bylisin: humbi 1-0 në Ballsh dhe fitoi 3-0 në Tiranë.
SHKUMBINI
Pjesëmarrëse: në 21 edicione
Në çerekfinale: 10 herë
Në gjysmëfinale: 3 herë
Në finale: 0 herë
Fituese: 0 herë
Finale të humbura: 0 herë
DINAMO
Pjesëmarrëse: 52 edicione
Në çerekfinale: 44 herë
Në gjysmëfinale: 30 herë
Në finale: 18 herë
Fituese: 13 herë
Finale të humbura: 5 herë
Superliga, sot Laçi-Flamurtari
Ndeshjet e javës së 21-të të Kategorisë Superiore nisin me përballjen e sotme midis Laçit dhe Flamurtarit. Laçi i vendit të katërt, 28 pikë, pret të premten në shtëpi Flamurtarin e vendit të 10-të, por që mbërrin pas dy fitoresh rresht, ashtu si dhe Laçi. Ndeshja kyçe është ajo midis Dinamos kryesuese, 51 pikë, dhe Besës së vendit të dytë, 39 pikë. Nga fati i kësaj ndeshje do të vendoset përfundimisht edhe fati për titullin e parakohshëm të bluve, pasi në rast fitoreje të Dinamos diferenca do të shkonte në 15 pikë, kur do te mbeteshin edhe 12 javë nga përfundimi i kampionatit. Mirel Josa si trajneri i ri i Skënderbeut dhe Ylli Shehu, si trajner i ri i Teutës, do të debutojnë në kampionat me skuadrat e tyre të reja, përkatësisht kundër Vllaznisë në Shkodër dhe Gramozit në Ersekë. Tirana e vendit të tretë, 32 pikë, ka një sfidë të vështirë në Peqin me Shkumbinin e vendit të pestë, 27. Kastrioti-Apolonia është një ndeshje shumë interesante. Të dyja skuadrat kanë nga 25 pikë, por në Fier fituan krutanët 3-2, që solli edhe vetëlargimin e ish-trajnerit të Apolonisë, boshnjakut Esad Karishik.
Kategoria Superiore
Java 21
12.02.2010
14:00 Laçi-Flamurtari
13.02.2010
14:00 Kastrioti-Apolonia
13:00 Vllaznia-Skënderbeu
14.02.2010
14:00 Shkumbini-Tirana
14:00 Teuta-Gramozi
15.02.2010
17:00 Dinamo-Besa
12 Shkurt 2010