E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandal seksual në Bundesligë

Bota gjermane e futbollit është tronditur ditët e fundit pasi një nga arbitrat e saj ka akuzuar një prej funksionarëve të lartë të Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) për ngacmim seksual. Sipas gazetës gjermane “Bild”, Manfred Amerell (62 vjeç) është personi i përfshirë në këtë skandal. Në fakt, ai dha dorëheqjen më 4 shkurt, zyrtarisht për arsye shëndetësore, por duket se kjo ka të bëjë me akuzën e bërë nga Michael Kempter (27 vjeç).
Ky i fundit, edhe arbitri më i ri në moshë në Bundesligë, njëherësh edhe arbitër i FIFA-s nga dhjetori i vitit të kaluar, është pritur gjatë një takimi prej katër orësh nga një përfaqësues juridik i federatës gjermane në kuadër të një hetimi të brendshëm. “Bëhet fjalë vetëm një qartësim të DFB-së në lidhje me këtë çështje. Ne nuk dëshirojmë të marrim një vendim pa pasur të gjitha detajet, por as të minimizojmë faktet”, - saktësoi një zëdhënës i Federatës. Për momentin, asnjë përgënjeshtrim nuk është bërë. I intervistuar nga televizioni sportiv gjerman, DSF, Manfred Amerell, edhe ai vetë një ish-arbitër, i konsideroi akuzat si “të pa vërteta dhe pjellë e fantazisë së sëmurë”.
Sipas zëvendëspresidentit të federatës gjermane dhe të ngarkuar me çështjet e arbitrimit, Rainer Koch, ai nuk mund të ushtronte funksionet e tij, pasi kishte mësuar se shefi i komisionit të arbitrave, Volker Roth, kishte qenë i informuar nga vetë Kempter, “personalisht dhe në detaje” për akuzat, qysh më 17 dhjetor, pa i thënë gjë atij. “Vetëm më 3 shkurt e dëgjova për herë të parë këtë gjë. Kjo mungesë komunikimi është pa moralshme dhe e pafalshme për përgjegjësitë e mia”, - tha Koch në faqen zyrtare të Federatës Gjermane të Futbollit.

Juventusi, hetohet presidenti Blanc

Presidenti i Juventusit të Torinos, Zhan-Klod Blank dhe paraardhësi i tij, Xhovani Koboli Xhilji, janë bërë objekt hetimesh nga autoritetet doganore italiane për pagesa të paligjshme financiare. Lajmi është dhënë nga gazeta italiane “Stampa”. Autoritetet doganiere janë duke hetuar në lidhje me pagesat ilegale në favor të agjentëve të lojtarëve, një praktikë që po zbatohet shpesh në gjirin e futbollit. Më parë, tre ish-drejtues të klubit italian, Luçiano Moxhi, Antonio Xhiraudo dhe Roberto Betega, ky i fundit është rikthyer sërish te Juventusi, ishin akuzuar për parregullsi në transferimin e lojtarëve në vitin 2006. Kjo aferë, e lidhur edhe me shumë të tjera, kishte shpërthyer pas hetimeve të skandalit “Calciopoli", në lidhje me ndeshjet e trukuara në futbollin profesionist italian. Hetimi vjen në një moment të vështirë për Juventusin, që po kalon një periudhë krize me vetëm 3 fitore dhe 9 humbje në 14 ndeshjet e fundit. Juventusi është eliminuar nga Liga e Kampioneve dhe nga Kupa e Italisë dhe ndodhet në vendin e gjashtë në Serie A.

Raul drejt Nju Jorkut

Sulmuesi dhe kapiteni i Real Madrid, Raul, 32 vjeç, është shumë pranë firmosjes me Nju Jork Red Bulls për sezonin e ardhshëm. Lajmin e dha gazeta spanjolle “Marca”.

7 milionë euro
Klubi amerikan prej shumë kohësh është përpjekur të bindë sulmuesin e famshëm. Pagesa e ofruar për një vit për lojtarin emblemë të gjigantëve spanjollë është midis 6-7 milionë euro në vit. Kapiteni kishte deklaruar më parë se “do t’i pëlqente një vit në Shtetet e Bashkuara”.

Shënuesi më i mirë
Raul është shënuesi më i mirë i të gjithë kohërave te klubi madrilen dhe nuk e ka humbur instinktin e tij vrasës para portave kundërshtare. Për momentin ai është një “viktimë” e konkurrencës me sulmuesit e rinj si francezi Karim Benzema (22 vjeç) dhe argjentinasi Gonzalo Higuain (22 vjeç).

12 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›