E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liri Berisha dhe e motra, deklarata të ndryshme për baxhanakun e Berishës

Nga Tema

Gruaja e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ka dhënë dëshmi të rreme publike për rrethanat në të cilat është punësuar baxhanaku i kryeministrit, Sali Berisha, në Gërdec dhe për punën që ai bënte aty. Në një intervistë dhënë gazetës “Panorama”, në datën 15.04.2008, zonja Berisha thotë se ajo dhe i biri i saj nuk ia kishin treguar Sali Berishës faktin që ai kishte një baxhanak, që punonte në Gërdec dhe që ishte nga të vrarët mes viktimave.

Ja si e përshkruan ajo momentin kur është ndjerë keq që Berisha nuk dinte gjë për baxhanakun. “Problemi ishte se ai nuk pati rast ta takonte asnjëherë. Ata (motra me të shoqin), kishin vetëm tre muaj që kishin ardhur. Saliu lexonte emrin aty dhe unë thosha: “E zeza, si nuk ia kemi thënë!” Ato kohë kishim trevjetorin e vdekjes së mamasë dhe kishim menduar që ta linim për më vonë prezantimin familjar me njerëzit e familjes. Isha unë ajo që ia caktova si detyrë tim biri t’ia shpjegonte situatën” (“Panorama”, 15 prill 2008).

Shpjegimi i zonjës Berisha ka disa mangësi thelbësore. Mangësia e parë ka të bëjë me vetë imazhin e familjes Berisha dhe marrëdhëniet perfekte që ata kanë si çift. Çifti Berisha shquhet për raporte shumë të sinqerta me njëri-tjetrin dhe marrëdhënie shumë të mira. Në një raport të tillë familjar, që kurrsesi s’mund të besojmë se është hipokrit, nuk mund të ndodhë që zonja Berisha të mos i ketë folur asnjëherë burrit të saj për baxhanakun, i cili po punonte në një punë që e kishte rekomanduar djali i tyre. Por hijet e dyshimit rriten më poshtë, kur zonja Liri Berisha tregon se si ka mësuar që kunati i saj po punonte në Gërdec. “Kur një ditë shkojmë në varreza te prindërit, e pyes motrën, nëse i shoqi kishte filluar punë dhe ajo më tregoi se po punonte diku afër Marikajt. Kur e pyes se çfarë bën, ajo m’u përgjigj: “Mban ca arka municionesh”. Është i kënaqur me punën? - e pyeta. “Jo dhe aq, mban ca arka, por do të rrijë veç pak, sa të gjejë një punë tjetër më të mirë”. Në kohën që vdiq, kishte marrë vetëm dy rroga.” (“Panorama”, 15 prill 2008).

Kjo deklaratë e zonjës Liri Berisha bie ndesh me deklaratat e motrës së saj, Vjollca Hoxha. Zonja Hoxha, e cila duket se ka qenë në periferi të përfitimeve nga pushteti i kunatit të saj, e tregon ndryshe historinë. Në një intervistë në “Gazeta Shqiptare” më 15 qershor 2008 ajo thotë se burri i saj ishte kthyer në Shqipëri që në muajin nëntor, kurse ajo vetë që në fillim të vitit 2007, dhe jo siç thotë Liri Berisha, “ata (motra me të shoqin) kishin vetëm tre muaj që kishin ardhur”.

Vjollca Hoxha, motra e Liri Berishës, në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, rrëfen se ishte kthyer në Shqipëri në qershor të 2007 për të vizituar familjarët, dhe se në Shqipëri e mbante një operacion që duhej të kryente, pasi kishte këputur mineskun. Më pas kishte ftuar dhe Muhametin të kthehej në Shqipëri, derisa të përfundonte operacioni. (“Gazeta Shqiptare”, 15 qershor 2008).

Nga ana tjetër, të dy motrat nuk bien dakord për faktin se a kishin dijeni ato për punën që bënte i ndjeri Muhamet Hoxha. Vjollca tregon se nuk e dinte që bashkëshorti i saj punonte në një fabrikë demontimi të armëve: “Po si mendoni ju, që po ta kisha ditur, do lejoja që im shoq të punonte aty? Unë me të vërtetë s’jam e pasur, kam punuar si gjithë shqiptarët e tjerë nëpër Evropë, tri punë në ditë, nga kuzhiniere te pastruese, por nuk isha duke vdekur nga uria që të lejoja që im shoq të punonte aty, në mes të rrezikut”, - thotë gjatë intervistës së saj Vjollca Rama. (“Gazeta Shqiptare”, 15 qershor 2008).

Ndryshe nga kjo, zonja Liri Berisha në intervistën e saj thotë: “Kur e pyes (motrën) se çfarë bën (burri), ajo m’u përgjigj: “Mban ca arka municionesh”. (Gazeta “Panorama”, 15 prill 208).

Këto lajthitje të zonjës Berisha në intervistën e saj publike për Gërdecin dëshmojnë se ajo, ose nuk është e sinqertë me opinionin publik, ose nuk ka qenë e sinqertë me motrën e saj dhe bashkëshortin e saj, Sali Berisha. Motra e saj provon se ka qenë me burrin në Shqipëri prej vitit 2007 dhe se nuk e ka ditur se burri i saj punonte mbajtës arkash municionesh. Zonja Berisha thotë që ata kishin tre muaj që kishin ardhur dhe motra i kishte thënë se burri mbante arka me municione.

Nga ana tjetër, në këtë mes zonja Berisha përpiqet të zhdukë rolin e djalit të saj dhe e shfaq atë vetëm në rolin e lajmëtarit të babait, pasi i ndjeri Hoxha ishte varrosur. Kjo është një skenë shumë e pabesueshme. Kushdo që e njeh familjen Berisha dhe marrëdhëniet perfekte mes tyre, e ka të pabesueshme të konceptojë që Berisha të mos vihej në dijeni, së paku në kohë reale për vdekjen e baxhanakut të tij. Ai është një person shumë i lidhur me traditën dhe shkon për ngushëllime në rast vdekjesh dhe te baxhanakët e militantëve të PD, jo më tek i veti. Po ashtu, një detaj i fortë psikologjik është fakti që ai ngatërroi emrin e baxhanakut të tij, duke e lexuar në Kuvend, çka të bën të mendosh se ndërkohë ishte njoftuar për humbjen e tij dhe u përpoq ta nxirrte atë nga vëmendja e opinionit publik.

Deklaratat kontradiktore të zonjës Berisha mbi raportet me kunatin e saj dhe përpjekja për ta fshehur faktin që i biri i saj ishte njeriu që e punësoi atë në Gërdec, bën që ajo të ngatërrohet në deklarata me vetë motrën e saj, e cila po ndjen, jo vetëm peshën e humbjes së njeriut të saj të dashur, por dhe përgojimin e tij publik për shkak të punëdhënësit të tij.

Ndërkohë, i ndjeri Hoxha është varrosur një ditë pas vdekjes, dhe pjesëtarë të familjes Berisha kanë marrë pjesë në ngushëllim. Vajza dhe djali i Sali Berishës kanë marrë pjesë dhe në ceremoninë e varrimit. Sot, mbushet një vit nga humbja e të ndjerit dhe shpresojmë që ata, të cilët e përfshinë në atë biznes të vdekjes, të shkojnë t’i vënë një tufë lule mbi varr dhe t’i kërkojnë ndjesë së paku atij, në mos gjithë viktimave të tjera të Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›