Pse Milo e Majko duhet të heshtin për “kolaboracionistët”
Debati në lidhje me të pushkatuarit pa gjyq në Shqipëri ka degjeneruar në nivelet më të ulëta. Partizanë të dënimit të veprës së atyre njerëzve që u pushkatuan pa gjyq, qoftë para 30 nëntorit 1944, ose qoftë pas këtij viti, ka mbetur në dorë të disa pseudo-historianëve dhe pseudo-nacionalistëve, të cilët të paktën për sa i përket prejardhjes së tyre nuk kanë asgjë të përbashkët me nacionalizmin në këtë vend.
Ka ngritur kokë sërish dhe Nexhmije Hoxha, pas insistimit të ndonjë gazetari, i cili e dinte që më parë përgjigjen, por me atë mortje s’ia vlen të merresh, dihet që ajo flet në pozicionin e xhelatit. Shkonte deri aty, sa mundohej të hidhte poshtë dhe kontributin e Lef Nosit, njërit prej atdhetarëve dhe mendimtarëve më të shquar që ka nxjerrë kjo tokë.
Në rast se dikush merr përsipër të gjykojë të drejtën apo padrejtësitë e historisë që i janë bërë një vendi, atëherë ai duhet të jetë njohës i mirë i historisë të këtij vendi.
Në Shqipëri nuk ndodh kështu. Prej tri ditësh, dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, që i përkasin spektrit të majtë, kanë ndërmarrë një fushatë denigrimi ndaj të pushkatuarve pa gjyq nga regjimi komunist. Janë bërë shqetësuese, jo vetëm deklaratat e tyre, por edhe hapësira që i jepet në media për të shprehur mllefin që ata kanë ndaj njerëzve që kanë sakrifikuar për këtë vend dhe që ende sot e kësaj dite nuk po marrin atë që i takon. Bëhet fjalë për atë klasë nacionalistësh që u pushkatuan pa të drejtë përgjatë luftës civile që komunistët e quajtën Lufta Nacionalçlirimtare, por edhe për pushkatimet e të njëjtit lloj që vijuan pas përfundimit të saj. Në spektrin politik shqiptar po shfaqen si “engjëj” mbrojtës të nacionalizmës Paskal Milo dhe Pandeli Majko. Të dy me origjinë nga jugu i Shqipërisë, por që më shumë se e majta i bashkon dhimbja që ata ndjejnë për përmbysjen e komunizmit në Shqipëri.
Në vitin 2007, më rastisi të bëja pushimet në Dhërmi dhe ndalova në një hotel pranë Palasës, me sa më kujtohet quhej “Palasa”. Përbri hotelit që ndodhej në një nga vendet më panoramike të zonës ndodhej një vilë trekatëshe. Pas një bisede me pronarin e hotelit mësova që vila ishte e deputetit Paskal Milo, që na paska marrë tokat e paraardhësve të tij. Këtë vilë Milo e ka ndërtuar përgjatë kohës që ka qenë ministër i Jashtëm, dhe përdoret më së shumti nga i biri i tij që vjen për pushimet e verës nga Franca, por edhe nga vetë Milo. Njëkohësisht, duhet thënë se në shtetin e “pinjollëve të kolaboracionistëve që janë në krye të PD”, siç shprehet ai, në një intervistë të dhënë dje, vajza e tij mban detyrën e Sekretares së Përgjithshme në ambasadën tonë në Gjermani, gjë që Milo nuk e pranonte, kur mbante detyrën e ministrit të Jashtëm. Por nga një hulumtim i thjeshtë mbi një guidë antishqiptare e botuar nga Bashkia e Himarës apo më saktë nga kreu i saj, Vasil Bollano, na del që gjyshi i Paskal Milos, Spiro Milo, ka ngritur flamurin e pavarësisë së Himarës nga Shqipëria dhe ka firmosur pro bashkimit të saj me Greqinë. Jo vetëm kaq, por në prag të rënies së murit të komunizmit Milo ka botuar dy libra, njëri kundër politikës evropiane për komunizmin dhe tjetri kundër NATO-s. Për ta mbyllur, në vitet 2000, Milo boton një tjetër libër, ku përpiqet të deformojë të vërtetën rreth luftës së Kosovës dhe konferencës së Rambujesë. Kaq deformues ishte ky libër, sa solli dhe reagimin e ambasadorit të Kosovës në vendin tonë rreth të pavërtetave të tij. Nuk është e rastit që këtë libër me përmbajtje antishqiptare e përshëndeti deputeti i PS, Pandeli Majko.
Por, si Milo, si Majko, apo dhe ndonjë tjetër kanë një favor shumë të madh, sepse ata kanë ku shprehen. Për shkak të makinacioneve të tyre, pas ‘90 morën nga një mandat deputeti dhe i kanë dyert e hapura në media apo dhe në parlament për të shprehur dufin dhe mllefin e tyre ndaj kësaj shtrese shoqërore dhe fisnike, e cila pret me durim t’i vihet në vend dinjiteti i saj, kanë pothuaj 20 vjet që presin. Ata nuk po i kërkojnë gjë askujt, ama këta soj deputetësh nuk e kanë moralin që t’i përgojojnë. Kjo shtresë nuk i ka kërkuar asnjëherë Milos të dalë dhe të kërkojë falje për rolin antishqiptar që kanë luajtur paraardhësit e tij, as Majkos nuk i kërkojnë të dalë dhe të kërkojë falje se babai i tij ka qenë i përkëdheluri regjimit, dhe se na paska qenë një ndër ata 200 petritë që na sollën atë gjëmë që e jetuam të gjithë. Tek e fundit, s’ka pse ia di kush për nder, sepse nga një pushtim na sollën një tjetër. Këtyre s’u ka kërkuar askush asgjë, por ama e kemi të gjithë të drejtën që t’i kërkojmë së paku të heshtin. Ata që u pushkatuan, ishin elita e këtij kombi dhe xhelatët që shkrehën armët mbi ta në emër të komunizmit ishin tamam komunistë.
Në mbyllje, do desha t’i rikujtoj dhe njëherë dy deputetëve në fjalë, se janë përfaqësues në parlamentin shqiptar dhe fjala e tyre rëndon shumë. Deklarata të tilla janë jo vetëm antishqiptare, por edhe antinjerëzore. Pasardhësit e “kolaboracionistëve” nuk janë ngjitur në asnjë nivel të asnjë partie, aq më pak të PD, shoku Milo. Ata për 50 vjet kanë qenë të detyruar të dëgjojnë broçkullat e tua se si deformoje historinë. Duhet të të duronin se si flisje kundër etërve të tyre, ndërkohë që njerëz të kallëpit tënd i kishin privuar të rriteshin pa baba, jetimë rrugëve. Ti, shoku Milo, s’besoj se e ke provuar këtë ndjesi. Njerëz të kallëpit tënd i burgosnin, i internonin, iu mohonin shkollën, ndërsa sot ti merr përsipër t’iu bësh dhe gjyqin dhe të na flasësh me gjuhën e Koçi Xoxes apo Kadri Hazbiut, xhelatë të atij sistemi. Kjo shtresë, pra, pasardhësit e atyre që ju i quani “kolaboracionistë”, ende sot dhe kësaj dite s’ka zgjidhur as nevojat më elementare të jetës dhe bijtë e tyre enden rrugëve për një bursë studimi, ndërsa yt bir vazhdon shkollën në Francë dhe bën pushimet në vilën tënde në Palasë. E pra, si ti, si Majko apo dhe të tjerë, nuk i meritoni këto privilegje.