E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët e Gërdecit

Nga Bledar Lumani

Samueli, fëmija më i vogël i familjes Aliu, feston sot ditëlindjen. Ai mbush 3 vjeç. Në banesën e tij, e cila sapo ka përfunduar së ndërtuari, pasi u shkatërrua gjatë shpërthimit të 15 marsit, ndjehet atmosfera e gëzimit. Gëzim që shihet dhe në sytë e Samuelit, që kënaqet duke luajtur në oborrin e shtëpisë me biçikletë.

Rastësisht, dita e festës së tij përkon me ditën më të hidhur për banorët e Gërdecit, të cilët një vit më parë u përballën me ngjarjen më të rëndë të jetës së tyre.

Në fakt, 15 marsi i vitit të kaluar, që është dita e fillimit të jetës së Samuelit, mund të ishte dita e fundit e jetës së tij. Gjatë shpërthimit tragjik, ai ndodhej si sot, duke luajtur në oborrin e shtëpisë së vet. Babai i tij, Selimi, thotë se atë ditë kishte ftuar gjithë të afërmit e tij, me rastin e ditëlindjes së djalit të vogël, që mbushte dy vjeç. Gëzim që është kthyer në dhimbje për të, pasi si pasojë e shpërthimit muri i shtëpisë e ka zënë nën vete së bashku me të atin.

Fatmirësisht, ata kanë mundur që t’i shpëtojnë fatkeqësisë, duke pësuar vetëm fraktura. Megjithatë, skenat që ka parë gjatë asaj dite Selimi thotë se nuk do t’i harrojë gjatë gjithë jetës së tij.

“Nuk mund t’i harroj tre-katër fëmijë të vegjël, të cilët qenë duke luajtur pranë banesës sime. Pas shpërthimit, ata kanë ardhur duke klithur, pasi i kishin zënë copa predhe dhe më thoshin që t’u hidhja ujë, se po u merrte flakë trupi”.

Jeta e Selimit tashmë vazhdon normalisht, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për familjarët që humbën të afërmit e tyre në shpërthimin e 15 marsit.

Dje, me lot në sy, ata kanë marshuar drejt kraterit të tmerrshëm, që iu mori jetën 26 personave. Edhe pse zona e kraterit cilësohet ende zonë e rrezikshme, disa prej tyre janë lejuar të vendosin lule dhe qirinj në vendin e tragjedisë.

Pranë zonës ku ishte ngritur depoja e demontimit të predhave, ndodhen rrënojat e një banese. Është banesa, të paktën ajo pak që ka mbetur prej saj, në të cilën jetonin pjesëtarët e familjes Deliu, pesë prej të cilëve tashmë nuk jetojnë më, pasi humbën jetën gjatë shpërthimit. Ajo ndodhet e veçuar nga banesat e tjera, të cilat edhe pse u shkatërruan më 15 mars, shumica prej tyre tashmë janë rindërtuar.

Në atë banesë, një vit më parë kishte jetë dhe në oborrin e saj luante Flavio, i cili ishte vetëm tre vjeç. Po aq sa mbush edhe Samueli sot, fati i të cilit ishte se nuk jetonte pranë zonës së kraterit të shpërthimit. Ditëlindja e tij sot, kur edhe ndodhi tragjedia e rëndë, ndoshta është një shenjë e rifillimit të jetës për banorët e Gërdecit, të cilët pavarësisht dhimbjes për humbjen e të afërmve të tyre, duket se kanë vendosur ta lënë pas atë dhe të vazhdojnë jetën e tyre.

Jetë, që sipas tyre vazhdon të jetë e vështirë, pasi pasojat e shpërthimit vazhdojnë të ndihen ende, ku uji u vjen vetëm një herë në dy ditë, pasi puset janë të helmuara, ndërsa energjia elektrike u ikën dhe vjen pa orar.

Por kjo është e keqja më e vogël. Në rrugën e jetës ata janë të vetëm. Qeveria u ka premtuar se do u japë dëmshpërblim... tani pas një viti.

Por, si në çdo premtim të kësaj periudhe, askush nuk thotë shifrën sa është akorduar dhe sa do marrin banorët.

Për banorët kjo nuk ka shumë rëndësi. Jetën do e rindërtojnë vetë. Ata kanë vetëm një lutje për qeverinë. Të mos ua marrë atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›