Pyetje publike kryeministrit Berisha për pronat e bregdetit
Zotërinj të nderuar. Këto ditë mediet kanë qenë të mbushura me shkrime dhe emisione për pronat, por po kështu ka ndodhur edhe para fushatave të mëparshme elektorale. Në emër të pronarëve autoktonë të bregdetit turistik Vlorë-Sarandë, që akoma nuk ka marrë sa tokat e as ullinjtë e trashëguar nga të parët, reagojmë për sa vijon: I pari që historikisht dolët në skenën politike me premtimin për liri-demokraci dhe kthimin e pronave te pronarët ishit ju, z. Sali Berisha, në 1991. Me votat e pronarëve (që menduan se do iu ktheheshin pronat e grabitura), dhe të të përndjekurve, ju fituat mazhorancën dhe u bëtë president. Pas kësaj ju dhe jo vetëm shkelët premtimin, por deri sot i keni luftuar pronarët e veçanërisht ata të Bregdetit. Pas jush në skenë dolën z. Sabri Godo dhe z. Fatmir Mediu, si kryetarë të Partisë Republikane, i fundit, më i riu dhe i padëgjuar për pronat ka dalë z. Aleksandër Garuli që pati guximin të japë intervista dhe të thotë broçkulla për shoqatat e pronarëve duke aluduar sikur Partisë Republikane pronarët i paskan dhënë prokurën apo të drejtën për të na përfaqësuar.
Ne, pronarët e bregdetit, e kemi kritikuar shumë herë në shtyp Partinë Republikanë dhe deputetin Arian Madhi, por këto nuk i paskan vlejtur z. Garuli. Ne aprovojmë mendimet e shprehura në shtyp me datë 13.03.09 të z. Ahmet Sulstarova i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, që iu përgjigj publikisht deputetit Aleksandër Garuli, kritikë që vlen për gjithë politikën pseudo-demokratike që po e fundos Shqipërinë në kaos dhe korrupsion të paparë.
Lidhur me pronat, po analizojmë shkurtimisht mazhorancën. Me këtë nuk duam të mbrojmë aspak të majtët (pjesën hajdute të saj). Pretendimet tona për grabitje të pronave ju lutemi të na i pohoni ose të na i kundërshtoni në shtyp ju, zoti kryeministër. Nëse ju do ta neglizhoni këtë, ne do ta kërkojmë përsëri nga ju, nga Transparency International, nga USAID dhe gjithë ndërkombëtarët, si dhe nga ai që do vijë pas jush deri në zgjidhjen e plotë sipas 12 kërkesave që kemi paraqitur bashkë me shoqatën “Pronësi me Drejtësi” ose sipas kërkesave që ju kemi paraqitur nga Kuvendi Mbarëbregdetar. Zgjidhja e problemit të pronës në zonën turistike për një qeveri është e thjeshtë, nëse në regjistrat e ZRPP do të shtohet edhe një kolonë, ku shteti të pasqyrojë origjinën e pronës para vitit 1945, një kolonë tjetër të periudhës së diktaturës, ku të shënohet “pronë shtetërore” dhe në kolonën e regjistrimit të ri të pas vitit 1991 mënyrën dhe ligjin e zbatuar për përfitimin dhe transkriptimin e pronës te pronari aktual. Kështu gjërat nuk fillojnë nga e para, por korrigjohen paudhësitë e kurdisura nga hajdutët e infiltruar në politikë dhe në pushtet në këto 18 vjet. Ky plotësim juridik i kryer në regjistrimet në ZRPP për qarkun e Vlorës do të nxjerrë në dritë pronarët e ligjshëm që ju gabimisht apo qëllimisht jeni mësuar t’i quani ish-pronarë dhe pseudo-pronarët, që ju, politikanët, i quani “pronarë të rinj”. Analiza e fakteve do tregojë se prej të dy krahëve është organizuar një vjedhje masive dhe prandaj të dy palët e ruani me fanatizëm njëri-tjetrin. Deri tani kjo politikë ka ecur duke e mashtruar popullin dhe institucionet ndërkombëtare. Shpesh të huajt janë shfrytëzuar ose implikuar rëndë në këtë zullum që ka arritur në pika kritike, siç është rasti i ekonomistit peruan, Hernando de Sota, për legalizimet, skandali i Bankës Botërore, ai i ClubMed të Francës dhe Kakomesë etj
Ju, z. Berisha, u prononcuat përsëri në media për pronat, dhe në vijim të deklarimit të Partisë Republikane ju ftojmë të shpreheni në shtyp në radhë të parë ju, si kryeministër, por dhe çdo forcë politike që kërkon votat e popullit të Bregdetit, për sa vijon:
Sipas mentalitetit komunist, kapitalizmi ishte armiku i popullit dhe “prona private ishte ajo që lindte çdo ditë kapitalizmin, dhe si e tillë prona private u shpall armik. Me këtë slogan prej vitit 1945 deri në 1976 të gjithë pronat private në 100% në qytet dhe në fshat u shtetëzuan. Me Kushtetutën e vitit 1976 e gjithë toka u shpall pronë e shtetit, por kjo Kushtetutë u abrogua nga parlamenti në 1991. Bashkë me Kushtetutën e 1976 u shpallën pa vlerë dhe “tapitë“ e ndara sipas reformës agrare dhe sipas motivit “or ti dukagjinas zbrit nga mali, merre tokën që ta fali…” etj., etj. Pyetja e parë dhe më themelore: Në bindjen tuaj, zoti kryeministër, pronat e të shpronësuarve në zonën turistike pas vitit 1991 a i përkasin shtetit dhe pushtetit apo janë pronat private që komunizmi i kishte grabitur prej pronarëve? A i shkeli detyrimet kushtetuese shteti pluralist pas vitit 1991, kur filloi ta ndante tokën pa marrë parasysh kufijtë e para-kolektivizimit? A kishte ai shtet detyrim kushtetues ta kthente pronën tek i zoti? Pra, pronat e ish-kooperativave bujqësore të ndara me Ligjin 7501, ju, zoti Berisha, i konsideroni prona të kthyera sipas të drejtës së pronës apo bamirësi të politikanëve që iu ndanë lëmoshë familjeve të varfra sipas frymëve? Pyetja e dytë: A i disponon shteti të gjitha mundësitë dhe mekanizmat (institute topografie, dokumente të shtetëzimeve dhe të sekuestrimeve, dokumente të kadastrave dhe të Arkivit të Shtetit etj.), në mënyrë që qeveria të marrë përsipër të diferencojë se cilat janë pronat e shtetëzuara dhe cilat janë pronat me pronar juridik shtetin edhe para vendosjes së diktaturës? A jeni në gjendje ju, z. kryeministër, që për zonën Vlorë-Sarandë, t’i bëni publike para zgjedhjeve të qershorit 2009? Pyetja e tretë: Sa është numri i letrave dhe ankesave nga subjekte të shpronësuara, nga grupe pronarësh, nga grupe akademikësh dhe intelektualësh, nga shoqata “Pronësi me Drejtësi” dhe shoqata A. K. “Bregdeti” dhe sa është numri i artikujve të botuar në gazetat e ndryshme, kritikat dhe arsyetimet - për mosrespektim të së drejtës së pronës private dhe shkelje të detyrimeve kushtetuese - që i janë drejtuar Sali Berishës, kur ishte President i Republikës dhe sa tani si kryeministër? Sa është numri i ankesave drejtuar antikorrupsionit dhe sa është numri i rasteve të zgjidhura? Pyetja e katërt: Kush mban përgjegjësi se pse nuk janë zbatuar rekomandimet e Departamentit amerikan të ShBA, të KE dhe BE për kthimin e pronave dhe pse pronarët mbahen peng dhe komisionet nuk marrin vendime as për pronat që janë të lira? Pyetja e pestë: A jeni i bindur se qeveria ka përdorur në mënyrë abuzive fondin prej disa milionë dollarësh të vënë në dispozicion nga donatorët, USAID, etj., për sistemin e ri të regjistrimit të pasurive të paluajtëshme? Pyetja e gjashtë: A jeni i bindur se i ashtuquajturi regjistrim primar me vendime komisionesh (që janë më të këqija se ato të reformës agrare të kohës së diktaturës), mohimi i kadastrës së vitit 1945, nxitja e lëvizjes së lirë, nxitja e pushtimit të trojeve dhe e ndërtimeve pa leje ka krijuar anarkinë e pronës dhe minimumi ka futur konfliktin midis pronarëve të ligjshëm dhe pronarëve falsë, pra disa shqiptarë duhet të luftojnë kundër shqiptarëve të tjerë? Cili është, sipas jush, përgjegjësi historik i kësaj katrahure? Pyetja e shtatë: Ne, bregdetasit autoktonë, a kemi të drejtë, sipas Kushtetutës, që kërkojmë pronat që na ka grabitur diktatura dhe politikanët e post-diktaturës? Pyetja e tetë: Çfarë vlerësimi i jepni ju një kryeministri X, që pa bërë dallimin se cilat janë prona të shtetit dhe cilat janë prona që shteti i ka grabitur dhe duhet t’ua kthejë pronarëve, por që për 18 vjet akoma nuk i ka kthyer, që nuk përfill me mijëra kërkesa nga brenda dhe jashtë vendit dhe tani para zgjedhjeve insiston të bëjë legalizime, t’ua shesë tokën ndërmarrjeve private ose të kompensojë qytetarë të tjerë në pronat tona turistike që ne akoma nuk na janë kthyer? A mund të na informoni sa e ka vlerën e kompensimit në Evropë dhe në Gjykatën e Strasburgut 1 rrënjë ulliri, si dhe sa rrënjë ulliri janë shkulur e po shkulen nga politikanët për të hapur sheshe ndërtimi në ullishtat tona? Pyetja e nëntë: Cilët pronarë bregdetas kanë kërkuar nga mazhoranca një ligj apo vendim që të lejojë institucionet shtetërore të bëjnë shitjen e trojeve në favor të atyre shkelësve të ligjit që kanë ndërtuar pa leje në tokat tona dhe këto lekë qeveria t’ia japë pronarit të tokës?
Ju, zoti kryeministër, keni folur shumë për kompensimin e pronarëve. Shoqata jonë nuk ka kërkuar kompensim, por ka kërkuar dhe insiston për kthim fizik në kufijtë e paragrabitjes komuniste, ashtu siç është bërë në shumicën e territorit shqiptar pa folur për Çekinë dhe vendet e tjera ish-komuniste që shpëtuan ose u prekën lehtë nga mafia postkomuniste. Në shumë rrethe të veriut dhe ato verilindore prona ka vajtur 100% te pronarët e ligjshëm, sipas kufijve të para-kolektivizimit duke respektuar një parim moral dhe zakonor të lashtë, si dhe detyrim kushtetues, kurse në zonën turistike ju, zoti Berisha, nuk pranoni ta abrogoni Ligjin 7501 që de fakto është zbatuar në më pak se 25% të Shqipërisë. Pse në Bregdet është zbatuar një standard i dyfishtë dhe pronat shpesh janë ndarë sipas dëshirave dhe interesave të klaneve të politikës? Korrupsioni dhe udhëzimet e dhëna janë forca drejtuese në komisionet e kthimit të pronave, ZRPP dhe administratën shtetërore në qarkun e Vlorës që ashiqare ia bën me sy antikorrupsionit që ju reklamoni. Ne, zoti kryeministër, ju kemi kërkuar të urdhëroni prishjen e ndërtimeve pa leje që persona të tretë kanë bërë në troje turistike, ku ata nuk kanë asnjë të drejtë pronësie. Në fakt, Policia Ndërtimore ka ruajtur pushtuesit dhe ka prishur ndërtimet e kryera nga pronarët autoktonë të truallit, qoftë me leje dhe ndonjëherë edhe pa leje. Për sa kohë nuk bëhet reforma që pronat në zonën turistike të kthehen sipas kadastrës së para-kolektivizimit komunist, papastërtia është në mes të përfaqësuesve të politikanëve dhe ndërkombëtarëve që e shikojnë situatën dhe nuk kryejnë veprime efektive. Për ne ka rëndësi të kthehet fizikisht prona tek i zoti dhe jo zhurma mediatike se kërkesa për prishjet në Jalë u paraqit nga Banka Botërore apo dhëndëri i kryeministrit. Pyetja e dhjetë: Pse nuk urdhëroni zbatimin e ligjit që Policia Ndërtimore të prishë ndërtimet e personave të tretë në tokat e pronarëve dhe pastaj toka t’i kthehet të zotit?
Zgjidhja e problemit të pronës, nëse do të ketë vullnet politik, është e lehtë. Merrni në konsideratë Rezolutën e “Kuvendit të 8 Mbarëbregdetar për Pronën” i mbajtur më 10 gusht 2008 që ua kemi dërguar. Po ashtu, të zbatohen 12 kërkesat që ka paraqitur shoqata “Pronësi me Drejtësi” që edhe ne si Bregdet i mbështesim. Ne kemi të përgatitur një projektligji për zgjidhjen përfundimtare, të drejtë dhe të qëndrueshme dhe pa kosto të pronës në zonën turistike. Ky projektligj është në përputhje me të gjitha kërkesat e KE dhe të Kushtetutës, por deri tani vullneti politik ka qenë inferior ndaj korrupsionit dhe mafies së trojeve turistike. Për ne që nuk duam ta kthejmë Bregdetin në “Palestinë“, kthimi në origjinë i pronës së trashëguar është çështje e së drejtës dhe jo dëshirë e politikanit X apo Y. Pa pronat e etërve tanë ne nuk jemi më Bregdetas, pasi kjo pronë për secilin materializon dhe përfaqëson atdheun që askush nuk do të mund të na e mohojë, qoftë edhe në këmbim të parave apo premtimeve të tjera për kompensim. Sot, shoqata iu kërkon të gjithë pronarëve bregdetas, kudo ku ata jetojnë në Shqipëri, që këtë radhë të bashkojmë votat, por është akoma herët të deklarojmë se cilën forcë politike do mbështesim me votat tona apo do shënojmë unanimisht fjalët “më parë ktheni pronat tek i zoti”. Ne do të bashkërendojmë punën tonë me shoqatën “Pronësi me Drejtësi”, pasi hallet i kemi të njëjta, dhe votat tona do t’i kushtëzojmë, sepse kanë kaluar 18 vjet dhe nuk duam të mashtrohemi më me “limonada politike”, por duam veprime konkrete. Ne ju kemi shkruar shumë artikuj, ku ju kritikojmë se ju, zoti Berisha, po ecni në drejtimin e kundërt, por ju keni heshtur. Tani po na kërkoni përsëri votat. Ndërkohë, nëse mazhoranca në këtë periudhë të shkurtër, por të mjaftueshme kohe, por përpara qershorit 2009, do të kryejë si duhet detyrat kushtetuese dhe ato të shtetit ligjor, siç janë përfundimi i procesit të kthimit në kufijtë e para 1945; çlirimi i trojeve tona nga uzurpuesit, do të spastrojë bregdetin nga ndërtimet pa leje të personave të tretë, që kanë uzurpuar tokat që kanë zot e shoqëruar dhe me largimin e inerteve, vetëm kjo do i japë të drejtë morale PD dhe PR t’iu drejtohen pronarëve, pasi kështu do fillojë të zvogëlohet dëmtimi i madh që i ka shkaktuar anarkia e pronës popullit të bregdetit.