E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi kërkon mbështetjen e Francës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kërkuar nga drejtues të Komisionit për Çështje Evropiane të Asamblesë Nacionale të Francës vazhdimin e mbështetjes së Parisit zyrtar në procesin e integrimit evropian të Kosovës, në kohën kur në fund të këtij viti pritet të fillojë dialogu për heqjen e vizave.

Ai ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të dhënë nga ana e shtetit francez për Kosovën në të gjitha proceset e deritanishme.

Krasniqi në këtë takim ka folur për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave që do të nisë në dhjetor, progresin që ka bërë vendi ynë në këtë drejtim, si marrëveshjet me një sërë shtetesh, riatdhesimi, pasaportat biometrike, për nxjerrjen e legjislacionit në përputhje me të drejtën evropiane etj.

Nga ana e tij, kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Pjer Lekijeu, duke ri-konfirmuar mbështetjen franceze për Kosovën, ndër të tjera, foli për adoptimin e legjislacionit të Kosovës me standardet evropiane, gjë që, sipas tij, është një punë e gjatë dhe e vështirë, dhe i uroi Kosovës që të arrijë përparim në këtë rrugë.

Duke folur rreth zhvillimeve në veri, ku serbët e rebeluar vazhdojnë të mbajnë barrikadat, Lekijer kërkoi më tepër dialog me popullsinë në veri dhe një bashkëveprim me KFOR-in dhe EULEX-in, sepse, sipas tij, “nga çdo situatë duhet të na nxjerrë dialogu”.

Ai po ashtu shfaqi besimin se deri në fund të këtij viti do të hapet dialogu për liberalizimin e vizave dhe konfirmoi mbështetjen në këtë proces.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›