E Diel, 1 Nëntor 2026

Z6, shenja nacionale e mjeteve ajrore të Kosovës

Republika e Kosovës tash e tutje do ta ketë shenjën e vet të aviacionit civil, Z6. Një vendim të tillë Qeveria e Kosovës e mori në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, në të cilën po ashtu janë ndarë mjete edhe për rivarrosjen dhe ngritjen e lapidarit të atdhetarit të shquar, Hysen Tërpeza.

Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota ka thënë se shenja Z6 për aviacionin civil të Kosovës është e caktuar në bazë të Ligjit për aviacionin civil të Kosovës.

“Sipas Ligjit për aviacionin civil, Autoriteti i Aviacionit Civil e cakton shenjën Z6 të jetë shenja nacionale e aeroplanëve në Republikën e Kosovës. Shenja Z është vendosur pasi që edhe vendet tjera e kanë këtë shenjë, sikur Shqipëria, Maqedonia etj. Po ashtu propozon numrin 6 si simbolikë e gjashtë rajoneve të Kosovës. Pas miratimit të kësaj shenje, autoriteti i aviacionit civil duhet t’i informojë autoritetet e botës në mënyrë që të përfshihet edhe kjo shenjë në aviacionin civil”, ka thënë Mujota.

Ndërkohë, kabineti qeveritar është pajtuar që të ndahet një shumë prej 40 mijë eurosh për rivarrosjen dhe ngritjen e lapidarit të atdhetarit Hysen Tërpeza dhe po ashtu të formohet një komision, pjesë e të cilit do të jetë edhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.

Ky i fundit ka propozuar që të ndahet mjetet buxhetore, duke thënë se kjo çështje ka qenë edhe në mandatin e kaluar, mirëpo në pyetje ka qenë ndarje e mjeteve buxhetore, kurse këtë mandat ka thënë se do të ndihmojë edhe përmes fondeve të ndryshme për ngritjen e lapidarit të atdhetarit Tërpeza.

“Në mandatin e kaluar ka qenë në pyetje ndarja e mjeteve për ndërtimin, gjegjësisht rivarrosen dhe ndërtimin e lapidarit për familjen Tërpeza në Viti. Ky problem është bartur tek unë, prandaj kërkoj miratimin e ndarjes së 40 mijë eurove për këtë qëllim dhe besoj se nuk do të jeni kundër kësaj. Familja Tërpeza e meriton këtë. Nuk është shuma që nevojitet, është një shumë më e madhe, por unë do të tentoj që përmes fondacioneve të ndryshme të mbledh për rivarrosjen dhe ndërtimin e lapidarit”, ka thënë Pacolli.

Qeveria ka miratuar edhe propozim-vendimin për ndalimin e eksploatimit të inerteve nga lumenjtë e Kosovës, me ç’rast ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi ka thënë se ky vendim paracakton ndalimin e përkohshëm prej 1 deri 3 vjet për operatorët që eksploatojnë lumenjtë.

Ai ka thënë se ata kanë afat deri më 3 janar që t’i largojnë makineritë, ndërsa pas kësaj date, do të ketë dënime për ata që vazhdojnë të eksploatojnë nëpër lumenjtë e Kosovës.

Po ashtu, kabineti qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për bujqësi organike, propozim-vendimin përfundimtar për ndryshimin dhe shpronësimin shtesë të pronave në zonën kadastrale Mazgit dhe Llazarevë në kuadër të rrugës N2 dhe të rreth-rrotullimi i cili ndërlidh rrugën N2 dhe N9 dhe rekomandimin e Kryeministrisë për emërimin e Edona Hajrullahut në postin e kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë për Barazi Gjinore. /kp/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›