E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçi: BE dhe SHBA ta rrisin presionin ndaj Serbisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë të mërkurën se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta rrisin presionin ndaj Serbisë sa i përket dialogut dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Ai i bëri këto komente të mërkurën në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, me ç’rast ka thënë se Kosova i ka kryer të gjitha obligimet e veta në procesin e dialogut.

“Republika e Kosovës i ka kryer të gjitha obligimet e veta që i ka marrë në procesin e dialogut. Në këtë drejtim kemi filluar dhe kemi marrë gatishmëri për implementim pikë për pikë të gjithë asaj që kemi dhënë edhe garancia dhe tani mendoj që mbetet në duart e BE-së dhe SHBA-ve që të shohin mënyrën se si i zbaton Serbia marrëveshjet ku garantë janë ata”, ka thënë Kuçi.

Ai ka theksuar se dialogu është rruga më e mirë edhe në situata të pazgjidhshme, por i mbetet BE-së dhe SHBA-së që Serbisë t’ia matë zbatimin e marrëveshjeve me rrugëtimin e tyre drejt BE-së.

“Edhe në situata të pazgjidhshme ne mendojmë prapë që dialogu është rruga më e mirë. Por kësaj radhe mendoj që topi është në duart e BE-së dhe SHBA-ve që ta rrisin presionin mbi Serbinë dhe eventualisht zbatimi apo moszbatimi i marrëveshjeve të matet me rrugëtimin e tyre në BE dhe integrimet tjera”, është shprehur Kuçi.

Ai ka shtuar se Republika e Kosovës asnjëherë nuk do të jetë e njëanshme në kuptimin e marrjes së vendimeve pa konsultim me faktorin ndërkombëtar, por njëkohësisht nuk do të jetë një faktor, i cili do të jetë pengesë për zhvillimin e dialogut.

Dialogu Kosovë-Serbi për çështje teknike është ndërprerë me fajin e palës serbe, e cila ka kërkuar që në kuadër të këtij dialogu të diskutohet lidhur me pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, gjë e cila është hedhur poshtë kategorikisht nga Kosova. /kp/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›