E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liri për Xiaobo’n

Organizata dhe institucione të ndryshme kulturore si dhe personalitete të fushës së artit dhe letërsisë i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës për leximin mbarëbotëror të prozës dhe poezive të shkrimtarit kinez Liu Xiaobo, laureat i çmimit Nobel për paqe. Kësaj kërkese i janë bashkëngjitur edhe Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor dhe kafe libraria Dit’ e Nat’.

Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë në Berlin u ka bërë thirrje institucioneve kulturore, shkollave, radio stacioneve dhe të interesuarve të tjerë që të marrin pjesë në leximin mbarëbotëror të prozës dhe poezive të shkrimtarit kinez Liu Xiaobo, i cili në vitin 2010 u laureua me çmimin Nobel për paqe.

Leximi do të bëhet sot (e marte), për të shënuar trevjetorin e arrestimit të tij.

Këtij apeli të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë i janë përgjigjur edhe Qendra për Art Bashkëkohor – Stacion dhe libraria Dit’ e Nat’.

Krahas vendeve të tjera të botës edhe në Prishtinë do të organizohet sonte (e martë), në librarinë Dit’ e Nat’, në orën 20:30, leximi i poezive dhe prozës së shkrimtarit kinez.

Albert Heta, udhëheqës i Qendrës për Art Bashkëkohor – Stacion, thekson se ngjarja është pjesë e projektit 'Arti Bashkëkohor dhe Shoqnia e Re', që realizohet në bashkëpunim me kafe librarinë Dit' e Nat'.

“Nisma është marrë nga ‘The International Literature Festival Berlin (ILB) dhe si thirrje ka qenë e drejtuar institucioneve kulturore, shkollave, radio stacioneve dhe të gjithë të interesuarve për të marrë pjesë në leximin mbarëbotëror të poezive dhe prozave të autorit kinez dhe fituesit të çmimit Nobel për paqe të vitit 2010, Liu Xiaobo”, u shpreh Heta.

Ai shtoi se qëllimi i leximit mbarëbotëror është për t’i përhapë veprat e Liu Xiaobos me spektrin më të gjerë të lexuesve, ta përkujtojë botën që një humanist, luftëtar i lirisë, një shkrimtar i shkëlqyer dhe fitues i çmimit Nobel për Paqe ende gjendet në burgun kinez dhe në këtë mënyrë të shprehë protestë kundër kësaj.

Heta tregoi se, midis tjerash, gjatë ngjarjes do të lexohet ‘Charter 08’ dhe punët e Liu Xiaobo në poezi.

Rreth 100 institucione, duke përfshirë radio stacione dhe kanale televizive, janë pjesë e këtij leximi mbarëbotëror nga të gjitha kontinentet.

Këtë kërkesë deri më tani e kanë nënshkruar Hector Abad (Kolumbi), Kwame Anthony Appiah (ShBA), Amir Hassan Cheheltan (Iran), Noam Chomsky (ShBA), Bei Dao (Kinë), Ariel Dorfman (Kili), Péter Esterházy (Hungari), Aminatta Forna (MeB, Sierra Leone), Juan Goytisolo (Spanjë/Maroko), Herta Muller (Rumani/Gjermani), Amos Oz (Izrael), Laura Restrepo (Kolumbi), Henrietta Rose-Innes (Afrikë e Jugut), Salman Rushdie (Indi/ ShBA), Tomaz Salamun (Slloveni), Peter Schneider (Gjermani), Sjón (Islandë), Janne Teller (Danimarkë), Dubravka Ugresic (Kroaci/Holandë), Anne Waldman (ShBA) dhe shumë shkrimtarë nga të gjitha kontinentet.

“Tekstet që do të lexohen në këtë lexim mbarë-botëror janë të gatshme në gjuhën kineze, japoneze, koreane, angleze, franceze, gjermane, italiane, spanjolle. Ne i kemi përkthyer një pjesë të këtyre teksteve dhe ato do të lexohen edhe në gjuhën shqipe”, tha Heta.

Tekstet do të lexohen nga Rozafa Basha, Valon Murati, Genc Salihu, Fahredin Shehu dhe Dafina Zherka.

Para tri viteve Liu Xiaobo u mor nga shtëpia e tij në Beijing dhe u arrestua. Ai priti më shumë se 12 muaj për të marrë dënimin formal – 11 vite burgim për ‘nxitjen e përmbysjes së pushtetit’. Pas lajmërimit për marrjen e çmimit Nobel për paqe, autoritetet kineze e vunë bashkëshorten e tij, Liu Xia, poete dhe fotografe, nën arrest shtëpiak të ashpër. Ajo është zhdukur nga sfera publike dhe private më 18 dhjetor të vitit 2010 dhe që nga ajo ditë e deri më sot askush nuk mund ta takojë atë, as përmes telefonit apo internetit.

Liu Xiaobo ishte arrestuar edhe tri herë të tjera para arrestimit të tij të fundit. Derisa po i shërbente tri vjetët e ‘Riedukimit nëpërmjet punës’ ndërmjet viteve 1996 dhe 1999, ai shkroi një numër të madh të poezive në burg, të gjitha të dedikuara gruas së tij Liu Xia.

Si i ri, Liu ka lexuar jashtë mase libra mbi filozofinë dhe letërsinë perëndimore dhe kineze, dhe kjo përvojë fuqimisht është reflektuar në shkrimet e tij lirike. Nga Confucius te Kanti, nga Sima Qian te Van Gogh apo Jezusi, për të riun Liu Xiaobo, dija nuk kishte kufij.

Si një shkrimtar produktiv, shkrimet e tij kanë ndikuar në gjeneratat e të rinjve kinez që

nga 1980-at. Kur librat dhe artikujt e tij janë ndaluar dhe censuruar në shtetin kinez, ai filloi t’i dërgojë shkrimet e tij përmes internetit ueb faqeve kineze jashtë shtetit. Librat e tij janë botuar në Hong Kong, Taiwan, dhe në ShBA. Stili bombastik dhe lirik i Liut, i dukshëm për kritikë të ashpër dhe ironi depërtuese, është ‘qetësuar’ në vitet e fundit dhe është shndërruar në prozë më të thellë dhe objektive. Ai ndërroi rolin e tij nga aktivist rebel në një vëzhgues dhe analist.

Duke e imituar ‘Kartën 77’ të Çekosllovakisë, Liu Xiaobo dhe kolegët e tij kinez kanë zgjedhur rrugën racionale dhe paqësore që t’i shprehin shqetësimet e tyre për zhvillimin e Kinës në të ardhmen nëpërmjet manifestit të tyre, ‘Charter 08’.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›