Liria dhe debati për të drejtën e orientimit seksual
Gëzim Tushi
Këto ditë është rihapur me tone të nxehta çështja e kuptimit dhe pranimit të të drejtës së njerëzve për të pasur orientimin e tyre seksual. Që në kohën e tanishme jo domosdoshmërisht dhe në të gjitha rastet është vetëm heteroseksual dhe për qëllime riprodhuese. Besoj se është koha e duhur për të bërë shterues këtë debat që ka filluar midis përfaqësuesve të grupeve të interesit, shoqatës së LGTB, në mbështetje të të cilëve është shfaqur me konsistencë teorike dhe ligjore edhe Avokati i Popullit. Një debat që herë pas here është zhvilluar nën surdinë, duket se tani që ka filluar të bëhet problem social. Ndoshta rritja e temperaturës erdhi pas një deklarate të një prej liderëve të politikës shqiptare. I cili me sa duket jo pa dashje, por me koshiencë dhe konsistencë ideologjike dhe morale ngul këmbë në qëndrimet homofobike. Jo vetëm të tijat personale por dhe me mbështetjen militante të partisë që përfaqëson. Madje të artikuluara me një krenari morale të fortë, edhe pse në kundërsens me kohën modern dhe të drejtat e reja të njeriut që tashmë janë legale edhe në fushën e tipologjisë së seksualitetit.
Por unë besoj se shoqërisht nuk është aq e dobishme dhe me vlerë personalizimi i debatit me mentalitetin e kufizuar të një politikani, se sa është fjala për të krijuar koncepte të drejta për homoseksualizmin dhe të drejtën e njeriut që të shfaqë lirisht, pa droje morale dhe stigmatizëm social orientimin e vet seksual, mënyrat e personalizuara dhe private të realizimit të seksualitetit të tij. Në këtë kontekst nuk ka shumë bereqet dhe nuk është e nevojshme që të ndjekim gjarprin që kafshoi opinionin publik, por të merremi me shërimin e plagës që po shkakton në shoqërinë tonë helmi homofobisë. Tonet e personalizuara të debatit mund të kenë vlerë vetëm në se atë e përdorim si pretekst social për të ndërmarrë një fushatë të gjerë kulturore dhe morale për të zbutur qëndrimet morale e seksuale konseravtore si dhe substratin e ashpër homofobik të shoqërisë tonë.
Kjo punë nuk është aq e lehtë dhe për këtë nuk mjaftojnë as tonet luftarake të medias që është duke u marrë shumë me këtë deklaratë nominale kontroversale, që kërkon që liderin homofobik të politikës shqiptare ta bëjë kokë turku, edhe pse duket qartë se deklarata është më shumë produkt i kufizimeve të horizontit kulturor personal. Ndoshta edhe i nevojës elektorale, për të luajtur me kartën e dalë boje të homofobisë duke dëshmuar në opinionin tonë social një intrasigjencë morale ruajale, që tashmë është e tejkaluar dhe jashtë kohe. Duke vlerësuar sociologjikisht jo aq deklaratën e këtij lideri periferik, por më shumë duke parë situatën reale dhe konceptuale që ekziston për legalizimin e të drejtës së seksualitetit jo heteroseksual në shoqërinë tonë, duket se akoma si shoqëri nuk po mësohemi që të kuptojmë disa të drejta të reja të njeriut në kohën modern, të mos pranojmë konceptin modern se vlera, esenca dhe moderniteti i demokracisë nuk matet aq me qëndrimin që mban ndaj mazhorancës heteroseksuale, por në vlerësimin dhe mbrojtjen sociale që bën ndaj pakicave, duke përfshirë edhe ato jo hetroseksuale. Unë besoj se nuk është ndonjë kredit i madh moral për shoqërinë tonë, ca më pak për politikën dhe politikanët tanë, që kanë kurajë publike konservatore dhe jo humane dhe të dalin me shpatë që të mohojnë të drejtën e njeriut për orientim seksual të veçantë. Nuk ka rëndësi ana sasiore e fenomenit as fakti që homodseksualiteti është dukuri në nivele periferike nga pikëpamja e frekuencës dhe shfaqjes sasiore të dukurisë.
Ajo që ka rëndësi dhe që duhet të na shqetësojë është egërsia, intoleranca, përbuzja deri në neveri që shfaqet kundër të drejtave të pakicave në shoqërinë tonë. Në të vërtetë nuk është as mallkim as atavizëm social ekzistenca e njerëzve me orientim seksual të ndryshëm, përkundrazi është primitivizëm gati mesjetar puritanizmi i sforcuar homofobik i shoqërisë tonë, që në një farë mënyre është dëmtim i rëndë i cilësisë së qytetërimit tonë. Në këtë kontekst duhen parë dhe vlerësuar reagimet homofobike, të cilat në shoqërinë tonë për arsye historike nuk janë dhe aq periferike e spontane, por janë bindje të deformuara nga koha dhe të rrënjosura thellë në mentalitetin e shoqërisë në përgjithësi. Deri në ato nivele sa që edhe reagimi kundër homofobik i qytetarëve, intelektualëve dhe sociologëve të vendit tonë është më shumë timid apo i artikuluar me gjysëm zëri nga frika e etiketimeve sociale. Një elitë që më shumë shikon dhe ka frikë se mos njollos veten, pavarësisht se në sytë e tyre tentohet të shkelen brutalisht të drejtat e një pakice seksuale e cila duhet mbrojtur nga marginalizimi, diskriminimi dhe trajtimi mesjetar.
Është shqetësuese dhe nuk mund të tolerohet fakti që shoqëria jonë të jetë kaq homofobike dhe të mos vlerësojë rrezikshmërinë sociale dhe reagimet e njerëzve të ndryshëm me theks konservator në betejën e kotë kundër homoseksualizmit. Megjithëse ka tentative për të reformuar konceptet dhe gatitur konceptet homofobike të shoqërisë tonë, megjithatë duket se jemi në një situatë komplekse, kur janë publike një arsenal i njerëzve dhe ideve homofobike, që nga konceptimet tradicionale dhe idetë fetare që e quajnë homoseksualizmin mëkat dhe deri tek pjesa jo e vogël e qytetarëve tanë, që e konsiderojnë homoseksualitetin si veprim moralisht të rrezikshëm shoqërisht, seksualisht kundër produktiv nga që nuk është seksualitet riprodhues dhe ligjërisht të palejueshëm.
Unë besoj se zhvillimi i shoqërisë tonë është në rrugën e zgjerimit dhe realizimit jo vetëm të të drejtave tradicionale por dhe të të drejtave të reja të njeriut. Në këtë kontekst problemin e homoseksualizmit të mos e gjykojmë në mënyrën e vjetër dhe vetëm nga këndvështrimi fetar apo moral. Debati publik për këtë cështje nuk bëhet duke u nisur nga optikat e kufizuara të moralit dhe fesë, por nga parimet universale të shoqërisë liberale, që është bazuar mbi të drejtat e reja të njeriut dhe parimet universale të drejtësisë liberale. Padyshim nuk mund të mos përfillet dhe të merret politikisht, sociologjikisht dhe moralisht në konsideratë fakti që në shoqërinë shqiptare qytetërimi dhe liberalizimi i jetës i kanë ndryshuar parimet morale komuniste, normat e vjetra puritan të qytetërimit homofobik. Këto ndryshime gradualisht kanë ndikuar edhe në ndryshimin e disa tabuve të vjetra të konceptimit të seksualitetit, vetëm si lidhje dhe marrëdhënie heteroseksuale në çift dhe vetëm me natyrë riprodhuese. Ndaj duam apo nuk duam, na pëlqen apo jo personalisht, jemi dakord apo e urrejmë ekzistencën e praktikave të lidhjeve homoseksuale, jemi të detyruar të pranojmë dhe të bashkëjetojmë me ata që seksualisht janë ndryshe nga ne, por që janë në të drejtën e tyre për të pasur mënyrë të veçantë të intimitetit.
Më duket se kemi zgjedhur ekuacionin e gabuar për të rregulluar marrëdhëniet komunitare dhe lidhjet sociale me homoseksualët. Përpjekjet për të ndalur apo ndëshkuar me forcë të drejtën e tyre jo vetëm është në kundërsens me kohën, por mbi të gjitha është e pamundur të realizohet. Në këtë kontekst, ekuacioni moral dhe politik i trajtimit social të tyre në shoqërinë tonë duhet të ndryshojë patjetër. Kjo do të thotë se ka ardhur koha kur duhet të pranojmë se nuk janë homoseksualët që duhet të ndryshojnë orientimin e tyre, por përkundrazi është shoqëria, politika, jemi ne të tjerët, që duhet të mësohemi me realitetet e lirisë dhe të ndryshojmë konceptin për seksualitetin e njeriut. Pa këtë është e pamundur që të bashkëjetojmë normalisht me ta. Pa apatur asnjë stimë, urrejtje apo homofobi, vetëm pse kanë orientim të ndryshëm apo mënyrë të veçantë të realizimit të erotizmit dhe seksualitetit të tyre. Homofobia, urrejtja patologjike për këtë kategori sociale nuk është thjesht çështje morale, por qëndrim antihuman që mund të sjellë diskriminim shumë i rrezikshëm të tyre. Ndaj duhet të përpiqemi të mësojmë njerëzit tanë, që të ndryshojnë konceptin për vlerësimin e barazpeshuar të tipologjinë e seksualitetit të njeriut, duke larguar qëndrimet e paragjykuara dhe të padrejta