Liria e fjalës në rrezik, Çavez mbyll 32 radio dhe 2 TV
Liria e shprehjes rrezikohet rëndë në Venezuelën e Hugo Çavezit, pasi qeveria e Presidentit të vendit vendosi heqjen e transmetimeve për 34 mjete komunikimi si radio dhe televizione. Të njëjtin fat duket se i pret edhe 200 të tjerë. Pasi morën disa udhëzime formale nga Komisioni Kombëtar i Telekomunikacionit 32 stacione radiosh dhe 2 televizione që ishin vënë nën shënjestër kanë pezulluar transmetimet e tyre. Një veprim i tillë i bërë nga Presidenti Çavez ndaj medias së lirë bëri që qindra persona të grumbullohen përpara selive të këtyre stacioneve në shenjë proteste. "Jo censurës", "Popull hapni sytë, mbrohuni nga diktatura", lexohej në disa prej pankartave që protestuesit mbanin në duar. Numri më i madh gjendej në selinë e grupit radiofonik "Cnb‘, një prej mediave më të mëdha në Karakas, transmetimet e të cilit u pezulluan një ditë më parë. "Po bëhemi dëshmitarë të një prej masave më absurde që rrezikojnë seriozisht lirinë e shprehjes në Venezuelë në periudhën e demokracisë", ka deklaruar drejtori i një organizate joqeveritare në mbrojtje të lirisë së shprehjes. Megjithatë, drejtori i "Conatel Diosdado Cabello", ka mohuar çdo veprim censure duke e justifikuar ndalimin e transmetimeve me arsye tekniko-administrative. Sipas tij, këto frekuenca do t‘u rishpërndahen personave që prej kohësh presin të marrin të drejtën për të transmetuar. Sipas Vladimir Villegas, ish-drejtori i televizionit publik VTV, qeveria po përgatit një sërë reformash për "demokratizimin" e këtij sektori.