E Shtunë, 31 Tetor 2026

Musavi: Regjimi po përdor torturën

Ish-presidenti iranian, Mohammad Khatami, e ka cilësuar si antikushtetues procesin e nisur ndaj 100 kundërshtarëve të regjimit iranian që u arrestuan gjatë protestave të shumta për rezultatin e zgjedhjeve të 12 qershorit që nxorën fitues sërish Ahmadinexhadin. Kahtami, deklaroi se procesi "bie në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin dhe të drejtat e qytetarëve". Në një komunikatë të shpërndarë në sajtin e tij zyrtar të internetit ish-presidenti i republikës islamike nge zërin duke thënë se këto procese janë shkelje e hapur e Kushtetutës së Iranit. Për Khatamin, procesi kundër qindra opozitarëve të arrestuar pas rizgjedhjes së Presidentit konservator, Mahmud Ahmadinexhad, nuk janë gjë tjetër, veçse "një shfaqje qesharake e regjimit në kundërshtim me Kushtetutën". Ish-presidenti shtoi më tej se e gjithë kjo që po ndodh në vend komprometon besimin e opinionit publik, ndërsa rrëfimet e marra në këtë mënyrë nuk kanë asnjë kredibilitet. Ai tha se pranimi i fajësisë nga disa të akuzuar ishte i pavlefshëm. Njëri prej tyre, Muhamed Ali Abtahi, ish-zëvendëspresident në qeverinë e Muhamed Khatamit dhe një eksponent i rëndësishëm reformator mohoi përpara gjykatësve të Teheranit akuzat për parregullsi në zgjedhje. Sipas agjencisë zyrtare të shtypit në vend "Irna", të arrestuarit akuzohen se "kanë marrë pjesë në trazira; kanë konspiruar kundër interesave kombëtare; kanë prishur rregullin publik dhe kryer akte barbare". Për më tepër, ata akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje dhe bombash artizanale, përveçse kanë dërguar imazhe nga protesta në mediat "armike" për vendin. Nga ana tjetër, edhe lideri i opozitës, Mousavi, ka akuzuar regjimin se po përdor tortura mesjetare për t‘i bindur të akuzuarit që të rrëfehen. "Për çfarë duan ta bindin popullin me rrëfime rrëqethëse që të kujtojnë torturat e Mesjetës?", tha Mousavi, duke shtuar më tej se "thonë se organizatorët e revolucionit kanë treguar gjatë procesit gjyqësor lidhjet e tyre me armiqtë dhe një plan për të rrëzuar regjimin në republikën islamike. Gjithçka që dëgjova nuk ishte gjë tjetër, veçse pasoja e atyre që kanë hequr gjatë 50 ditëve burg". Edhe Mousavi, ashtu si ish-presidenti reformator, Muhamed Khatami, pranon se "ky proces është thjesht një shfaqje ku gjithçka është e manipuluar". Të paktën 2 mijë persona mendohet të jenë arrestuar gjatë protestave për kontestimin e rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, ndërsa 30 të tjerë humbën jetën nga përplasjet me forcat e rendit. Pjesa më e madhe e të ndaluarve u lanë të lirë brenda pak ditëve, ndërkohë dyshohet se në burg janë më shumë se 250 persona. Të akuzuarit u paraqitën në gjyq pa avokatë, pa familjarë, të dobët dhe të veshur me uniformat e të burgosurve iranianë. Mes tyre, shumë liderë të qeverisë "Khatami".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›