E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liria e medias, OSBE: Serbia të vijojë me reformat

Përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias, Dunja Mijatovic, i ka bërë thirrje urgjente qeverisë serbe që të përshpejtojë reformat që mbrojnë dhe garantojë lirinë e medias.

Gjatë vizitës që kreu në Beograd, ajo tha se gazetaria e pavarur dhe raportimi i lirë ekzistojnë në Serbi, por duke patur parasysh rastet e kërcënimit dhe të dhunës ndaj gazetarëve, ka ende shumë për të bërë. Ajo theksoi se rastet e vrasjes së tre gazetarëve kohë më parë, mbeten ende të pazbardhura dhe në të tilla raste hetimi duhet të intensifikohet për të sjellë përpara drejtësisë përgjegjësit.
 

Ndërkaq mbikëqyrësit ndërkombëtarë të mediave u kanë bërë thirrje ligjvënësve ukrainas të kundërshtojnë ligjin që kriminalizon shpifjen. Këtë javë, Parlamenti ukrainas ka miratuar paraprakisht projektligjin, i cili mund të imponojë dënime deri në pesë vjet burgim për shpifje.

“Reporterët pa Kufij” kanë thënë se ligji mund të kërcënojë vetë ekzistencën e gazetarisë së pavarur. Përfaqësuesja për media e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë po ashtu ka shprehur shqetësim për ligjin.

Dunja Mijatoviç ka thënë se “kriminalizimi i fjalës do të thotë mbytje e debatit dhe mbrojtje e zyrtarëve publikë nga kritikat”. Mbikëqyrësit thonë se liria e mediave në Ukrainë është e cënueshme që nga zgjedhja e presidentit Viktor Janukoviç, dy vjet më parë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›