Liria pa kufi e mediave
Që pas rënies së regjimit komunist në vitet ‘90 u hapën shumë televizione, revista dhe gazeta. Të gjithë në ato vite shikonim dhe lexonin me etje dhe interes televizionin dhe shtypin e lirë. Me kalimin e viteve u vu re se media po përdorej jo vetëm për qëllime informuese, por edhe dezinformuese.
Gjatë këtij tranzicioni të gjatë, liria e shfrenuar e medias shpesh ka sjellë probleme për stabilitetin social dhe politik të vendit. Një pjesë e madhe e shtypit mbush faqet e tij me thashethemet e kafeneve dhe shpifjet e gazetarëve qejfmbetur, ngaqë partia e tyre nuk u ka dhënë poste të larta apo ndonjë godinë për shtypshkronjë, të cilën mund ta bëjnë pallat më vonë.
Brenda çdo organizimi shoqëror është normale të ketë edhe mosmarrëveshje ose mosplotësim të dëshirave të të gjithëve. Kemi kuptuar se media nuk mbahej me fitimet nga shitja, por edhe nga interesat e ngushta të gazetarëve e sidomos pronarëve të saj, në lidhje me pushtetin. Dikush mund të thotë se kjo është normale, në fakt është anomali, që çfarëdo gjëje që mund t`u vijë ndërmend, çdo fantazi, shpifje apo thashethem duhet të botohet.
Shpeshherë na qëllon të lexojmë artikuj të cilët janë pa emrin e atij që e shkruan apo pa burimin e informacionit të cilit i bazohen. Në Shqipëri shtypi ka një liri të shfrenuar dhe kjo dehje nga liria e tepërt i bën punonjësit e saj të shpifin e ofendojnë këdo, pavarësisht se cili është personi apo subjekti që trajtojnë. Shpesh kemi parë në disa televizione dhe gazeta të shkruhet jo mirë për figurat historike dhe kulturore të kombit shqiptar, si p.sh. për Skënderbeun, Nënë Terezën, Ismail Kadarenë, Kryeministrin e vendit, z. Berisha si dhe personalitete të tjera të rëndësishme të vendit, por ç`është më e keqja, të denigrojnë dhe familjet e personaliteteve apo njerëzve të thjeshtë dhe plot raste të tjera.
Këto media do t’i quaja shqipfolëse, por jo shqiptare, sepse të ulësh figurat më të ndritura dhe më përfaqësuese të kombit, kjo është vërtet për të ardhur keq dhe të bën të dyshosh se ku duan të dalin me artikujt e tyre. Të bën të dyshosh për anën profesionale, të etikës gazetareske, kulturës së përgjithshme dhe patriotizmit.
Në gjithë shtypin perëndimor dhe lindor asnjëherë nuk ofendohen jo vetëm figurat e ndritura historike e kulturore, por edhe ato politike. Këtu, çdo gazetar mund të shajë, të shpifë dhe të ofendojë sa herë të ketë qejf cilindo njeri, qoftë ai i thjeshtë, politikan apo biznesmen. Është e çuditshme kur shikon gazetarë të cilët pakënaqësinë e tyre ndaj atyre që shpifin e shajnë gjithë ditën, lirinë e shtypit e shpërdorojnë deri në atë masë sa të dëmtojnë seriozisht lirinë e tjetrit. Por, problemi duhet parë më gjerë, sepse nuk kemi thjesht një konflikt mediatik mes gazetarit dhe “gjahut” të tij të radhës, por edhe lexuesin apo teleshikuesin. Çfarë do të mendoje një i ri shqiptar, kur mediat paraqesin akuza të pabazuara, shpifje, ofendime dhe për pasojë të këtyre, dezinformime? Deri në njëfarë mase, trillimet apo thashethemet në media janë të lejueshme edhe në Perëndim, por në asnjë rast ato nuk cenojnë personalitetin e njeriut (një media e cila ka mangësi profesionale, etike dhe një liri të shfrenuar, ngjall pesimizëm dhe çoroditje tek lexuesi, por edhe në mjedisin rreth tij). Trillimet mediatike shpesh shkëpusin mendjen e njerëzve nga problemet reale që ata kanë. Pra, kjo liri e shfrenuar e medias në Shqipëri krijon paqartësi dhe çoroditje në shoqërinë tonë, në vend që të trajtohen problemet e rëndësishme të vendit, si zhvillimi i ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, integrimit në bashkimin evropian.
A nuk sjell pesimizëm dhe çoroditje ajo media e cila ul figurat e rëndësishme historike, kulturore dhe politike? Kujt mund t’i interesojë deformimi i figurave të ndritura të kombit? Apo, të vjedhim figura historike nga të tjerët, ashtu siç bëjnë disa shtete pa kombësi dhe histori?
Të flitet keq për figurat më të ndritura të kombit, për arsye se në media ka mungesë profesionalizmi, etike, kulture të përgjithshme dhe liri të shfrenuar, ky fakt duhet parë me kujdes nga shoqëria civile dhe të rikuperohet sa më shpejt të jetë e mundur. Gazetari nuk mund të bëjë në çdo rast rolin e historianit, politikanit, prokurorin, gjykatësin, ekonomistin etj. Realiteti tregon se shpifjet që prodhon media, nuk janë vetëm një problem për ata që ofendohen prej saj, por edhe për punonjësit e saj. Përderisa të drejtat e medias nuk kanë kufi, atëherë do të lindi vetëgjyqësia, sepse askush nuk duron kur ofendohet e denigrohet. Mendoj se ka ardhur koha për krijimin e një institucioni, i cili përcakton të drejtat e medias dhe politikat ndaj saj. Si një shembull i mirë na shërben Gjermania, ku çdo shtet federativ i saj ka departamentin për të drejtat e medias dhe politikat ndaj saj.