Gjyqtarët: Konferenca Gjyqësore, zgjidhje sipas Kushtetutës
Gjyqtarët e Shqipërisë i bëjnë apel ekzekutivit dhe opozitës të kalojnë sa më parë ligjin për Konferencën Gjyqësore, pasi pas përfundimit të mandatit të 4 anëtarëve të KLD-së, ky organ kalon në krizë. Përmes një deklarate të përbashkët, gjyqtarët kërkojnë nga Ministria e Drejtësisë të përfshihen në draftin e përgatitur për Konferencën Gjyqësore të gjitha objeksionet e paraqitura prej tyre, të kalojë sa më parë drafti për miratim në qeveri, me qëllim që më pas të kalojë nëpër hallkat e tjerë zinxhir, siç është Komisioni i Ligjeve dhe më pas Parlamenti. Pikërisht në këtë moment të deklaratës, gjyqtarët kërkojnë edhe nga opozita të kthehet në Parlament dhe të ketë konsensus për votimin e projektligjit. Këto kanë qenë përfundimet e takimit të dy ditëve më parë, të organizuar nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, znj. Shpresa Beçaj, e cila mblodhi në një tryezë të rrumbullakët konsultative, kryetarët e gjykatave të Republikës së Shqipërisë, shoqatat e gjyqtarëve dhe organizatat ndërkombëtare që operojnë në vendin tonë në sistemin e drejtësisë. Kjo tryezë e rrumbullakët, e cila mblidhej për herë të dytë, ka pasur në qendër të diskutimeve projektligjin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare të paraqitur nga Ministria e Drejtësisë. Gjatë këtij takimi u diskutua dhe u hodhën mendime mbi problemet dhe shqetësimet që janë aktualisht në fokus të sistemit gjyqësor shqiptar. Në këtë takim ka pasur opinione të ndryshme lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të KLD-së, në mungesë të një ligji për Konferencën Gjyqësore. Alternativat e hedhura në takim kanë ndarë për një moment gjyqtarët, pritja e kalimit të ligjit në Kuvend dhe miratimi i tij me 3/5 e votave apo mbledhja e gjithë gjyqtarëve dhe vendosja e datës se kur duhet të mblidhet Konferenca Kombëtare Gjyqësore, e cila do të zgjedhë edhe katër anëtarët e rinj të KLD-së. Megjithatë, në përfundim të takimit u dol me një qëndrim të përbashkët. Në këtë takim u vendos gjithashtu që gjithë gjyqtarët e Shqipërisë të mblidhen më 5 dhjetor të këtij viti për të diskutuar për pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe reformën e pushtetit gjyqësor; rritjen e transparencës dhe të besimit të publikut tek drejtësia; si dhe mbledhjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Ky takim u karakterizua nga vullneti dhe përgjegjësia e pjesëmarrësve për t’i dhënë një zgjidhje juridike e ligjore konform Kushtetutës, të gjitha problemeve të ngritura me sipër në lidhje me sistemin gjyqësor.
Përfundimi
1. I kërkojmë Ministrisë së Drejtësisë, për të pasqyruar në draftin përfundimtar në mënyrë të detajuar, të gjitha rekomandimet e bëra nga trupa gjyqësore në tërësi, shoqatat e gjyqtarëve dhe misionit ndërkombëtar EURALIUS, në lidhje me projektligjin.
2. I kërkojmë Ministrisë së Drejtësisë që në kohën më të shkurtër të përshtatshme, ky projektligj me rregullimet e bëra, të kërkuara më sipër, t’i dërgohet Këshillit të Ministrave e më pas Kuvendit të Shqipërisë, për miratim.
3. Iu kërkojmë të gjitha forcave politike që të shprehin vullnetin dhe të marrin përsipër përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese për arritjen me konsensus dhe në kohë rekord për kalimin e këtij projektligji, i cili do të bëjë të mundur mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë në tërësi dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë në veçanti.
4. Nga kjo tryezë e rrumbullakët, në unanimitet u vendos që paralelisht me procesin ligjvënës trupa gjyqësore të vetadministrohet në mënyrë të pavarur, duke thirrur në një takim të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë më datë 05.12.2009.