Presidenti, në shtëpinë e Kadaresë: Urime për çmimin!
Ngjarja letrare që ka ndodhur; çmimi letrar ndër më prestigjiozët që i është dhënë Ismail Kadaresë, ai i Spanjës, “Princi i Asturias”, ende nuk e ka shuar jehonën.
Që nga fundi i tetorit, dje ka gjetur ditën Presidenti shqiptar, Bamir Topi, për ta uruar Kadarenë. Është për herë të parë lloji i një urimi të tillë; Topi ka shkruar për vizitë në shtëpinë e Kadaresë. Lajmin e ka bërë të ditur zyra e shtypit pranë Presidentit, ku ndër të tjera thuhet se kreu i shtetit shprehu kënaqësinë e tij të madhe dhe konsideratën që shkrimtari shqiptar u nderua me çmimin e lartë “Princi i Asturias”. Presidenti Topi e vlerësoi këtë çmim si dhe çmimin e mëparshëm “Man Booker International Prize”, si një arritje të madhe të shkrimtarit Kadare dhe si një sukses të padiskutueshëm të letërsisë shqiptare në botë. Ky çmim vjen në një moment shumë të rëndësishëm kur vendi ynë ndodhet në fazën kulmore të sfidës së tij integruese, është shprehur mes të tjerash Presidenti Topi, i bindur që ky vlerësim ndërkombëtar është një nxitje e mëtejshme dhe domethënëse në rrugën e pandalshme të shqiptarëve drejt familjes evropiane, rrugë e cila është bërë më e lehtë edhe falë veprës së shkrimtarit Kadare.
Nga ana e tij z. Kadare dhe bashkëshortja Elena, e falënderuan Presidentin e Republikës për urimin dhe për këtë vizitë miqësore. Gjatë takimit u bashkëbisedua për aktualitetin në vend dhe zhvillimet në rajon e më gjerë. Ceremonia e dhënies së çmimit është bërë në fund të tetorit në Spanjë, ku Kadare ka mbajtur fjalën përshëndetëse në gjuhën shqipe. Ndër të tjera shkrimtari shqiptar ka thënë: “Ka pasur dhe vazhdon të ketë dy mendime krejtësisht të kundërta për letërsinë. Njëri, i vjetër, pakëz naiv, që besonte se letërsia, ashtu si gjithë artet, mund të bënte mrekulli për botën; mendimi tjetër, modern, rrjedhimisht aspak naiv, se letërsia dhe arti nuk i shërbejnë askujt, veç vetvetes. Në të dyja këto mendime, e vërteta dhe jo e vërteta janë të përziera. Megjithatë, si njeri i artit unë kam prirjen të besoj te mrekullia.
Ka një model për këtë paradigmë: miti i Orfeut. Është quajtur me të drejtë miti më misterioz i njerëzimit. Thelbi i tij ka të bëjë me mundësitë e artit. Orfeu arriti që me artin e tij të bëjë gjëra të pabesueshme dhe, ndonëse nuk arriti dot të kapërcente murin e vdekjes, më pranë se kushdo iu afrua së pamundurës.
E përmenda mitin e famshëm për të ardhur te një mrekulli shumë herë më e rëndomtë në dukje, por e së njëjtës natyrë. Njëzet vite mê parë, në vendin tim komunist në qoftë se dikush do t’i thoshte dikujt se ka gjasë që një ditë, një shkrimtar shqiptar do të marrë një çmim në Spanjë, për më tepër të dorëzuar nga princi trashëgimtar, ky dikush do të shpallej aty për aty i çmendur, do të prangosej e do të çohej në çmendinë. Dhe kjo do të ishte e keqja më e vogël. Sipas një versioni të dytë, ky dikush do të përfundonte në hetuesi dhe pastaj në torturë si një komplotist i rrezikshëm.
Ndoshta mund t’ju duket pak i dramatizuar ky parashikim, por unë do t’jua shpjegoj.
Shqipëria, vendi im, dhe Spanja e juaj, përveç një miqësie të shkurtër në shekullin XV, nuk kanë pasur kurrë asnjë lidhje. Ndërprerja e plotë u bë në shekullin e kaluar, kur vendi im komunist, i shquar për prerje marrëdhëniesh, (ky ka qenë, si të thuash, specialiteti i tij), preu çdo lidhje me Spanjën...”.