E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liria përtej seksit…

25/01/2011  “Lets have sex” (Le të bëjmë seks), e shfaqur këtë fundjavë në skenën e teatrit të “Metropolit” mund të cilësohet si përpjekja për të përcjellë botën njerëzore në pasionin e saj për dashuri dhe në vetminë e të kërkuarit shoqëri, shpesh në mënyrë të gabuar me vetëdijen e lodhur.

Duket sikur qendra e botës vërtitet rreth tij. Sikur asgjë nuk është më intriguese, që nuk i shpëton dot dhe megjithatë nganjëherë mbetesh në diskutime dhe tabu të pathyera ende… Me pak fjalë, duket sikur bota rrotullohet rreth seksit, e megjithatë mbase për hir të tij dhe ndoshta për faj të keqkuptimit lidhur me të, jo çdo gjë është kaq kollaj e thjeshtë. Njeriu me sa duket ka ikur larg thelbit të vet në dëshirë për të harruar, në yshtje për të provuar dhe ka harruar që seksi edhe pse shumë i rëndësishëm në fakt shpesh është reflektuesi më i mirë i mungesave.

“Lets have sex” (Le të bëjmë seks), e shfaqur këtë fundjavë në skenën e teatrit të “Metropolit” mund të cilësohet si përpjekja për të përcjellë botën njerëzore në pasionin e saj për dashuri dhe në vetminë e të kërkuarit shoqëri, shpesh në mënyrë të gabuar me vetëdijen e lodhur.

Pjesa e autorit rus Valentin Krasnogorov, e përkthyer në shqip nga Edlira Saliaj vjen në regjinë e Elma Dorezit dhe nën interpretimin e Devis Mukës, Klodian Hoxhës, Marsela Lenës, Cubi Metkës, Ermela Rurit. Nuk dihet pse aktorja Lisa Kujofca, pjesë e shfaqjes kur ajo u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar gjatë Festivalit të të Rinjve (ku u vlerësua si shfaqja më e mirë) nuk është më pjesë e trupës.

Me skenografi të realizuar nga Drini Shehu dhe kostume nga Edlira Qyshka, “Lets have sex” konsiderohet si një komedi e zezë, një pjesë komike dhe filozofike që prek dramën familjare, dramën njerëzore dhe tabutë.

Ndërtuar në një strukturë dialogësh, pjesa çelet me një dialog mes një çifti, të cilët me sa duket janë të pakënaqur nga jeta martesore dhe të etur për dashuri. Megjithatë, ndërsa gruaja (Marsela Lena), tepër e dëshiruar për të bërë seks ia propozon këtë burrit përmes lëvizjeve, gjesteve dhe duke i thënë “Le të bëjmë seks”, duket se diçka e pengon këtë të fundit (burri vjen nën interpretimin e Devis Mukës), një burrë i nderuar, intelektual që vijëzohet si dikush që është peng i tabuve dhe konturimeve të botës njerëzore dhe përpiqet të kërkojë arsyen kudo. Nevojtar megjithatë për ngrohtësi, ai do të rikthehet më pas në skenë, në një përpjekje për të bërë seks, jo vetëm përballë gruas së tij.

Në skenën tjetër jemi sërish në një dialog, fjalët kyçe të të cilit janë “Le të bëjmë seks”. Por këtë herë, përballë janë gruaja dhe një profesor antropologjie dhe seksologjie (Klodian Hoxha). Të bindur se diçka nuk shkon, të dy mendojnë se “ilaçi” është te seksi dhe kërkojnë të ikin dhe të harrohen diku, e me gjithë këtë si në një lajtmotiv ajo që përsëritet gjatë gjithë pjesës është dëshira për të bërë seks, duke u shprehur përtej tabuve në vërtetësinë e vetmisë njerëzore, por duket se “zgjidhja” nuk gjendet. Bërja e seksit mbetet iluzive deri në fund, edhe atëherë kur përballë vihen një vajzë e re me dëshirë për jetën (Cubi Metka) dhe profesori (Klodian Hoxha), edhe atëherë kur në përpjekje atyre iu shtohet gruaja e martuar (Marsela Lena) dhe madje edhe kur katërkëndëshi plotësohet edhe me burrin (Devis Muka). Të gjithë flasin dhe mendojnë vetëm për seksin dhe gjithë kjo i bën situatat të komplikuara, tragjike, por dhe shumë argëtuese.

Duket sikur pjesa është një reflektim për shoqërinë, për vlerat e saj, dëshirat dhe nevojat njerëzore.

E shkruar dhe e vendosur në kohët e sotme, shfaqja nuk ka se si të mos tingëllojë aktuale. Vetë fjalët e personazheve duket se pasqyrojnë më së miri mentalitetin dhe dramën e shoqërisë, kufizimet e saj. “E vetmja mënyrë për tu lidhur sa më shpejtë me dikë është seksi”, thotë vajza. Ndërsa në një pjesë tjetër thuhet. “Njerëzit mund të ulen bashkë në të njëjtën zyre për 100 vjet, të takohen nëpër festa, të pinë bashkë dhe të shkojnë nëpër piknikë, por kjo nuk do ti afrojë sa do ti afronte një natë e vetme e kaluar bashkë”.

Megjithatë, konsumimi fizik mes këtyre karaktereve nuk ndodh. Në skenën e fundit të shfaqjes, personazhet i shohim në një azil si të sëmurë psikikë, ku ata përpiqen “të çlirohen”, të largohen dhe të fluturojnë. Pikërisht këtu shfaqet edhe një personazh i fundit: një murgeshë. Motra (Ermela Ruri), edhe pse e ka dorëzuar jetën e saj në shërbim të Zotit, nuk mund të shkëputet aq lehtësisht nga dëshirat njerëzore. Mospërmbushja e këtyre dëshirave dhe cungimi i pasioneve fizike mbase e kanë bërë këtë zgjedhje (shërbimin ndaj Zotit) të detyruar. Ky personazh, për të qenë realistë, i sjellë dhe jo aq mirë në interpretim dhe lojë aktoreske (mbase edhe për shkak të zëvendësimit me aktoren Kujofsa?!), megjithatë duket se është përzgjedhur nga ana regjisoriale për të përcjellë “mesazhin” në fund të pjesës. Mbase Krasnogorovi ka dashur të thotë se njerëzit kanë të njëjtat pasione e dëshira, vuajnë njëlloj nga vetmia dhe rendin për ta përmbushur boshllëkun, porse megjithatë plotësimi përmes seksit nuk është thelbësor nëse nuk gjen përgjigjet tek vetja dhe liria mbetet kështu diçka iluzive.

“Le të bëjmë seks” u vu për herë të parë në skenën moskovite, në vitin 2003 nga regjisori Roman Viktyuk. Asokohe pjesa që ndërthur komedinë dhe filozofinë u konsiderua një sukses. “Le të bëjmë seks” do të vijojë të shfaqet për publikun në teatrin e “Metropolit” edhe më 27, 28 dhe 29 janar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›