Lirimi i hapësirave publike në Vlorë, IMT aksion për heqjen e tendave dhe karrigeve nga rrugët

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit i bashkisë së Vlorës zbriti në terren këtë të shtunë, ku fokus kishte lirimin e hapësirave publike nga tendat dhe karriget që ishin vënë në rrugët e qytetit.
Aksioni u përqendrua në disa nga rrugët dytësore të qytetit, ku bizneset kishin vendosur tenda, karrige dhe struktura të tjera pa leje.
Inspektorët e IMT në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, kanë ndërhyrë për heqjen e elementëve që pengonin lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe zinin hapësirat publike në mënyrë të paligjshme.
Përfaqësues të bashkisë u bëjnë thirrje qytetarëve dhe bizneseve të bashkëpunojnë për heqjen e tyre në mënyrë që rrugët të kenë aksesueshmëri lëvizjeje nga të gjithë.
Ky aksion pritet të vijojë edhe në ditët e ardhshme duke përfshirë zona të tjera problematike të qytetit.
Fillimisht aksioni u përqendrua në zonën e Lungomares dhe është pjesë e një fushate më të gjerë që synon të rikthejë rendin urban dhe të përmirësojë cilësinë e jetesës në qytet.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/