Lirohen 3 vajzat që vodhën biznesmenin

Parukeria e blerë me paratë e vjedhura biznesmenit
Dy mbesat dhe shoqja e tyre parukiere morën paratë në banesën e tregtarit të floririt të Kodra e Priftit.
Tiranë, Prokuroria: Arresti, i paligjshëm për vjedhjen e 15 milionëve.
Tri vajza adoleshente kanë kryer një nga vjedhjet më të mëdha të ndodhura në Tiranë vitet e fundit, por janë liruar jo më vonë se 24 orë pas arrestimit nga policia. Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, policia ka bërë lirimin e menjëhershëm të tri vajzave të akuzuara për vjedhjen e 15 milionë lekëve në banesën e një tregtari floriri në Tiranë. Oligerta Agushi dhe Laureta Kormaku, të dyja 18 vjeçe, vajza tezesh mes tyre, akuzoheshin nga policia e Tiranës se i kanë vjedhur 15 milionë lekë në banesën te Kodra e Priftit biznesmenit të floririt Abdyl Projko. Dy vajzat, së bashku me një shoqen e tyre, shtetasen Afërdita Pecmarkaj, të dyshuara si bashkëpunëtore në krim, u vunë në pranga ditën e premte nga Policia e kryeqytetit me akuzat për “vjedhje në bashkëpunim” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”. Pa kaluar ende 24 orë nga arrestimi i tri vajzave të dyshuara, në polici ka mbërritur urdhri i Prokurorisë së Tiranës për lirimin e menjëhershëm të vajzave, pasi “arrestimi ishte i paligjshëm”. Policia është detyruar të zbatojë vendimin e dhënë nga prokuroria. Burime të organit të akuzës, të pyetura mbrëmë nga gazeta “Panorama”, kanë thënë se lirimi i tri të dyshuarave nuk është bërë për mungesë provash. Sipas prokurorisë, policia është urdhëruar të lirojë tri vajzat për shkaqe ligjore, pasi arrestimi nuk ka qenë i rregullt proceduralisht. Por ndërkohë, jo zyrtarisht, prokuroria theksoi se policia kishte vepruar pa urdhër gjykate, pa vendim prokurori dhe madje duke mos qenë në kushtet e flagrancës. Në këto rrethana, sipas prokurorisë, arrestimi i tri të dyshuarave për vjedhjen ka qenë i paligjshëm.
Supervjedhja
Biznesmeni i floririt, Abdyl Projko, kishte denoncuar disa javë më parë në Policinë e Tiranës e më pas në prokurori, vjedhjen e 15 milionë lekëve në banesën e tij. Ai e kishte zbuluar gjithçka në momentin e fundit, ndërkohë që mbesat e tij, shtetaset Oligerta Agushi dhe Laureta Kormaku kishin vjedhur dy këste parash, 5 milionë në tetor, 5 milionë në nëntor 2010 dhe në fund, në dhjetor kishin përdorur të miturin Gynter J. për të kryer edhe vjedhjen e fundit prej 5 milionë lekësh. Denoncimi ka mbërritur në polici pikërisht pas vjedhjes së shumës së fundit nga 16-vjeçari. Policia bashkë me prokurorinë kanë vënë në përgjim gjithë rrethin e familjarëve të biznesmenit, përfshi edhe dy vajzat, mbesa të tregtarit. Vendosja e të afërmve në përgjim është bërë për shkak se paratë kanë qenë të vendosura në një “arkë” në dhomën e gjumit në banesën e biznesmenit. Për këtë shkak, që në momentin e parë të denoncimit, policia ka dyshuar se një person i brendshëm ishte implikuar në këtë histori. Për të gjetur se cili ishte ky person, policia ka vënë në përgjim të afërmit e biznesmenit dhe gjatë ndjekjes së bisedave ka mësuar se shumat e parave kishin përfunduar tek dy shtetaset, Oligerta Agushi e Laureta Kormaku, si dhe te shoqja e tyre, Afërdita Pecmarkaj.
TE ARRESTUARA
1. Oligerta Agushi, 18 vjeçe, mbesa e biznesmenit
2. Laureta Kormaku, 18 vjeçe, mbesa e biznesmenit
3. Afërdita Pecmarkaj, 18 vjeçe, parukiere, mikeshë e kushërirave
4. Gynter J., 16 vjeç, i proceduar penalisht në gjendje të lirëTë akuzuar për “vjedhje në bashkëpunim” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale”
Abdyl Projko, biznesmen floriri, person i dëmtuar nga vjedhja
15 milionë lekë është shuma e vjedhur në tri episode në banesën e tregtarit
Shpëtuan nga shpenzimi vetëm 2 milionë lekë
Policia: Vajzat blenë apartament e parukeri me paratë e vjedhura
TIRANE – Nga përgjimet e kryera dhe nga mbikëqyrja e veprimeve të mbesave të biznesmenit, policia zbuloi fillimisht se ato kishin shuma të mëdha parash nëpër duar. Më pas, verifikimet e hetuesve gjetën se tri vajzat e implikuara në këtë histori, Oligerta Agushi, Laureta Kormaku dhe Afërdita Pecmarkaj, kanë blerë një ambient pranë sheshit “Avni Rustemi”, të cilin e kanë mobiluar dhe pajisur me mjetet e nevojshme për kthimin në parukeri. Po kështu, vajzat kishin blerë edhe një apartament 60 metra katrorë në zonën e Porcelanit në Tiranë. Policia, pas arrestimit, u ka gjetur adoleshenteve edhe një shumë prej 2 milionë lekësh, ndërkohë që gjithë pjesa tjetër e parave të vjedhura në shtëpinë e biznesmenit të floririt është shpenzuar. Policia ka bllokuar floktoren, apartamentin dhe shumën e parave që kishte mbetur pa u shpenzuar, ndërkohë që nuk është e qartë ecuria që do të ketë çështja tashmë pas lirimit nga paraburgimi të tri vajzave të dyshuara për kryerjen e vjedhjes. Shuma prej 15 milionë lekësh është vjedhja më e madhe e ndodhur në Tiranë në të paktën dy vitet e fundit.
Trazhgim Sokolaj