Lirohet Gjin Ndreu, protestuesi i 21 janarit, përfundoi dënimin
TIRANE- Lirohet Gjin Ndreu, protestuesi i dhunshëm i 21 janarit. Gjykata e Tiranës përmes një vendimi të firmosur dy ditë më parë ka konstatuar se Ndreu, i cili ishte dënuar me 10 muaj burg, i kishte larë hesapet me drejtësinë. Sipas përllogaritjeve të bëra nga gjykatësja Fatime Deçolli, rezultonte se Ndreu e kishte përfunduar masën e dënimit, për këtë arsye gjykata vendosi shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj tij dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga burgu 302 i Tiranës. Gjin Ndreu u arrestua më 24 janar 2011, tri ditë pas protestës së dhunshme të 21 janarit, ku demonstruesit u përleshën me policinë duke plagosur shumë efektivë. Gjin Ndreu, përmes pamjeve filmike ishte identifikuar si një nga personat që kishte kryer veprime të dhunshme ndaj punonjësve të policisë, të cilët kanë qenë në detyrë dhe të veshur me uniforma, duke i goditur ata me grushte si edhe me sende dhe mjete të forta. Tri ditë më vonë, policia e pikasi Ndreun në afërsi të sheshit “Rilindja” duke ecur në trotuar. Në vendimin e gjykatës, që e dënoi Ndreun më dhjetë muaj burg, thuhet se Gjin Ndreu ka bërë një gjest ofendues ndaj punonjësve të policisë, të cilët pasi i janë prezantuar se ishin punonjës policie, i kanë kërkuar atij të identifikohej si edhe arsyen se përse ai e kishte kryer këtë gjest ofendues ndaj tyre. Mbi sa më sipër, “ai tha se kishte dokument identifikimi me vete, por nuk donte t’ua jepte këtë dokument punonjësve të policisë. Në këto kushte, punonjësit e policisë i kanë kërkuar të pandehurit të vinte me ta në Komisariatin e policisë, për ta identifikuar atë, por i pandehuri ka kundërshtuar duke mos pranuar”, thuhet në vendim. Gjin Ndreu u cilësua fajtor për akuzat e goditjes dhe kundërshtimit të forcave të rendit dhe u dënua me dhjetë muaj burg. Ai rifitoi lirinë dy ditë më parë me vendim gjykate.
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)