E Shtunë, 31 Tetor 2026

ODIHR: Raporti për 8 majin, javën tjetër

TIRANE- OSBE/ODIHR pritet të publikojë në fillim të javës që vjen raportin përfundimtar për zgjedhjet vendore të 8 majit 2011. Këtë e ka konfirmuar për median shqiptare zëdhënësi i misionit të vëzhguesve të ODIHR-it, Jens Hagen Eschenbaecher.

Është hera e parë që ky mision publikon raportin e tij, ende pa dalë rezultati përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. KQZ mund ta publikojë rezultatin pas disa javësh, për shkak të përsëritjes së zgjedhjeve në 10 komuna.

Ende nuk është përcaktuar data konkrete se kur do të bëhet publik ky raport, i cili po pritet me interes nga e gjithë klasa politike shqiptare, por edhe nga vetë ndërkombëtarët, të cilët shpesh kanë artikuluar se presin konkluzionet e vëzhguesve për të dhënë edhe vlerësime më të qarta për atë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria këtej e tutje.

 Raporti përfundimtar i ODIHR-it do të përmbajë edhe rekomandimet për drejtuesit e politikës shqiptare, ashtu siç ka ndodhur edhe në zgjedhjet e kaluara, për të bërë më pas krahasimin me ecurinë e proceseve zgjedhore të shkuara. Ndërkohë në raportin paraprak të vëzhguesve që doli pak ditë pas zgjedhjeve të 8 majit thuhet se procesi i numërimit eci me ngadalësi. Probleme u raportuan sa i përket ushtrimit të presionit ndaj administratës zgjedhore për të marrë pjesë në aktivitetet e fushatës të PD-së, ose për të mos shkuar në aktivitetet e opozitës. Lidhur me funksionimin e KQZ-së, shefi i vëzhguesve të ODIHR-it, Jonathan Stonestreet tha se ky institucion ka funksionuar në mënyrë transparente, por ka pasur ndarje të qartë politike. Raporti nënvizon se aspekte pozitive ishin përmirësimi i listave të zgjedhësve dhe puna e Kolegjit Zgjedhor.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›