Lirohet ish-kreu i Hipotekës, Edmond Banushaj
VLORE- Pa kaluar ende 24 orë nga ndalimi i tij, ish- kreu i Hipotekës së Vlorës, Edmond Banushaj është lënë i lirë. Një ditë më parë Banushaj u arrestua për të dytën herë në harkun kohor të dy viteve, për falsifikim dhe abuzim me detyrën.
Pas hetimit të kryer, ish-regjistruesi i Vlorës rezultoi se ka bërë korrigjim të hartave dhe kartelave pasurore duke favorizuar disa persona, të afërm të familjes së tij. Njëri prej tyre është vjehrri i tij, i cili nga hetimet e kryera ka rezultuar se ka përfituar një sasi të konsiderueshme prone në mënyrë të paligjshme.
Sipas policisë, hetimet ndaj tij kanë nisur më 30 korrik të këtij viti pas kallëzimit të bërë nga një qytetar. Ai i është drejtuar policisë duke pretenduar se nuk i ishte regjistruar një pronë prej 2500 m² që ndodhej në lagjen 11 Janari, zonë informale midis fushës së Aviacionit dhe Pusmezinit në Vlorë. Gjithashtu, qytetari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ka paraqitur dokumentet me të cilat vërtetonte se e kishte përfituar truallin konform ligjit 7501 dhe të konfirmuar nga autoritetet zyrtare siç është Komisioni i Verifikimit të titujve të Pronësisë.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se në vitin 2007, Banushaj ka urdhëruar vartësit e tij, juristen dhe hartografen e Hipotekës që të bëjnë korrigjimin e hartës treguese dhe kartelave, duke ndryshuar pronësinë në favor të vjehrrit të tij, bënë të ditur burime nga grupi i hetimit të cilët gjatë këtyre muajve kanë hetuar dokumentacionin e sipërfaqes prej 2500 m2, ku ishte kryer edhe mbivendosja.
Edmond Banushaj ka drejtuar Hipotekën e Vlorës nga viti 2007 2009. Ai ndodhej ende në proces gjyqësor pasi u arrestua dhe ndiqej në gjendje të lirë po për çështje abuzive që kanë të bëjnë me pronat. Banushaj u arrestua më 1 tetor të vitit 2009 pas operacionit të koduar Fillimi i vjeshtës, së bashku me ish- juristin e zyrës së regjistrimit të pasurive Viktor Kuçi, 48 vjeç. Në bashkëpunim ata akuzoheshin se kishin falsifikuar dokumentet e një sipërfaqeje toke në Vlorë prej 800 m2 duke i kaluar në emër të një tjetër shtetasi. Procesi gjyqësor vijonte në gjykatën e Vlorës për këtë çështje, por tashmë ndaj ish- kreut të Hipotekës shtohen akuzat dhe denoncimet, që çuan në arrestimin e tij për të dytën herë.