E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet mësuesi, s’e dinte për drogën

 

Trazhgim Sokolaj

Një gabim i ardhur prej kombinimit rastësor të rrethanave me mungesën e vëmendjes, i ka kushtuar rreth një muaj qëndrim në qeli me akuzën e rëndë, trafik ndër-kombëtar droge. Megjithatë ai është rikthyer në jetën e përditshme, Gjykata e Krimeve të Rënda ka pushuar akuzat dhe masën e arrestit, ndërsa pret të marrë dëmshpërblimin për ditët e qëndrimit të padrejtë në paraburgim. Arben Kaçorri, mësuesi i lëndës së Informatikës në gjimnazin "Abaz Shehu" në Tepelenë, thotë se nuk ka pasur dijeni për katër kilogramë drogë dhe 300 gramë kokainë që u gjetën në makinën e tij nga policia. Ai është arrestuar nga policia më 26 qershor 2008 në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, për shkak se në makinën e tij tip "Benz" me targa TP 2244 B u gjetën 4 kilogramë lëndë narkotike. Në një prononcim për gazetën "Panorama", mësuesi i lëndës së Informatikës në Tepelenë sqaroi gjithë ngjarjen tashmë, kur është kthyer pranë familjes, kolegëve dhe bashkëqytetarëve të tij.
Ju këmbëngulni në pafajësinë tuaj, si ndodhi që policia ju arrestoi me drogë në makinë më 26 qershor 2008, kur po kalonit nga Kakavija në drejtim të Greqisë?
Unë jam mësues i lëndës së Informatikës në shkollën e mesme të Tepelenës, "Abaz Shehu". Të premteve, pasi mbaroj mësimin, vazhdimisht shkoj në Greqi me makinën time, herë me gruan dhe herë të tjera për të marrë furnizim për një dyqan të vogël që kam këtu. Atë ditë kur më ndaloi policia kam pasur dy persona, pasagjerë në makinë dhe në bagazh kisha dy çanta, në njërën ishte një enë me mjaltë dhe në tjetrën një kovë me gjizë. Ato m'i dha një person në Tepelenë dhe më tha t'ua dorëzoja të afërmve të tij emigrantë në Greqi, duke më paguar 10 euro për transportin e tyre. Çantat m'i kanë sjellë një orë para se të nisesha për Greqi. Në momentin kur i kam vendosur në makinë, kam parë enën e mjaltit, ndërsa kur tentova të shikoja kovën me gjizë, kërkova një shkop për ta trazuar. Personi më tha se gjiza prishej nëse e trazoja me shkop në pjesën e brendshme të kovës. Nga nxitimi dhe mungesa e duhur e vëmendjes unë e vendosa çantën në bagazh pa e kontrolluar dhe u nisa si zakonisht për në Greqi. Në Kakavijë policia më ndaloi në flagrancë. I pashë policët që po merrnin çantat dhe enët me ushqime në bagazh, por isha disa metra larg makinës dhe nuk po kuptoja çfarë po bënin. Në televizor kam parë më pas çfarë ishte gjetur në makinën time, pikërisht në kovën me gjizë, ishin gjetur pesë qese plastike me drogë.
Çfarë ndodhi më pas?
Menjëherë sapo më ndaluan unë i thashë hetuesisë dhe Prokurorisë se isha i gatshëm të hetohesha deri në fund dhe të vendosej drejtësi. U sqarova se nuk e dija çfarë kishte në enën me gjizë dhe se nuk e kisha kontrolluar para se ta vendosja në makinë e të nisesha për në Greqi. Ma kishte sjellë një banor i Tepelenës, të gjithë e dinin që shkoja herë për furnizim e herë me gruan në Greqi, ndaj m'i solli ato ushqime. Për këtë shkak Prokuroria kërkoi në Gjykatë të mbahesha 30 ditë në burg, derisa të verifikoheshin thëniet e mia.
Si ndodhi që u liruat nga paraburgimi?
Ekzaktësisht 30 ditë pasi gjykata kishte vendosur masën e sigurisë ndaj meje, në këtë afat kohor Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri hetimet e saj. Më 26 korrik 2008 kam dalë para gjykatës dhe trupi gjykues në bazë të hetimeve të Prokurorisë, vendosi pushimin e masës së sigurisë dhe akuzës së ngritur ndaj meje si dhe lirimin nga paraburgimi. Disa orë më vonë, po atë ditë, rreth orës 20:00 ka mbërritur në paraburgimin ku mbahesha vendimi i Gjykatës që urdhëronte lirimin tim.
Pra, ju u liruat nga çdo masë arresti dhe nga çdo dyshim?
Po, më thanë se mund të firmosja dhe të dilja nga burgu që atë natë. Hetimet e Prokurorisë kishin vërtetuar thëniet e mia, unë nuk kisha asnjë dijeni se çfarë kishte në enën me gjizë. Gjatë punës time si mësues në gjimnazin e Tepelenës, unë kam qenë armik i hapur dhe kundërshtues për ato pak raste të nxënësve që kemi konstatuar se tentonin të konsumonin lëndë narkotike apo merreshin me veprime të tilla.   
Në bazë të vendimit të gjykatës, duket se qëndrimi juaj në paraburgim ka qenë i paligjshëm, si do të veproni për këtë?
Ndalimi im nga policia ishte një ngjarje e keqe për mua. Megjithatë, familja, kolegët dhe bashkëqytetarët e mi nuk e vunë asnjëherë në dyshim se unë isha i pafajshëm. Drejtësia bëri punën e saj dhe unë tani pres të marr edhe dëmshpërblim për ditët e qëndrimit në burg në mënyrë të padrejtë. Kam dëgjuar shumë të flitet me kritika për drejtësinë, por në rastin tim ajo veproi dhe veproi në kohë. Më bëri përshtypje që derisa bëhej fjalë për lirinë time dhe pasi ishte verifikuar pafajësia ime, vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda për lirimin tim erdhi në paraburgim vetëm pak orë pasi u dha në sallën e gjyqit. Edhe makinën që më pati bllokuar policia, ma kthyen me vendim gjykate pa asnjë dëmtim. Pavarësisht asaj çfarë ndodhi për shkak të mungesës së vëmendjes, tani jam kthyer pranë familjes, kolegëve dhe miqve të mi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›