E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli lë në burg të akuzuarin për grabitjen e bankës në autostradë

 

TIRANE - Gjykata e Apelit e kryeqytetit vendosi dje të linte në qeli deri në përfundim të hetimeve 22-vjeçarin Fatjon Karanxha, i akuzuar për përfshirje në grabitjen e filialit të një banke në autostradë. Para gjyqtarit të gatshëm të Shkallës së Dytë, Karanxha pohoi se ishte i pafajshëm dhe se akuza në ngarkim të tij ishte e gjitha një keqkuptim për shkak të emrit "Fatjon" që kishin përmendur dy të njohurit e tij, Edmir Shehi dhe Luan Kuçi. Po kështu avokatja e tij, Vjollca Pustina, i kërkoi gjykatës lirimin e menjëhershëm nga qelia të klientit të saj, ndërsa dy të bashkëpandehurit me të pritet të gjykohen në fillim të javës së ardhshme. Burime nga organi i akuzës pohojnë se hetimet e deritanishme kanë nxjerrë emrat e tre bashkëpunëtorëve të të arrestuarve, të cilët për arsye hetimore nuk bëhen të ditur. Prokuroria pohoi dje se menjëherë pas grabitjes së bankës në fillim të këtij muaji, policët e antikrimit kanë hedhur dyshime mbi përfshirjen e adoleshentit Shehi në këtë grabitje. Pas kësaj, telefoni i tij është vënë në përgjim, ku në disa biseda të shpeshta me 22-vjeçarin Kuçi, ai ka përmendur emrin "Fatjon". Kaq ka mjaftuar dhe policia ka vënë në përgjim edhe 22-vjeçarin Fatjon Karanxha, i njohur prej Kuçit dhe Shehit. Përgjimi i tyre ka vazhduar për katër ditë me radhë, dhe menjëherë pas lokalizimit të vendndodhjes të dy këta janë prangosur dhe janë dërguar në qeli, ku janë përgjuar sërish. Gjatë deklarimeve të dhëna në qeli, asnjëri prej tyre nuk ka dhënë detaje për armët, mënyrën e krimit apo fshehjen e parave të vjedhura në bankë, që mendohet se janë 10 milionë lekë të vjetra. Karanxha pohoi se policia, pasi kishte nxjerrë urdhrin e shoqërimit të tij, e kishte kërkuar në banesë. Atë moment nuk ndodhej aty, pasi kishte shkuar të festonte në një nga pub-et e kryeqytetit ditëlindjen e një shoku. Ditën tjetër ky pohoi se ishte paraqitur vetë në polici, ku dhe ishte arrestuar, pasi nuk kishte arritur të sqaronte se ku ndodhej në orët që kishte ndodhur grabitja.                               fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›