Më në fund stabilitet
Blendi Kajsiu
Një arritje është e pamohueshme në skenën tonë politike; stabiliteti. Opozita me Ramën në krye qeveris Tiranën, pozita me Berishën në krye pjesën tjetër të vendit dhe të dyja së bashku qeverisin Shqipërinë. Ky është një model i ri i bashkëqeverisjes, që është shumë më efikas sesa modeli i tejkaluar tradicional pozitë – opozitë, tipik i politikës së vjetër. Prandaj në gati njëzet vite tranzicion skena politike shqiptare nuk ka qenë kurrë më stabël sesa sot. Stabiliteti aktual bëhet edhe më impresionues po të kemi parasysh kushtet e vështira politike në të cilat ai është arritur. Ky stabilitet është arritur pavarësisht një qeverie anti-korrupsion, që është përfshirë në skandalin më korruptiv dhe tragjik në historinë e tranzicionit shqiptar, Gërdecin. Ai është arritur pavarësisht përplasjes mes institucioneve si Presidenti, Prokuroria, Parlamenti dhe Qeveria. Pavarësisht faktit se sot kemi një nga kushtetutat më jo demokratike që Shqipëria ka pasur në dhjetë vitet e fundit dhe që nuk është miratuar me referendum popullor. Pa përmendur këtu gjendjen gjithnjë e më të vështirë ekonomike të qytetarëve shqiptarë, që akoma nuk dinë t’i gëzohen rritjes së GDP-së.
Natyrisht herë pas here stabiliteti prishet nga ndonjë ankesë e LSI-së, që pretendon se qytetarët duhet të votojnë për Kushtetutën apo të informohen se çfarë ndodh me ndërtimet në kryeqytet, apo se kryeministri duhet të jepte dorëheqjen pas Gërdecit. Por sikurse thotë me të drejtë kryetari Rama, kjo vjen ngaqë LSI-në apo qytetarë të tjerë të shqetësuar i ka zënë mllefi. Sipas këtij përkufizimi, mllefi është një irritim cerebral (mendor) që në demokraci shkaktohet nga fenomene politike si deformimi i Kushtetutës, hedhja në erë e qytetarëve, mohimi i të drejtës për referendum apo leje ndërtimi që jepen jo në kuadrin e ndonjë plani urbanistik, por thjesht në kuadrin e interesave personale. Ilaçi kryesor ndaj mllefit cerebral është mpirja cerebrale, apo ajo që në gjuhën popullore quhet “trashja”.
Tek ky ilaç duhet kërkuar edhe një nga arsyet e suksesit të stabilitetit aktual në skenën politike. Si Berisha, ashtu edhe Rama, tashmë prodhojnë pafund nga ky ilaç. Sekreti i këtij ilaçi qëndron te ndërmarrja e veprimeve apo qëndrimeve që e habisin qytetarin aq shumë, saqë e lënë pa fjalë. Kur kjo përsëritet në mënyrë konstante për një periudhë të caktuar, qytetari kalon nga stadi i gjendjes habitore tek momenti i mpirjes cerebrale (ndryshe “trashja”), momenti ku individit nuk i bën më përshtypje asgjë. Në këtë pikë individi është tërësisht i shëruar nga mllefi. Atij apo asaj nuk i bën më përshtypje asnjë lloj padrejtësie sociale, abuzimi apo mashtrimi politik.
Kryeministri aktual për nga vetë profesioni është politikani më i aftë në administrimin e këtij ilaçi. Kryeministri deklaron se hetimi i Gërdecit do të bëhet deri në fund, edhe pse të gjithë i dinë përgjegjësitë dhe përfshirjen e tij direkte në këtë tragjedi. Ai deklaron se kritikat ndërkombëtare ndaj qeverisë së tij janë trillime në të njëjtën ditë që ambasada amerikane i bën këto kritika. Ai deklaron se institucionet janë krejt të pavarura, menjëherë sapo i ka rrëzuar të gjashta dekretet e Presidentit për Gjykatën e Lartë. Qeveria aktuale sot flet me krenari për kartat e identitetit, që ende nuk janë bërë, edhe pse u premtua se do mbaronin deri në vitin 2007. Qeveria sot flet për rritje dhe transformim spektakolar të ekonomisë shqiptare, ndërsa qytetarët shqiptarë janë aq të lumtur me zhvillimin, saqë janë gati ta lënë Shqipërinë sapo t’i jepet mundësia.
Prandaj qytetarët apo opinioni publik sot janë “trashur” apo “mpirë” nga qeverisja aktuale. Është arritur në një pikë ku vështirë sesa diçka mund të të bëjë më përshtypje. Madje, edhe kërcënimet dhe sharjet e kryeministrit në Parlament mund të interpretohen thjesht si një incident krejtësisht normal dhe brenda logjikës demokratike. Por kjo ndodh, sepse demokracia tashmë tek ne e ka humbur logjikën.
Më shumë se kudo kjo duket te qëndrimi i PS-së dhe kryetarit të saj Rama. Nga njëra anë PS-ja akuzon Berishën se po kontrollon institucionet, nga ana tjetër po PS-ja aprovon ndryshime kushtetuese që e lejojnë Berishën që t’i kontrollojë institucionet. Nga njëra anë Rama ndërmerr dialogun me Shqipërinë për të dëgjuar zërin e qytetarëve, nga ana tjetër po Rama nuk dëshiron të dëgjojë qytetarët të shprehen për Kushtetutën. Nga njëra anë Bashkia e Tiranës deklaron se po e bën Tiranën qytet supermodern, me kryevepra botërore alla “Tirana Rocks”. Nga ana tjetër i gjithë ky modernizim i Tiranës po bëhet pa një plan urbanistik, edhe pse Rama ka gati dhjetë vjet që e premton atë. Të gjitha këto nonsense fillimisht të habisin, më pas të trashin dhe së fundi të mpijnë, duke të çliruar nga sëmundje të sikletshme si mllefi.