E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohet nga burgu biznesmeni italian

MASA/ Italo Gigante u arrestua 16 ditë më parë në aeroportin e Rinasit pas një urdhër-arresti të drejtësisë belge


57-vjeçari akuzohet për afera bashkë me disa zyrtarë të Komisionit Evropian për një ndërtesë në Laprakë


TIRANË- Gjykata e Apelit në kryeqytet vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga ajo e "arrestit me burg" në masën "arrest shtëpie" me afat 40-ditor për ndërtuesin italian Italo Gigante, i prangosur 16 ditë më parë në aeroportin e Rinasit mbi bazën e urdhër-arrestit të lëshuar nga autoritetet e drejtësisë belge.


Kjo masë shtrënguese, sipas vendimit të gjykatës, është e mjaftueshme për institucionin e akuzës në Belgjikë që ka sjellë në Shqipëri kërkesën për ekstradimin e 57-vjeçarit, që akuzohet për "korrupsion aktiv dhe pasiv", "falsifikim dhe përdorim të dokumenteve të falsifikuara", si dhe "pastrimit të parave". Në seancën e djeshme gjyqësore, 57-vjeçari i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se këtë histori e ka vuajtur njëherë dhe në asnjë rast nuk i është fshehur drejtësisë.


Përveç vetë të arrestuarit, para togave të zeza ka folur edhe mbrojtësi ligjor, Ardian Visha, i cili ka ngritur pretendimet në çështjet teknike dhe proceduriale të ekzekutimit të urdhër-arrestit të lëshuar nga zyra e Interpolit në Francë. Sipas tij, arrestimi i 57-vjeçarit Gigante si person i kërkuar nga autoritetet belge nuk duhej të bëhej nga agjentë të Interpolit, por të Europolit dhe se klienti i tij nuk është i kërkuar në atdheun e tij, çka vërteton, sipas mbrojtjes, se ndërtuesi italian Gigante nuk ka jetuar në fshehtësi.


Por këtë pretendim e ka hedhur poshtë prokurori i çështjes, i cili në fjalën e tij, përveç kundërshtimeve të argumenteve të mbrojtjes, ka paraqitur urdhër-arrestin me nr. 121/04, të datës 31 korrik 2007 të nënshkruar nga Berta Bernando Mendez (Juge d'instuction de Bruxeles).


Ndërsa, në lidhje me masën e sigurisë, prokurori i kërkoi togave të zeza që 57-vjeçari të izolohet në qeli me masën "arrest me burg" me afat 60 ditor deri në ardhjen e kërkesës për ekstradimin e tij. Në përfundim të këtyre pretendimeve, treshja gjykuese vendosi të lirojë nga qelia e paraburgimit Giganten dhe ta "mbyllë" në banesën e shtetasit me inicialet V.A. me masën shtrënguese "arrest shtëpie" me afat 40-ditor.


Ndërkaq, dy javë më pare, ishte gjyqtarja Mimoza Kajo e Gjykatës së Shkallës së Parë e cila pranoi kërkesën e prokurorisë për izolimin e 57-vjeçarit në qeli me masën "arrest me burg" duke mos pranuar kërkesën e mbrojtjes për një masë më të butë kundrejt garancisë pasurore.


Sipas të dhënave të shpërndara nga autoritetet belge, ndërtuesi italian Gigante u akuzua në mars të 2007-s dhe më pas u arrestua së bashku me tre shtetas italianë, zyrtarë të Komisionit Evropian nën akuzën e përfshirjes në një skemë më të gjerë korrupsioni që kishte lidhje me rindërtimin dhe marrjen me qira të ndërtesave që do të ktheheshin në seli të delegacioneve të KE-së në Tiranë, si dhe Nju Delhi të Indisë.


Sipas akuzës, Gigante me ndihmën e një kompanie belge që prej kohësh merrej me mirëmbajtjen dhe rindërtimin e ndërtesave të Komisionit Evropian (Berlaymont) dhe Këshillin Evropian (në ndërtesën Lipsius Justus), kishin nënshkruar një kontratë 4-vjeçare me një shumë prej 60 milionë eurosh.


Ata gjetën në Shqipëri një ndërtesë shtatë kate që ishte e re dhe e sapondërtuar në lagjen Laprakë të Tiranës. Përfaqësuesit evropianë do të përdornin katër kate për zyra dhe katin e pestë për vendbanimin e kryetarit të delegacionit të KE-së. Kjo ndërtesë, edhe pse e re, në letra u përshkrua si ndërtesë e rindërtuar me paratë e fondit të BE-së dhe më pas me një qira rreth 50 000 euro në muaj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›