E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjigja me kallash

Zija e ka pllakosur familjen Krasniqi nga fshati Grashticë. Dy anëtarë të kësaj familjeje kanë mbetur të vrarë, një është plagosur, kurse mbesa e tyre 17 vjeçe ka shpëtuar për mrekulli.

Bejtush Gashi dyshohet se e ka vrarë ish- gruan tij, Elhame Krasniqin (40), babanë e gruas, Shaban Krasniqin (70) dhe e ka plagosur motrën e ish-gruas, Hidajete Krasniqin (25) nga fshati Grashticë. E vetmja që i ka shpëtuar kësaj tragjedie, është vajza e të dyshuarit, Pranvera (17), e cila sapo ka dëgjuar të shtëna armësh, ka filluar të vrapojë, duke i thirrur fqinjët që ta ndihmojnë.

Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së mërkurës në fshatin Bardhosh të Prishtinës.

E gjithë ngjarja ka filluar kur Shabani, tashmë i ndjerë, bashkë me vajzën e tij, Hidajeten, e cila mbeti e plagosur, kanë shkuar tek Elhamja për vizitë.
Elhamja me ish- burrin e saj, Bejtushin, jetonin nën një kulm të shtëpisë, por jo së bashku. Kishte dy vjet që ata ishin divorcuar dhe Elhamja me fëmijët që i kishte me Bejtushin, dy djem dhe një vajzë, jetonte në katin e parë.
Kurse në katin e dytë të shtëpisë, Bejtueshi jetonte me gruan e tij tjetër.

Në momentin kur viktima, Elhamja kishte dalë për ta përcjellë babanë dhe motrën e saj që i kishin shkuar vizitë, ish-burri i saj, Bejtushi, del në dritaren e katit të dytë dhe nga atje fillon të gjuajë në drejtim të tyre.

Nga atje, ai fillon të gjuajë me armë zjarri në drejtim të familjarëve të ish-gruas së tij duke i vrarë dhe plagosur.
Rexhep Krasniqi, vëllai i plakut, Shabanit të ndjerë, thotë për Express se ai kishte shkuar te vajza e tij Elhamja, për t’i ndihmuar në disa punë rreth shtëpisë.

“Elhamja e thirri babën e vet (Shabanin) për me ndreqë diçka në shpi. Ai më tregoi se po niset tek ajo, por nuk u kthye ma”, thotë Rexhepi i mërzitur. Ai në fshatin Grashticë ka hapur të pame.

Sipas familjarëve dhe fqinjëve, këtij rasti të rëndë i ka paraprirë një zënkë për çështje pronësore. Ata thonë se e gjithë ngjarja ka filluar dy vjet më parë, kur çifti ishte ndarë.
Elhamja ka kërkuar që pas divorcit, ta marrë një pjesë e pasurisë së ish-bashkëshortit, ashtu siç edhe i takon me ligj. Sipas ligjit të aplikueshëm në Kosovë, në rast të divorcit të çiftit, pasuria e tyre ndahet, varësisht sipas situatës.

Madje ligji e përcakton se të drejtë në ndarjen e pasurisë kanë edhe femrat dhe jo siç është zakon, që pasuria e prindërve, ndahet vetëm ndërmjet meshkujve të familjes.
Vesel Avdullahu, i afërm i Elhames së ndjerë, njëkohësisht edhe fqinj i saj, tregon për Express se pas ndarjes me gjyq të çiftit, ajo ( Elhamja) e ka kërkuar gjysmën e pasurisë, ashtu edhe si e parashikon ligji.

“Asaj i ka taku një pjesë e pasurisë, është shumë normale. Po prej asaj dite, këta të dy nuk janë marrë vesh kurrë për këtë punë, deri sot kur u shua gjysma e familjes”, shprehet Veseli. Ai thotë të jetë i lodhur nga tronditja si dhe deklaratat e dhëna në polici në lidhje me rastin. Veseli thotë se ka qenë i pari që e ka parë tërë ngjarjen, trupat e vrarë dhe të mbuluar me gjak.

Në shtëpinë e familjes Krasniqi në Grashticë, tashmë është hapur e pamja. Burra e gra shkojnë për ta ngushëlluar këtë familje, ndërkohë që trupat e pajetë të të afërmve të tyre, ndodhen ende në morg për ekzaminim mjekësor.
Hamidja është nëna e Elhames së ndjerë. Ajo qëndron te dera e oborrit duke vajtuar dhe duke i pritur trupat e pajetë të burrit dhe vajzës së saj. Ajo thotë se e ka parandjerë një fatkeqësi, e cila do të ndodhte ndonjëherë.

“Kam çka me ju kallxu rrafsh tri ditë, çka ka hjekë vajza ime, qysh kur u nda me burrin e saj. Ma ka ndi zemra se ka me ndodhë ma e keqja”, thotë Hamidja e përlotur.

Asaj thotë se krejt çfarë i ka mbetur, është përfundimi i ceremonisë mortore, ashtu siç e do tradita. “Veç po du me pa trupin e çikës edhe të burrit në shpi. M’i varrosë qysh e meritojnë”, thotë Hamidja, e cila vazhdon t’i lutet Zotit që ta shpëtonte vajzën tjetër të saj që ndodhet e plagosur. “Më kanë thënë se Hidajetja është mirë. E di që ka me metë me pasoja se u plagosë në kofshë, por bile e kom gjallë në shtëpi”, thotë Hamidja duke vajtuar.

Pasi dyshohet e ka kryer aktin e rëndë të vrasjeve, Bejtush Gashi, sipas dëshmitarëve, nuk ka tentuar fare të ikë. Ai ka qëndruar në shtëpi dhe e ka pritur policinë.

Ndërkohë, sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 17 e 30 minuta, kur në stacionin policor, është pranuar një informatë se në fshatin Bardhosh, në afërsi të kishës ortodokse, ka ndodhur një vrasje.

“Njësitet e nënstacionit policor të Bërnicës për më pak se 5 minuta kanë arritur në vendin e ngjarjes, dhe kanë arrestuar një të dyshuar, i cili në duart e tij akoma kishte një armë automatike të llojit AK 47, e cila dyshohet se është përdorur nga personi në këtë rast”, njofton policia.
Në vendngjarje kanë dalë edhe njësitë e hetuesisë, krim teknikës për të bërë ekzaminimin e nevojshëm si dhe prokurori publik i Prokurorisë së Qarkut. “Nga informatat e para preliminare, policët kanë kuptuar se i dyshuari Bejtush G. 45 vjeç, ka shtënë me armë zjarri në ish-gruan e tij, E. K. 40-vjeçare, në prindin e saj Sh. K. 70 vjeç, si dhe në motrën e ish-gruas së tij H. K. 35-vjeçare”, thuket në njoftimin e PK-së.

Sipas versionit zyrtar, nga plagët e marra, ish-gruaja e të dyshimtit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes dhe vdekjen e saj e ka konstatuar edhe mjeku kujdestar. Ekipi i ndihmës së shpejtë ka transportuar dy personat e plagosur me armë zjarri në QKUK për trajtim mjekësor.

“Rreth orës 19 e 30 minuta, është pranuar informata se Sh. K, si pasojë e plagëve, ka ndërruar jetë”, ka njoftuar policia. Kurse viktima e tretë në këtë incident kriminal H. K, është duke u trajtuar në QKUK dhe se është e lënduar rëndë”, njofton policia.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›