E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditëlindje pa zhurmë

Regjisori Kujtim Çashku ka refuzuar të marrë pjesë në programin që Arkivi i Filmit ka përgatitur për nder të tij, në 60-vjetorin e lindjes


Regjisori Kujtim Çashku ka vendosur ta kremtojë në qetësi përvjetorin e gjashtëdhjetë të lindjes. Pa kujtime, pa fjalime kolegësh, pa intervista.


Megjithatë, Arkivi Qendror i Filmit nuk lejon që të kalohet edhe aq në qetësi ky rast.


Më 4 gusht, ora 12.00, në sallën e re të kinemasë shfaqet për publikun filmi "Koloneli Bunker" (1998) një nga realizimet më të mira të kinemasë shqiptare pas viteve nëntëdhjetë, i pari prodhim pas shpërbërjes së Kinostudios "Shqipëria e Re" . Një ditë më vonë, më 5 gusht, ditën e lindjes së regjisorit, shfaqet në po të njëjtën orë, filmi "Syri Magjik" (2005).


Krijimtaria e Kujtim Çashkut i kalon të 30 vitet. Filmi i parë, pasi studimeve në Bukuresht, është "Pranverë në zemrat tona", i realizuar më 1977.


Deri në vitet '90 ai realizoi filmat: "Pas Vdekjes" (1980), "Gjakftohtësia" (1981), "Shokët" (1982), "Dora e ngrohtë" (1983), "Të paftuarit" (1985), "Vrasje në gjueti" (1987). Fillimi i viteve '80 nuk ishte i mbarë për krijimtarinë e Çashkut. Dy filmat të tij: "Pas vdekjes" dhe "Gjakftohtësia" u censuruan nga regjimi i kohës.


I pari, megjithëse me skena të prera, është një krijim interesant, një bardhë e zi ironike dhe misterioze që Çashku i ka dhënë fabulës së Çajupit, me lojë të shkëlqyer të aktorëve Kadri Roshi e Pavlina Mani. Fat të keq pati më 1981 "Gjakftohtësia" i cili u ndërpre në xhirime.


Bashkim Shehu, biri i ish kryeministrit Mehmet Shehu i sapo vetëvrarë, ishte skenarist. Në rolet kryesore interpretonin Kadri Roshi dhe Drita Pelinku. Arkivi ruan skena nga xhirimet e kësaj vepre.


Në kapërcyell të epokave ai realizon një vepër metaforë e hapur për fundin e regjimit komunist: "Balada e Kurbinit" (1990). Ndihet njëfarë ndikimi nga proza e romaneve otomane të Ismail Kadaresë me të cilin Çashku pat bashkëpunuar për filmin "Ballë për ballë" ngritur nga shtrati i romanit "Dimri i vetmisë së madhe".


Pas '90-s, vijnë dy filmat të cilat AQSH i shfaq pas pak ditësh për publikun. Në disa prej filmave të lartpërmendur ndihet një lloj lirie prirja për origjinalitet.


Me filmin "Kolonel Bunker" dhe "Syri magjik", Arkivi hap programin e filmave që do të shfaqen deri në fund të vitit. Në tre të mërkurat e çdo muaji, ora 12.00, dhe të mërkurën e fundit në orën 17.00, Arkivi shfaq falas për publikun filma shqiptarë dhe të huaj.


Në program janë planifikuar edhe filmat: "Çatia" (Il Tetto, 1956) e Vittorio De Sica, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (Il generale dell armata morta, 1983) i Luciano Tovolit bazuar në romanin me njëjtin titull të Ismail Kadaresë, me akorët Marcello Mastroianni, Michel Piccoli dhe Anouk Aimée; "I huaji" (Lo Straniero,1967) i Luchino Viscontit, apo filmat shqiptarë: "Kur pranvera vonohet" i regjisorit kosovar Ekrem Kryeziu dhe filmat më të rinj, premiera të 2010-ës: "Balkan Pazar" i Edmond Budinës, dhe "Farmakon" i Joni Shanajt.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›