E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet vëllai i Arben Frrokut: Presion policor. Më përgjojnë edhe makinën

policia-e-tiranesTiranë- Dy orë pas shoqërimit në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës është liruar vëllai i Arben Frrokut, Mark Frroku. Në një prononcim për mediat, ai ka deklaruar se e gjitha kjo është një presion nga policia dhe Ministria e Brendshme, sipas Frrokut.

Marku tha edhe se automjeti i tij ka qenë nën vëzhgim që nga dita që është arrestuar i vëllai, Arben Frroku, që është i dyshuari kryesor për vrasjen e kryekomisar, Dritan Lamaj.

“Ky është presion policor shtetëror, orkestruar nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë. U bëj thirrje: larg duart nga Partia Kristiandemokrate. Ne kishim një mbledhje të kryesisë së partisë kur më ndaluan. Historia ka nisur me arrestimin e vëllait tim; makina ime është ndjekur dhe më kanë kërkuar edhe çelësat. Sepse nuk e hapin dot, pasi është makinë e shtrenjtë. Ata kanë instaluar aty pajisjet e tyre, që unë i kam hequr se nuk lejoj të më përgjojnë bisedat familjare”-ka Mark Frroku për mediat.

Mark Frroku tha se ai dhe familja e tij janë shoqëruar në polici edhe herë të tjera: ne jemi vënë nën presionin e policisë së rendit, jemi shoqëruar disa herë, kjo është e 5-ta herë që unë shoqërohem në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. E gjithë familja ime është shoqëruar deri në 3 herë. Ky është një presion i madh ndaj familjes time,- u shpreh ai.

Të hënën në mbrëmje rreth orës 22:00, vëllai i Arben Frrokut, Mark Frroku është shoqëruar për në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Mark Frroku është kryetari i Partisë Kristiandemokrate në Qarkun e Shkodrës, i cili së bashku me vëllanë e tij, tashmë i dyshuari kryesore për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, janë në listën e kandidatëve kristiandemokratë për deputet të Shkodrës.

Nuk dihet ende se për çfarë motivi, blutë kanë shoqëruar Mark Frrokun në ambjentet e Drejtorisë së Policisë.

Ditën e djeshme, Partia Kristiandemokrate çeli fushatën në qytetin e Shkodrës.

Kryetari i Partisë Kristiandemokrate Shqiptare , Dhimitër Muslia tha: “Ne jemi rreshtuar në koalicionin e majtë pasi jemi të bindur me domosdoshmërinë e rotacionit politik, ndërsa si parti që udhëhiqemi nga kristiandemokracia e vërtetë garantojmë seriozitet e përkushtim ndaj votuesve e qytetarëve shqiptarë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›