E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet vëllai i kunatit të Lul Berishës, vrau për vetëmbrojtje

TIRANE - Redinel Dervishaj, vëllai i Plaurent Dervishajt, personit më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, është liruar dy ditë më parë nga të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij për vrasjen e një 34-vjeçari në Amerikë. Ka qenë Gjykata e State Island në Nju Jork, e cila pasi ka administruar dhe ka parë pamjet e kamerave të sigurisë ka vendosur shpalljen të pafajshëm të Dervishajt, pasi sipas saj, dukej qartë që shqiptari e ka qëlluar viktimën Antonio Laçertoza, pasi ky i fundit e kishte sulmuar. Por ndërkaq, mësohet se Dervishaj nuk është lënë i lirë menjëherë, pasi pritet që gjatë dy ditëve në vijim t'i hiqet dhe një penalitet që është vendosur nga ana e Zyrës së Emigracionit. Redinel Dervishaj, vëllai i Plaurent Dervishajt, një prej më të kërkuarve në Shqipëri, njëkohësisht dhe kunati i kreut të bandës së Durrësit Lulzim Berisha, u akuza fillimisht për vrasjen në një restorant të italianit Antonio Laçertoza, i cili ndodhej duke darkuar me miqtë e duke festuar fejesën. Pas një ngatërrese mes tyre, Dervishaj goditi me thikë disa herë për vdekje Lakertozën.
Vendimi
Ka qenë një gjykatë e Nju Jorkut, e cila pasi ka dëgjuar dëshmitë e personave dhe ka parë pamjet filmike të kamerave të sigurisë, ka vendosur të rrëzojë të gjitha akuzat e ngritura ndaj 35-vjeçarit Dervishaj, pasi në to dilte qartë se mbrëmjen e 17 marsit, ai është sulmuar fillimisht nga viktima dhe miqtë e tij dhe e ka qëlluar këtë të fundit për t'u vetëmbrojtur. Menjëherë pas përfundimit të seancës gjyqësore, mbrojtësi i Redinel Derivishajt, Thomas Reilly është shprehur i kënaqur që klienti i tij nuk është shpallur fajtor, pasi të gjitha provat dëshmonin të kundërtën. "Për fat të mirë, e gjithë skena është filmuar nga kamerat. Ju e keni parë qartë klientin tim duke u rrahur dhe duke u hedhur mbi makina. Ai shkoi në makinën e tij për të shpëtuar, por u ndoq nga pas prej gjashtë djemve dhe u godit me shishe.", - deklaroi avokati i Dervishajt. Më tej, ai shtoi se klienti i tij për t'u shpëtuar sulmeve është futur brenda lokalit, ku ka marrë një thikë dhe ka qëlluar për vetëmbrojtje ndaj Antonio Lakertozës. "Ai nuk është i lumtur se si shkoi ngjarja atë natë, sepse përfundoi në vdekjen e një të riu. Ai ndjeu se nuk kishte zgjidhje tjetër, por e bëri për të mbrojtur veten. Ai është i lumtur që kjo pjesë tashmë i përket së shkuarës, por padyshim ai gjithmonë do të duhet të jetojë me kujtimet e asaj nate.", - e mbylli prononcimin e tij avokati i Dervishajt. Ndërsa prokurori i çështjes, Daniel M. Donovan Jr. deklaroi pas procesit: "Mendimet dhe lutjet e mia shkojnë për familjen e Antonio Lakertozës dhe të fejuarën e tij. Vdekja e tij ishte një fund tragjik dhe i pakuptimtë, për një natë që filloi si një festë e jetës së re së një çift të ri."

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›