Siria zgjohet e qetë, nis armëpushimi i propozuar nga Annan
Siri- Një armëpushim në Siri i propozuar nga i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan, ka hyrë sot në fuqi, edhe pse vendet perendimore kanë shprehur dyshimin se Siria do t’i përmbahet planit të paqes.
Siria ka deklaruar se do të zbatojë armëpushimin por nuk heq dorë nga e drejta për t’iu përgjigjur sulmeve. Nga ana tjetër grupi kryesor i armatosur tha se do t’i përgjijet çdo sulmi të qeverisë.
Deri tani nuk janë raportuar shkelje apo dhunë në të gjitha rajonet. Misionari i OKB-së, Annan ka marrë garanci me shkrim nga ministri i Jashtëm sirian se trupat qeveritare ‘do të ndaloknë të gjitha luftimet ushtarake në territorin sirian në orën 06:00 me atë lokale…duke rezervuar të drejtën për t’iu përgjigjur në mënyrë proporcionale të gjitha sulmeve të kryera nga grupet e armatosura terroriste’.
Një presion i fuqishëm ndërkombetar është bërë ndaj qeverisë siriane që të arrihet marrëveshja e paqes me Annan-in. Mbi të gjitha BBC raporton se Rusia duhet të ketë ushtruar shumë influence në prapaskenë që Damasku të ndryshonte qëndrim.
Po ashtu Kina dhe Irani, dy vendet mike të Sirisë kanë mbështetur fuqishëm marrveshjen e Annan-it dhe mund të kenë ndihmuar për të bindur presidentin sirian Bashar al’Assad që të pranojë marrëveshjen e paqes.
Takime të rëndësishme do të pasojnë ditët në vazhdim mes zyrtarëve të Sirisë dhe ndërkombetarëve perendimorë. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se 9.000 njerëz kanë vdekur në protestat antiqeveritare që prej Marsit 2011, kur ato filluan.
Dorina Bilbili/IDEA/