Lisa Kujofsa - Ju rrëfej prapaskenat e Apartamentit 2xl
klotilda harka
Nuk e kishte menduar veten në televizion dhe aq më tepër në shfaqje pa skenar, ku të papriturat nuk mungojnë. E nisi si fallxhorja e VIP-ave në spektaklin “Mos e nxeh” dhe tani mund të luajë 1001 personazhe brenda një nate. Lisa Kujofsa çdo të diel në “Apartamentin 2xl” luan dhe improvizon me Julin, Gentin dhe Ermalin. Si arriti të bëhet pjesë e këtij spektakli, marrëdhënia e saj me tre djemtë e njohur të humorit dhe jeta që bën, i tregon në këtë intervistë:
Lisa ke luajtur fallxhoren në spektaklin “Mos u nxeh”, si ndodhi që u përfshive në televizion?
Them se ndodhi fare rastësisht. Kjo mundësi m’u ofrua si punë dhe unë thjesht pranova pasi për momentin isha e paangazhuar diku. Por të merresha me televizion nuk ishte në planet e mia.
Si ndiheshe si fallxhorja e VIP-ave, kujton ndonjë moment të veçantë nga ai spektakël?
Qëllimi i fallxhores në “Mos u nxeh” ishte t’i “nxehte” VIP-at me ngacmime, sigurisht shoqëruar edhe me një tis humori, sepse në fund të fundit ajo është një lojë dhe njerëzit duhet të argëtohen. Ka patur shumë momente të veçanta, por unë personalisht kënaqësinë më të madhe e ndjeja kur shikoja VIP-at të viheshin në vështirësitë e lojës.
Tani je aktorja e vetme femër që bën humor në “Apartamenti 2xL”, përse të zgjodhën ty?
(Qesh) Po ndoshta sepse jam më e mira?! (bëj shaka) Unë i jam shumë mirënjohëse producentit të këtij spektakli Turian Hyska, por pse më zgjodhi mua akoma nuk ma ka thënë. Të lutem pyete nga ana ime…
I njihje më parë secilin prej tre djemve të “The SHBLSH” personalisht, dhe është e vështirë t’ua dalësh atyre të tre, Julit, Gentit dhe Ermalit?
Me Julin dhe Gentin njihesha më parë sepse ata të dy janë aktorë dhe kanë mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura dhe na ka rënë rasti të ndeshemi, por nuk kishim punuar kurrë bashkë. Ndërsa Ermalin e kam njohur te “Mos u nxeh”. Në fillim e pranoj e kisha shumë të vështirë, pasi ata të tre kanë shumë vite që punojnë bashkë dhe e njohin mirë njëri-tjetrin në proces pune. Përshtatja ime me ta dhe anasjelltas ndodhi shumë shpejt, kjo mbase sepse të dyja palët jemi shumë komodë dhe të hapur në punë.
Kush nga ata të tre ështe më i paparashikueshmi, më nevriku dhe që të prish ty humorin?
Julian Deda (qesh). Por nuk ma prish humorin përkundrazi sa më shumë me nerva bëhet aq më shume më argëton.
Megjithëse bëhet fjalë për një show humoristik pa skenar, je gjendur ndonjëherë para të papriturave të pakëndshme në skenë që nuk do të kishe dashur t’i bëje?
Deri tani nuk jam penduar për asgjë që mund të kem bërë në skenë. Në fund të fundit unë jam aktore dhe kjo është detyra ime. Roli është rol dhe të vetmet të papritura të pakëndshme, që mund të kenë ndodhur janë problemet teknike, kur më është dashur të vrapoj, edhe pse kam qenë me taka shumë të larta. Ose siç ndodhi në puntatën e fundit që më rrëshkiti karrigia por për fat nuk ndodhi asgjë e papëlqyeshme. Këtyre të papriturave po.. ua kam frikën.
Në spektaklin e fundit pamë të ftuar aktorin e njohur Fadil Kujofsa, babai yt. Cila është marrëdhënia jote me të, ka qenë një dëshirë e tij që të bëhesh aktore?
Marrëdhënia me tim atë është shumë speciale, sepse ndryshe nga të tjerët unë e kam edhe baba edhe një kritik shumë të mirë nga ana profesionale. Nëse më duhet të marr një vendim në jetën time jashtë profesionit këtë sektor e mbulon mami, ndërsa në profilin profesional im atë është padyshim pika ime e referimit. Të them të drejtën babi nuk ka qenë shumë dakort që unë të bëhesha aktore, mbase sepse është koshient si shumë njerëz në Shqipëri që arti vlerësohet shumë pak dhe ka të drejtë. Por për mua ishte shumë vonë. Dëshira për t’u bërë aktore i mposhti të gjitha vështirësitë eventuale.
Ashtu si tre djemtë e grupit “The Shblsh” po identifikohesh si aktore humori. Kjo ka qenë ëndrra jote?
Genti dhe Juli janë aktorë, dhe për publikun që ndjek teatër dhe filma shqiptarë ata janë më shumë se aktorë humori. Nuk është faji i tyre që dhe dinë të bëjnë shume mirë humor. Unë konsiderohem (ashtu siç do ta quanin në gjuhen profesionale) aktore karakteri, gjë që është e lidhur më së shumti me të dhënat e mia psiko-fizike. Edhe unë kam luajtur teatër dhe role dramatike dhe me modesti pranoj se e gjej veten shumë mirë edhe aty. Një aktor është gjithmonë në kërkim dhe sa më shumë kërkon, aq më shumë zbulon nga vetja.
Në skenën e “Apartamenti 2XL” një nga numrat më të vështirë por që ka shkaktuar më shumë të qeshura ishte kur ke dalë me patina. Nuk mendon se ekzagjerohet ndonjëherë me Lisën në spektakël?
E shoh që është bërë një shqetësim kombëtar (qesh). Por siç edhe përmenda më sipër, roli është rol dhe asgjë që ndodh në skenën e “Apartamentit 2xl” nuk është pasqyrim i realitetit. Pastaj te patinat unë vetë improvizova nuk më rrëzoi askush.
Dhe si format ky spektakël ka veçanti improvizimin, sa për qind e Lisës në jetën reale shfaqet në këtë show?
E kam pak të vështirë të flas në gjuhën e shifrave, sepse nuk jam dhe shumë e zonja. (qesh) Po kur hyj në skenë jam Lisa, kur marr urdhrin jam aktore, por gjithmonë çdo karakter që krijohet bazat i ka në personalitetin tim.
Të ka ndodhur deri tani të refuzosh, të thuash “jo këtë nuk e bëj!”?
Nëse është në funksion të spektaklit dhe është e pranueshme për të gjitha grupmoshat, nuk do të thoja kurrë jo.
Cila është jeta që bën jashtë “Apartamentit 2xl”?
Jam vajza e thjeshtë që udhëton edhe në autobuz se nuk ka makinë dhe nuk di t’i japë. Jam ajo që në fundjavë del për t’u argëtuar me miqtë, dhe që herë- herë dëgjon vërejtjet e mamasë se duhet të bëjë më shumë punë në shtëpi.