Ju rrëfej pse Seldi e refuzoi të atin
klotilda harka
Nga babai, prej të cilit kishte pritur shumë, pas 23 vjetësh, Seldi merr thjesht një letër. Ishte një mënyrë të kërkuari falje prej prindi, por ndoshta është tepër vonë për të fituar dashurinë e humbur. Gjithsesi Petrit Qalliu e mori përsipër këtë risk, që të ulej e të shkruante një letër, ku t’i përcillte të birit fjalët që nuk ia kishte thënë kurrë përballë më parë. Për Seldin, banorin e “Big Brother 3” u pa se ishte një surprizë jo shumë e këndshme. Në momentin që pa klipin ku babai donte t’ia sillte në pak minuta kohë televizive vëmendjen që ia kishte kursyer gjithë jetën e tij, ai u ndie i shokuar. Aty për aty Seldi pohoi se ishte rritur me pengun se pse babai i tij nuk i kishte ofruar asgjë gjatë këtyre 23 viteve, pse i kishte qëndruar larg duke i privuar figurën e babait?! E histori të tilla ka plot, por secili vuan eksperiencën e tij. Ndaj për Seldin, tipin adoleshent të “Big Brother” kjo kishte mbetur një marrëdhënie e errët. Nuk kishte pasur dëshirë të fliste për të atin në këtë “reality show”, duke e lënë enigmatike për publikun atë lidhje. Brenda shtëpisë në “Big Brother” Seldi ia rrëfeu historinë e tij, të parës Domenikës, pas afrimitetit që krijuan por edhe për faktin se ajo kishte pasur fat të ngjashëm në jetë. Ai i tregoi se prindërit e tij ishin ndarë që kur ai kishte qenë një vjeç, dhe se kishte jetuar në shtëpi me nënën e tij, gjyshin e gjyshen, të cilët i kishte pasur si prindër. Si dhe nuk fshehu faktin që nëna e tij tashmë jetonte me partnerin e saj, dhe ai i vetëm në shtëpi. Kaq, asgjë më shumë rreth babait, duke theksuar se nuk kishte dëshirë të fliste për të. E në një moment krejt të papritur kur publiku ishte përqëndruar te lidhja e tij me Domenikën, rrjedha ndryshoi. Kjo pas një telefonate që babai i tij i munguar kishte bërë në televizionin “Top Channel”, dhe ku kishte kërkuar se si mund të ishte i pranishëm në studion e “Big Brother”. Pas kësaj, Petriti 59 vjeçar mori një përgjigje prej djalit të rritur tashmë, që u kujdes më shumë për të mos lënduar nënën e tij, Mondën, të cilës i dedikon gjithçka ka arritur. Detaje të marrëdhënies së tij me të atin i sjell në një rrëfim të parë për gazeten “Panorama”, mamaja e Seldit, Raimonda Llapi:
Të shtunën e kaluar në spektaklin “Big Brother” u shfaq babai i Seldit, për të cilin ai nuk ishte shprehur brenda shtëpisë. Sa ishit në dijeni dhe si u ndjetë gjatë transmetimit?
Në fakt unë isha në dijeni, pasi më pyetën paraprakisht nga stafi i “Big Brother”, nëse isha dakord që i ati të vinte në studio dhe të komunikonte direkt me Seldin. Të them të drejtën nuk kisha qejf që i ati i Seldit të shfaqej në ballafaqim direkt. Sepse nuk doja të shqetësohej djali. Pastaj më kërkuan versionin e letrës dhe pranova. Them se doli diçka e bukur dhe e pëlqyeshme, ndaj falenderoj “Vëllain e madh” që e mbajti fjalën dhe bëri atë që desha unë.
Ishte babai i Seldit që e kishte kërkuar këtë gjë, apo “Big Brother” atij?
Jo, ai vetë kishte kërkuar të ishte i pranishëm në këtë “reality show” si babai i Seldit.
Bëri përshtypje gati një shokim i Seldit në momentin që pa klipin e të jatit.Pse?
Mbase i ka bërë përshtypje, sepse Seldi nuk ka mundur të komunikojë me të atin asnjëherë, dhe mbas kaq kohësh ai arrin i bën një letër publikisht. Si duket në marrëdhëniet që ka patur me të nuk është përballur kurrë në këtë mënyrë. Di të them që dilema e tij ka qenë se pse atë rrëfim në letër ai s’ia kishte bërë kurrë përballë. Më bëri dhe mua përshtypje përgjigja e Seldit kur tha: “Thjesht po mendoj kohën që i është dashur atij, për të shkruar këtë letër që është pak krahasuar me kohën që më ka munguar mua si baba”. Një përgjigje shumë e zgjuar nga ana e tij, dhe që nuk ma kishte pritur mendja.
Cila ka qenë hera e fundit që Seldi ka takuar babain e tij?
Të them të drejtën unë nuk e di, nëse e ka takuar ose jo. Di që Seldi kishte ditëlindjen më 5 Janar, dhe që i zhgënjyer tha shprehimisht: “Më erdhi shumë keq, që im atë nuk më bëri një urim për ditëlindje”. Më shumë nuk di të them.
Pse, ju nuk flisni me Seldin për marrëdhënit e tij me babain?
Unë Seldin e kam si shok dhe diskutojmë bashkë për shumë probleme. Po tani Seldi është i rritur, është në moshë madhore dhe i vendos vetë gjërat. Për sa kohë e kam pasur për dore Seldin, ia kam çuar vetë të atit ta takonte. Kam qenë e gatshme që ai të kishte marrëdhënie të mira me babain e tij, pavarësisht se sa dëshirë kishte i ati të rrinte me birin e tij.
Me aq sa e njihni babain e Seldit, si mendoni çfarë e ka shtyrë të bëhet prezent pikërisht në këtë moment?
Mbase krenaria e babait, që tani po shikon që djali i tij po bëhet dikush. Nuk e di, varet si e ka menduar ai vetë. Ndoshta i është zgjuar ndjenja prindërore.
Mendoni se Seldi ia ka falur vërtet, dhe çfarë mund të ndryshojë në marrëdhënien e tyre tani e tutje?
Nëse letra ka qenë e sinqertë nga ana e të atit, unë djalin e njoh dhe nuk dyshoj që do të ketë marrëdhënie të mira me të, pasi Seldi di të falë dhe të tolerojë. Dhe në spektakël ai tha; “ia kam fal”, dhe të jeni të sigurt që e tha me shpirt dhe se vërtet ia ka falur. Por e theksoj gjithmonë nëse ato që thuhen në letër janë fjalë të sinqerta, dhe nëse ai vërtet kërkon të bëjë rolin e babait tani e tutje siç shkruante aty, atëherë Seldi natyrisht që do jetë dakord.
Pse dyshoni në sinqeritetin e asaj letre?
Dyshoj për faktin sepse atë nuk e ka penguar askush që ta kishte djalin e tij për vete gjithë këto vite. Djali i ka shkuar ta takojë, mbase i ka kërkuar ndihmë për ndonjë problem që ka pasur dhe ai s’i është përgjigjur për asgjë. Fëmija ka nevojë për mbështjetje shpirtërore e morale nga të dy prindërit, të ndihet me baba si gjithë të tjerët dhe ai nuk ja ka dhënë mundësi, pra ia ka mohuar.
Po cila mund të ketë qenë arsyeja?
Këtë unë nuk e di, atë e di vetëm ai…
Më sipër thatë që ai nuk është përgjigjur për asgjë, as financiarisht nuk ka kontribuar për djalin e tij?
Unë nuk kam dëshirë të jap detaje për këto gjëra, sepse nuk kam kërkuar nga ia mbështetje financiare. Gjithmonë kam qenë e zonja për t’i krijuar Seldit një jetë të mirë. Kam punuar shumë, kam arritur të kem një biznes timin duke i siguruar djalit gjithçka i duhet. Por ai nuk i ka dhënë as kohën, që duhet t’i kushtonte fëmijës së tij.
Si ka qenë ndarja juaj në ato vite, mos ndoshta janë mbartur inate nga ana e tij?
Ka kaluar shumë kohë tani dhe sikur të ketë ndodhur ndonjë gjë është harruar. Po ashtu mendoj janë gjëra që ndodhin në jetë dhe s’ka kuptim t’i diskutojmë. Në gjithë këtë histori ne kemi lindur një fëmijë, dhe ajo lidhje ka qenë me një fëmijë të mrekullueshëm si Seldi, që edhe sikur të kthehesha në kohë do doja po të njëjtin fëmijë që kam sot, pra Seldin.
I keni treguar historinë e ndarjes Seldit, e ka dhënë mendimin e tij?
Po, ia kam treguar historinë tonë të ndarjes dhe Seldi më ka dhënë mua të drejtë dhe ka qenë dakord për këtë ndarje tani, edhe pse ajo ka ndodhur kur ai ka qenë vetëm 1 vjeç.
Në transmetimin direkt, Seldi theksoi se ishte fëmija i vetëm i babait të tij. ç’ka ndodhur me jetën e ish-burrit tuaj, a ka krijuar familje të re?
Mesa di unë ai është martuar, por nuk ka fëmijë të tjerë nga martesa e tij e dytë.
Po ashtu jeta juaj ka marrë rrjedhë tjetër, ju bashkëjetoni me mikun tuaj, fakt që e ka pohuar vetë Seldi brenda shtëpisë. Si ka reaguar ai ndaj vendimit tuaj?
Seldi ka qenë shumë dakord që unë të vazhdoj jetën time, edhe për faktin se njeh Ilmiun, mikun tim me të cilin jetoj dhe kanë respekt reciprok për njëri-tjetrin. Tani që Seldi është një student i Akademisë së Arteve të Bukura (dega kanto), bën një jetë të pavarur dhe jeton i vetëm në shtëpi, bashkarisht vendosëm ta marrim këtë vendim. Një gjë që do theksoja është se Seldi është fëmijë i rrallë, kujdeset shumë për lumturinë time, flasim hapur dhe ai ishte dakord për këtë zgjedhje që unë kam bërë.