Isida Mollaymeri: Mes meje dhe Viktorit ka filling artistik
klotilda harka
Ajo një balerinë e lehtë si pupël, ai një aktor me peshë që s’e kishte prekur kurrë baletin më parë. Viktor Zhusti mbase do t’ia shpërblejë me leksione aktrimi Isida Mollaymerit, e cila ka shumë pasion për teatrin dhe kinemanë. Rastësisht kanë qenë bashkë në backstage-in e telenovelës “Tingulli i heshtjes”, ku luajnë të dy. Por deri tani nuk mund të flasin për këtë, pasi janë krejtësisht të përqëndruar te gara e VIP-ve në “Dancing with the stars”. Nuk ishte në dorën e Isidës të zgjidhte partnerin VIP me të cilin do të kalonte një sfidë kërcimi. Në fillim e mori me frikë, por tani ndihet mirë. Balerina rrëfen eksperiencën e saj si partnere e aktorit Viktor Zhusti, konkurrentit me moshën më të madhe në spektaklin e hareshëm në “Vizion plus”.
Isida, si u zgjodhët balerina e Viktor Zhustit, dhe si u ndjetë që do ishit partnerja e një konkurrenti në moshën e tij?
Përzgjedhjet në fakt i ka bërë stafi i “Dancing with the stars”. Ne thjesht na kanë komunikuar që do jemi me këta partnerë dhe kemi pranuar. çiftet janë bërë bashkë sipas përshtatjes fizike dhe karakterit të tyre. Në fillim e mora pak me frikë pasi thashë kur të gjithë ishin të rinj, mbase unë dhe Viktori do skualifikoheshim të parët. Por duke punuar me Viktorin ishte krejt ndryshe, pasi ai të dëgjon, është shumë i përkushtuar në punë, korrekt dhe ka fiks shpirtin e artistit që do të japë maksimumin. Tani kam ndryshuar mendim dhe them, që është partneri që më përshtatet mjaft mirë.
Dimë që Viktori ka pasur mëdyshjet e tij për të lënë garën, është e vërtetë?
Jo s’është e vërtetë. Në fillim e kishte pak me ankth, na pyeste gjithë kohën nëse do të arrinte ose jo të kërcente në atë pistë. Por sa filloi punën nisi t’i pëlqente baleti.
Keni marrë komente?
Kam marrë shumë komente. Ka nga ata që nuk e mendonin kurrë që do kërceja me një person si Viktori. Disa të tjerë meqenëse unë e kam qejf aktrimin më thoshin: “sa mirë që do kërcesh me një aktor profesionist”. Tashmë që na shohin duke kërcyer më thonë se Viktori është kavalier i vërtetë. Kështu mendoj dhe unë ndaj jam e lumtur që kam partner Viktorin.
Ka pasur raste kur partneri juaj është dorëzuar, në numra baleti që mund t’i jenë dukur të pamundura?
Në fillim e kishte të vështirë për të realizuar valsin, që kërkon impostim trupi. Nuk ishte mësuar pasi në aktrim i jepet rëndësi fjalës dhe trupi shkon lirshëm, ndërsa baleti është strikt. Me kalimin e kohës ka arritur t’ia dalë.
Deri ku mund të shkojë gara juaj, mund të jetë Viktori pretendet për të fituar?
Përsa i përket fitores të them të drejtën kam shumë frikë, sepse duke i parë konkurrentët e tjerë them se janë të gjithë seriozë dhe asnjëri prej tyre s’bën gabime në skenë. Do kisha shumë qejf që Viktori të fitonte, do ishte diçka shumë e bukur për mua dhe për të.
Po thoni që asnjë konkurrent nuk bën gabime, cilin prej tyre do kishit dëshiruar për partner?
Asnjërin prej tyre, sepse po të ishte ndonjë nga të rinjtë do kishim konfliktin e moshës, dhe do kalonim prova të tëra duke u grindur.Jam shumë e lumtur me Viktorin, sepse arrin t’i realizojë të gjitha numrat e vështirë.
Gjatë spektaklit flitet shumë për “feeling”, çfarë ndodh realisht?
Kjo puna e “feeling” ndodh mes të gjithëve, pra gjithmonë mes dy partnerëve në kërcim. Sepse në momentin që kërcen dhe kalon shumë orë me partnerin duhet të krijosh një marrëdhënie speciale që baleti të realizohet si duhet. Kështu nëse nuk e sheh në sy, nëse nuk e fton me një dorë të ëmbël e të sjellshme partnerin, kërcimi do të ishte i akullt dhe i parealizuar. Në balet është normale.
Nuk e kishim fjalën për “feeling” profesional, po nëse mes disa çifteve aty mund të ketë lindur një ndjenjë?
Jo. Deri tani asnjëri prej çifteve në “Dancing with the stars” nuk e ka atë që të tjerët mendojnë dhe shohin nga jashtë.
Në eksperiencën tuaj si balerinë është pista e vallëzimit, vendi ku mund të biesh në dashuri më shpejt?
Jo nuk besoj. Sepse në pistë është njësoj ashtu siç ndodh kur një mashkull sheh një femër në plazh me rroba banje dhe nuk i bën përshtypje. Nëse e sheh të njëjtën femër me rroba banje në rrugë, patjetër që i bën përshtypje. Edhe në një pistë vallëzimi nuk e ke mendjen se ku i vendos duart, por je në ankthin për të realizuar lëvizjen që të kërkohet.
çfarë ndodh mes konkurrentëve gjatë ditëve që jeni në prova, si janë marrëdhëniet mes jush?
Janë shumë miqësore. Ne nuk ndihemi ende si konkurrentë, kalojmë orë të tëra bashkë. Deri tani shoh se të gjithë më shumë argëtohen se sa kanë frymën e konkurrencës me njëri-tjetrin.
Ka shumë balerinë që diplomohen, ju si arritët të dominoni?
Mendoj ka qenë talenti dhe puna ime. Kam kërcyer në TKOB që në klasë të tetë, kur jam spikatur si balerinë e mirë. Më pas në shkollë kam pasur notat dhe punët më të mira. Në Akademinë e Arteve, profesoresha ime ka qenë Kozeta Bakiu, ndërsa kam marrë pjesë në vëniet skenike të Agron Aliajt dhe Ilir Kernit. Po ashtu falenderoj Enada Hoxhën dhe Gerd Vason që më kanë marrë gjithmonë në projektet dhe shfaqjet e tyre.
Ndërkohë ju kemi parë të luani në telenovelën “Tingulli i heshtjes”, ku luan dhe Viktori. Do ta braktisnit baletin për aktrimin?
Jo, në balet jam shumë mirë. Por aktrimi më pëlqen shumë dhe nëse do më jepet mundësia për role nuk do i refuzoj.