Lista e 2010-ës, shtohen 16 barna të reja
05/02/2010 Barnat e rimbursimit, shtesat për sëmundjet më të përhapura
Masa e rimbursimit e përshkallëzuar sipas kategorive përfituese
Lista e barnave të rimbursimit për 2010-ën do të zgjerohet me 16 medikamente të reja. Ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë përfunduar së detajuari listën e plotë të barnave, e cila do të kalohet për miratim në Qeveri gjatë javës së ardhshme, e më pas do t’u shpërndahet grosistëve për shpërndarjen e tyre në farmaci. Pensionistët që vuajnë nga sëmundje kronike do të jenë dhe përfituesit kryesorë të këtyre alternativave të reja të përfshira në listë për këtë vit. Konkretisht, bëhet fjalë për personat që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, ato të shëndetit mendor, problemet e aparatit të frymëmarrjes, si dhe lloje të tjera sëmundjesh të rënda. “Aktualisht kemi një listë të pasuruar me barna të reja, ku janë më shumë se 16 alternativa të reja që i shtohen listës së barnave”, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme kreu i dikasterit shëndetësor Petrit Vasili. Ndërkohë që pak ditë më parë përfaqësuesit e grosistëve të barnave kanë kërcënuar me shfaqjen e mungesave në tregun e barnave të rimbursimit, për shkak të mosaprovimit të listës nga Ministria e Financave, e cila e riktheu për rishikim variantin e parë të propozuar. Por një gjë e tillë, sipas kreut të Shëndetësisë, nuk do të ndodhë, duke qenë se tashmë është hartuar edhe lista e barnave që do të miratohet nga Qeveria pas pak ditësh. Edhe për këtë vit, masa e rimbursimit të barnave do të vijojë të jetë e përshkallëzuar nga 50 deri në 100 për qind të medikamentit, kjo në varësi të kategorisë së përfituesve. Njëkohësisht, kusht në shpërndarjen e këtyre barnave do të jetë edhe receta e mjekut, ku në mungesë të saj farmacistët do të refuzojnë dhënien e ilaçeve për pacientin. Për listën e re të barnave, Ministrisë së Shëndetësisë i janë akorduar rreth 5.3 miliardë lekë, shumë e cila nuk lejon zgjerimin maksimal të kategorive përfituese në masën që ishte premtuar. Megjithatë, kjo listë pritet të marrë aprovimin përfundimtar gjatë mbledhjes së radhës që do të zhvillojë Këshilli i Ministrave.
Masa e rimbursimit sipas kategorive përfituese
Lista e re e barnave të rimbursimit nuk do të shoqërohet me ndryshime të kategorive përfituese. Kështu, barnat e listës do të ofrohen falas për fëmijë 0-12 muajsh, invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët. Po ashtu, të gjitha barnat falas do të shkojnë edhe për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës, si dhe për një sërë personash të tjerë, si për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, sklerozës multiple, talasemisë major. Ndërsa kategoritë e tjera do të përfitojnë rimbursim të pjesshëm, në përqindje të ndryshme, por jo më pak se 50 për qind e medikamentit.