E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmirësimi i jetës social ekonomike për komunitetin rom

05/02/2010  Plan Veprimi
Hartohet plani i veprimit të “Dekadës së romëve”, dokument i cili synon rritjen e shërbimeve ndaj kësaj shtrese të diskriminuar. Konkretisht bëhet fjalë për realizimin e një sërë projektesh, që synojnë integrimin e kësaj shtrese në jetën sociale dhe ekonomike të vendit, duke zgjeruar përfshirjen e tyre në sferën e punësimit, arsimimit, si dhe zgjidhjen e problemit të strehimit. Zëvendësministrja e Punës, Filloreta Kodra, ka pohuar gjatë ditës së djeshme se përveç nismave që do të merren për rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve romë në arsimin e detyruar, do të punohet edhe për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, strehimin dhe regjistrimin e këtij komuniteti, që për vite të tëra ka shfaqur probleme të shumta. Sipas saj, problemet më të rënda për këtë shtresë janë paraqitur në fushën e regjistrimit. Për shkak të këtij problemi, shumë prej fëmijëve të komunitetit rom janë bëre pre e rrjeteve të trafikimit apo shfrytëzimit në tregun informal të punës. Për realizimin e këtyre objektivave dhe masave të parashikuara në Planin e Veprimit, për çdo fushë është parashikuar buxheti i nevojshëm, që do të sigurohet nga buxheti i shtetit në bashkëpunim me organizatat donatore. Sipas vlerësimit të bërë nga ekspertët e të gjitha fushave, buxheti në total për të gjithë Planin e Veprimit llogaritet në 2 miliardë e 498 milionë lekë, ndërsa buxheti vjetor në 417 milionë lekë.
Arsimi
Mungesa e regjistrimit të romëve në zyrat e gjendjes civile, është shoqëruar me shfaqjen e problemeve të shumta për pranimin e fëmijëve të tyre në arsimin e detyruar. Por me masën më të fundit të ndërmarrë nga Ministria e Arsimit, lejohet regjistrimi edhe pa dorëzuar certifikatën e lindjes, pranë çdo shkolle ku fëmijët romë kanë vendbanimin e tyre.
Qendrat
Njëkohësisht janë hartuar politika të veçanta për të luftuar trafikimin apo dhe abuzimet që bëhen me përfshirjen e këtyre fëmijëve në tregun informal të punës. “Për shmangien e këtyre fenomeneve ne kemi projekte të veçanta, si hapja e kopshteve, qendrave profesionale për trajnimin e tyre, në mënyrë që këta të bëhen të aftë për tregun e punës", ka pohuar Kodra.
Punësimi
Konkretisht është menduar që të veprohet me financimin e projekteve për hapjen e minipunishteve, ndërmarrjeve të rrobaqepësisë, ku mund të punësohen një numër i konsiderueshëm personash, mbështetjen e zanatçinjve nëpërmjet pajisjes së tyre me vegla pune, hapjen e qendrave ditore, brenda të cilave të funksionojnë klasa kundër analfabetizmit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›