Gjimnazi ndërpret mësimin, mungon ngrohja
05/02/2010 Nxënësit e “Petro Nini Luarasit” në shkollë kur të ngrohet moti
“Të rrije në klasë ishte një tmerr, nuk e përballonim dot më të ftohtin”
ERSEKE- Duke filluar që nga mëngjesi i ditës së enjte, gjimnazi “Petro Nini Luarasi” në qytetin e Ersekës ka ndërprerë mësimin. Shkak për këtë ndërprerje janë bërë temperaturat e ulëta dhe mungesa e ngrohjes në këtë shkollë. Gjimnazi do të qëndrojë i mbyllur për dy ditë, duke shpresuar se temperaturat do të jenë më të larta ditën e hënë. Megjithatë, gjithçka do të jetë në varësi të motit; nëse temperaturat do të vijojnë të jenë po kaq të ulëta, deri në minus 8 gradë celsius, atëherë asgjë nuk është e sigurt nëse do të vijohet nga mësimi ose jo. Mëngjesin e ditës së enjte nxënësit nuk kanë pranuar të hyjnë në mësim, ndërsa shqetësimet e tyre i kanë përcjellë edhe te Kryetari i Bashkisë Ersekë, Adriatik Braçe. Në pamundësi për të gjetur një zgjidhje të shpejtë, është rënë dakord që mësimi të ndërpritet. Nxënës të kësaj shkolle kanë deklaruar se ngrohja në gjimnazin e tyre ka qenë “një gangrenë” e përhershme. Kaldajat që prej kohësh nuk kanë funksionuar. Herë pas here, pjesë të tyre ose janë djegur, ose nuk kanë funksionuar. Edhe pse janë bërë disa përpjekje për t’i vënë në funksionim, sërish gjithçka ka qenë e pamundur. Këtë vit nxënësit e shkollës së mesme “Petro Nini luarasi”, e filluan stinën e dimrit pa asnjë lloj ngrohje. Vetë gjimnazistët u shprehën se “kanë qenë gjithnjë të shpërfillur”. Të gjendur në këto kushte dhe të braktisur nga kujdesi i qeverisjes lokale ata vendosën të ndërpresin mësimin. Tashmë gjithçka varet në dorë të motit, nëse koha nuk do të ngrohet atëherë as shkollë nuk do të ketë.
Gjimnazistët e “Petro Nin Luarasit” pohuan gjithashtu se “deri më sot kishin bërë të gjitha përpjekjet maksimale për të vijuar mësimin dhe të përballonin të ftohtin, por tashmë duke filluar nga java e fundit gjithçka u bë e pamundur”, thanë ata. “Jo vetëm që ishte e vështirë ndjekja e mësimdhënies, por në të njëjtën kohë rrezikonim që të sëmureshim të gjithë nga të ftohtit”. “Situata nuk ishte e vështirë vetëm për ne, shpjeguan nxënësit, por edhe për mësuesit. Nuk kishim asnjë dëshirë të ndërprisnin mësimin, sepse edhe realizimi i programit do të rëndojë sërish mbi ne, por në të njëjtën kohë nuk ekzistonte asnjë rrugëzgjidhje tjetër. Të gjendur në këto kushte vendosëm të mos hyjnë nëpër klasa, sigurisht, thanë ata ne gjetëm edhe përkrahjen e mësuesve, por edhe sikur të mos kishte ndodhur kështu, përsëri nuk do të hynim në mësim. Qëndrimi në klasa ishte kthyer në një tmerr të vërtetë. Për këtë arsye, vendimmarrja erdhi si rezultat i protestës që shfaqën të gjithë gjimnazistët. Nuk është aspak serioze, që tashmë ata që janë përgjegjës për këtë situatë të gjejnë zgjidhje duke thënë: “Ishallah ditën e hënë ngrohet moti”!
V. Hasani