E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2010 do të miratohet në mbledhjen e ardhshme

05/02/2010  U hodh poshtë nga të djathtët. Kryebashkiaku Zeqaj: Është çmenduri mosmiratimi
FIER- Çështja e buxhetit të vitit 2010 mbetet tema e ditës dhe e debatit të forcave të ndryshme politike në Bashkinë Fier. E ndërsa kreu i Këshillit Bashkiak Fier, Admir Shehu, ka hedhur poshtë akuzat e socialistëve fierakë për problem politik në mosaprovimin e buxhetit, kreu i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, ka pohuar se kjo çështje mbetet e hapur dhe problemi themeltar.
Deklarata të zbutura
Ndryshe nga prononcimet e ditëve të fundit, tempi i deklaratës së Zeqajt kishte brenda nota më të zbutura dhe më optimiste duke deklaruar se mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak pavarësisht të gjithave do ta miratojë buxhetin e vitit 2010. “Unë besoj se do të ketë një reagim nga e djathta sepse është çmenduri që të mos miratohet buxheti”, ka thënë Zeqaj. Një ditë më parë në zyrën e kreut të Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, ka mbërritur një delegacion i Bankës Botërore. Me këtë institucion Bashkia Fier ka nënshkruar një akt-marrëveshje. Kanë ushtruar ose jo trysni të huajt, palët e forcave politike nuk deklarojnë asgjë për median. Por në fakt përvoja shqiptare ka treguar që të huajt zgjidhin tashmë çdo debat tonin dhe jo vetëm në politikë. Argumentet kundër në mbledhjen e fundit të të djathtëve konsistonin në disa ndryshime. Së pari, për privatizimin e dy ndërmarrjeve, asaj të pastrimit dhe ndërmarrjes së shërbimeve dhe së dyti për sa i përket ndryshimit dhe gjetjes së një strukture alternative të aparatit të bashkisë. Të dyja këto ndryshime sipas të djathtëve, duhet të bëhen për shkak se kjo mënyrë funksionimi nuk ka rezultuar frytdhënëse, ndërsa edhe shpenzimet, sidomos ato operative kanë qenë të larta.
“Ne kërkojmë që sot ta rrëzojmë buxhetin, pikërisht për të bërë dy ndryshime që mendojmë se nuk ecin mirë. Duam që të privatizohen dy ndërmarrjet e pastrimit dhe të shërbimeve komunale, pasi puna në këto dy sektorë nuk ka ecur me ritmet e duhura dhe që kërkon zhvillimi i qytetit. Ndërkohë kemi lënë detyra dhe kemi miratuar një sërë fondesh për investim, të cilat nuk janë realizuar, gjë që na lë të kuptojmë se administrata nuk ka punuar. Ne kërkojmë që sot në këtë buxhet të shikohet edhe njëherë struktura e administratës, pasi kemi drejtor departamentesh, drejtorish e të tilla dhe nuk kemi të ardhurat që duhet të ishin vjelë përgjatë vitit 2009. Duke munguar të ardhurat, mungojnë edhe investimet. Nga plani në fakt për 2009 është një deficit prej rreth 155 milionë lekësh, dhe si për çudi për 2010 merret plani, ai që është fakti i 2009-s dhe nga ky plan nuk ndryshon asgjë. Kjo do të thotë që administrata nuk është e zonja të sigurojë të ardhura sipas planit dhe bëjnë një plan tjetër duke marrë faktin e 2009-s. Qëllimi kryesor është që t’u shërbejmë qytetarëve nëpërmjet infrastrukturës dhe shërbimeve. Po të shikosh nga 537 milionë të buxhetit të bashkisë 86% të tyre e zënë fond pagash, sigurime shoqërore, shpenzime operative dhe vetëm 14% e tyre janë investime”, tha në atë mbledhje Ferdinand Murati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›