Sinjale nga Gana

Behgjet Pacolli ka dërguar sinjale të premten se Republika e Kosovës mund të njihet nga Gana, një vend afrikan me popullsi prej 24 milionë banorësh.
Pacolli, i cili së voni është emëruar zëvendëskryeministër i parë në Qeverinë Kosovës, është i bindur se udhëtimi i tij në kontinentin afrikan do të sjellë rezultate.
Kështu së paku kanë lënë të kuptohet njoftimet që kanë ardhur Qeveria e Kosovës dhe këshilltarët e Pacollit.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Pacolli është takuar me Ministrin e Jashtëm ganez, Alihaji Muhammad Mumuni, nga i cili ka kërkuar njohje për Kosovën.
“Gjatë këtij takimi, zëvendëskryeministri Pacolli edhe një herë ripërsëriti kërkesën për njohjen e shtetit të Kosovës. Pas këtij takimi, zëvendëskryeministri Pacolli është i bindur se njohja e Republikës së Kosovës nga shteti i Ganës është shumë afër”, thuhet në njoftimin e Ekzekutivit.
Sipas njoftimit, aktiviteti lobuese i Zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli do të vazhdojë në Guinea Conacry dhe Afrikën Qendrore.
Ndryshe në njoftimin e Këshilltarit të Pacollit, Arbër Geci thuhet se Zëvendëskryeministri do të vazhdojë të kërkojë njohje edhe në Bregun e Fildishtë dhe Yamoussoukro.
“Behgjet Pacolli do të qëndrojë sot në kryeqytetin Yamoussoukro, ku do të marrë pjesë në Ceremoninë Inauguruese të Presidentit të ri të këtij Vendi, z. Alassane Ouattara. Zëvendëskryeministri i Parë, z. Pacolli ka intensifikuar aktivitetet lobuese në kuadër të fushatës për shtimin e numrit të njohjeve për Republikën e pavarur të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Pacolli parashihet që të jetë edhe në krye të një task force, e cila ka për qëllim lobimin për njohjen e Kosovës.
Pavarësisht se ka marrë hise në politikën e jashtme, ai ka adresuar kritika për Ministrin Enver Hoxhaj rreth çështjes së lobimit.
Kosova ka disa muaj që tashmë nuk është njohur nga ndonjë shtet. Aktualisht numri i njohjeve për shtetin e ri është 75.
Pacolli ka paralajmëruar njohje të reja në disa raste.
Ai ka përmendur njohje së voni nga tri shtete të Azisë, duke përmendur Pakistanin, Bangladeshin dhe Sri Lankën.
“Jam i bindur se Pakistani shumë shpejt do ta njohë Kosovën. Isha edhe në Bangladesh, kështu që këto dy shtete të fuqishme mund ta njohin Kosovën shumë shpejt. Dhe, pas këtyre shteteve, do ta ketë lehtë edhe Sri Lanka ta njohë Kosovën”, kishte thënë Pacolli.