E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e Botërorit, shtypi nis kritikat ndaj Kapelos

LONDER- Fabio Kapelo ka marrë kritikat e para në krye të Anglisë, pasi ka publikuar listën paraprake me futbollistët që do të shkojnë në Botëror. Tekniku italian është akuzuar nga mediat britanike se ka thirrur shumë lojtarë të dëmtuar, gjë që përbën edhe krisjen e parë të raporteve mes tij dhe shtypit. Që kur mori drejtimin e kombëtares së 3 Luanëve, Kapelo është vlerësuar maksimalisht nga shtypi, për shkak edhe të një fushate të shkëlqyer eliminatore. Por, thirrja për në Botëror e lojtarëve si Garet Berri që ka probleme me kaviljen, e Bobi Zamorës që vuan nga tendina e Akilit, e Fil Nevil që ka një probleme të mëdha me gjurin si edhe e Skot Parker që nuk ka luajtur kurrë me Kapelon, janë parë me dyshim nga shtypi, që nuk ka ngurruar ta krahasojë me fantazmën e Sven Goran Erikson. Kapelo ka rikthyer gjithashtu në kombëtare mbrojtësin e Liverpulit Xhemi Karrager, ndërsa edhe lojtarë të tjerë si Majkëll Dozon, Ledli King apo Adam Xhonson, nuk kanë luajtur asnjëherë me të. “Pas dy vjet e gjysmë pune të mirë, Kapelo e fut në kaos kombëtaren”, shkruan Daily Mail. Ndërkohë Times flet për një Kapelo në siklet, ndërsa kritika të forta lëshon edhe Telegraph. Anglia nuk fiton një Kupë Bote që prej vitit 1966 dhe aktualisht ka një brez të artë futbollistësh. Skuadra ishullore është një nga favoritet kryesore për triumfin në Afrikën e Jugut, ku është në grup me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Algjerinë dhe Slloveninë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›