E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama për krijimin e shtetit palestinez

Presidenti amerikan, Barack Obama, premtoi se do të angazhohet për krijimin e shtetit të pavarur të Palestinës. Ai me këtë rast porositi se do të bëjë përgjegjës Izraelin dhe palestinezët, nëse ndonjëra palë ndërmerr aksione, të cilat do të minonin rrjedhën e negociatave indirekte, të cilat filluan në fund të javës së kaluar.

Në bisedën telefonike që zhvilloi me presidentin palestinez, Mahmoud Abassin, Obama përshëndeti fillimin e këtyre negociatave, me ndërmjetësimin e SHBA-së, duke ripërsëritur përkrahjen e tij të fuqishme për zgjidhjen me dy shtete, njoftuan mediet izraelite.

Obama kërkoi nga të dy palët që të negociojnë me seriozitet, me vullnet të mirë dhe që të lëvizin sa më shpejtë që është e mundur nga negociatat indirekte drejtë negociatave të drejtpërdrejta, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Obama lavdëroi Abassin për faktin se para pak kohësh pati një paraqitje në televizionin e Izraelit dhe kërkoi nga ai që të parandalojë çfarëdo nxitje të urrejtjes dhe de-legjitimim të Izraelit nga ana e popullit palestinez.

Edhe katërshja për paqe në Lindje të Mesme i bëri thirrje Izraelit dhe administratës palestineze që të zhvillojnë negociata me vullnet të mirë dhe që të përgatiten për negociata të plota për zgjidhjen e konfliktit.

Katërshja, e cila përbëhet nga SHBA-ja, Rusia, OKB-ja dhe BE-ja përshëndeti rrethin e parë të bisedave, gjatë së cilit i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, George Mitchell, zhvilloi një diplomaci “fluturuese” ndërmjet Jerusalemit dhe Ramallahut në Bregun Perëndimor.

“Këto negociata janë një hap i rëndësishëm drejtë bisedave të drejtpërdrejta për paqe gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme”, u theksua në kumtesën e katërshes, të publikuar në selinë e OKB-së në New York.

Në dokument u shtua se paqja gjithëpërfshirëse bazon në formimin e shtetin të qëndrueshëm palestinez, i cili do të jetojë në paqe dhe siguri me Izraelin dhe fqinjët tjerë.

“Katërshja apelon tek të gjitha palët e interesuara që të promovojnë atmosferën, e cila do t’i kontribuojë arritjes së marrëveshjes”, u nënvizua në kumtesë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›